1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pyetjet të padëshiruara

afp, dpa, rtr20 Shtator 2012

Wen Jiabao, njeriu me pushtetin më të madh në Kinë, ndodhet për herë të fundit në BE. Gjatë qëndrimit të tij atje, ai i largohet gazetarëve kritikë. Kështu që nga Brukseli do të vijnë imazhe të bukura, por jo përgjigje.

https://p.dw.com/p/16BoC
Wen Jiabao i largohet gazetarëve kritikë
Wen Jiabao i largohet gazetarëve kritikëFotografi: dapd

Në një takim të nivelit të lartë me Bashkimin Evropian (BE), kryeministri kinez Wen Jiabao nuk ka pse trembet se pas bisedave me presidentin e Këshillit Van Rompuy dhe presidentin e Komisionit, José Manuel Barroso do të duhet tu përgjigjet reporterëve. Pala kineze ka vendosur kushte, që nuk lejojnë zhvillimin e konferencave të shtypit, tha një zëdhënës i Komisionit të BE-së në Bruksel.

Kina ka këmbëngulur që t`i jepet një listë me emrat e gazetarëve pjesëmarrës dhe ka kërkuar që t`i lejohet kontrolli i tyre. Në këto kushte organizimi i një aktiviteti të tillë është i pamundur, prandaj konferenca e shtypit nuk është organizuar, tha zëdhënësja e Presidentit të Komisionit, Barroso.

Takimi nuk u shoqërua me vendime të rëndësishme

Që në takimin e lartë të vitit të kaluar midis Kinës dhe BE-së, korrespondentët e Brukselit nuk patën asnjë shanc që t`i bëjnë pyetje përfaqësuesve kinezë. Takimi i nivelit të lartë mbahet dy herë në vit. Ky është i fundit në të cilin merr pjesë kryeministri Wen, i cili nuk do ta mbajë më këtë post. Në takim nuk pritet të merren vendime. Takimi ka më tepër të bëjë me "konsolidimin e rezultateve", tha një diplomat i BE-së.

Marrëdhëniet tregtare do të luajnë rol kryesor në bisedime. Ato janë të ngarkuara aktualisht me akuza dumpingu për firmat kineze. Tema të tjera do të jenë të drejtat e njeriut dhe kriza aktuale në Siri apo grindjet e Kinës me Japoninë.