1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Që prej ditës së sotme Kosova funksionon me Kushtetutë

Bekim Shehu / Prishtinë16 Qershor 2008

Me një ceremoni solemne u shënua në Prishtinë hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës. Udhëheqësit politik kosovarë, thonë se dispozitave të Kushtetutës do t'i nënshtrohen të gjitha rajonet e vendit.

https://p.dw.com/p/EKLM
Konstituimi i Kushtetutës në Kosovë
Konstituimi i Kushtetutës në KosovëFotografi: AP

Institucionet e Kosovës, nga dita e hënë 16 qeshor, funksionojnë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta, garanton tërësinë territoriale të Kosovës dhe të drejtat e të gjitha etnive që jetojnë në vend. Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës, u shënua me një akademi solemne të dielën në mbrëmje, ku të pranishëm ishin përveç udhëheqësve politik kosovarë edhe ambasadorët e vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Fatmir Sejdiu, e cilësoi Kushtetutën si Bibël dhe Kuran të qytetarëve të Kosovës. "Kjo është Bibla e Kurani ynë. Kushtetuta do të jetë shtylla kurrizore e organizimit tonë shtetëror. Kushtetuta jonë ngërthen zgjidhje moderne kushtetuese që vijnë nga trashëgimia demokratike, por edhe zgjidhje të veçanta për rrethanat dhe specifikat e Kosovës, si shoqëri shumetnike, me një shumicë dërmuese shqiptare dhe me komunitetet pakicë, të cilave u jepen garanca të fuqishme për të drejtat dhe privilegje, të cilat janë shenjtëruar në Kushtetutë, pasi ishin pranuar si dispozita të Pakos së Presidentit Ahtisari për Kosovën", thotë Presidenti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi, në fjalën e tij, tha se Kushtetuta e Kosovës, është Kushtetutë e sakrificës dhe në këtë kuadër, institucionet e vendit sipas tij, do të dinë të respektojnë të drejtat e qytetarëve të Kosovës. "Ne duhet të ndihemi të lumtur dhe krenar që kemi ditur të bëjmë një Kushtetutë që institucionalizon pushtetin dhe kufizon atë. Poashtu, krijon bazë për funksionimin e pushtetit politik, ekonomik dhe shoqëror të qëndrueshëm. Jam i bindur se me këtë Kushtetutë, krijohen mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe është një hap më shumë për respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe plotësimin e zotimeve ndërkombëtare për të drejtat e komuniteteve në shtetin tonë të ri", thotë Kryeministri, Thaqi.

Sfida e parë me të cilën do të ballafaqohen institucionet e Kosovës në zbatimin e dispozitave të Kushtetutës, janë serbët e Kosovës, sidomos ata të pjesës veriore të saj, të cilën nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe as Kushtetutën e saj. Si kundërpërgjigje e të gjithë kësaj, serbët e Kosovës të mbështetur nga Beogradi, kanë formuar kuvendet komunale dhe kanë paralajmëruar se do të formojnë parlamentin e tyre në nivel të Kosovës, i cili siç thonë, do të mbrojë të drejtat e serbëve. Këto veprime, kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cilëson veprime destruktive që për qëllim kanë, ndarjen e Kosovës. "Ndarja nuk është e pranueshme për ne, për bashkësinë ndërkombëtare, madje as për shumicën e komunitetit serb të Kosovës. Veprimet e kësaj linje politike, janë bërë fakor obstruksioni i zhvillimit demokratik në Kosovë, të cilat rrezikojnë gjithashtu mirëbesimin dhe frymën pajtuese", thotë Krasniqi.

Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, nënkupton edhe bartja e të gjitha përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet e vendit dhe tek misioni i ri i BE-së. UNMIK-u, nuk do të largohet nga Kosova, mirëpo do t'i nënshtrohet një procesi gradual rikonfigurimi. Udhëheqësit kosovarë, praninë e dy misioneve ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-ut dhe EULEX-it, e kanë cilësuar si dualizëm pushtetetesh. Megjithatë, ata premtojnë bashkëpunim me të gjithë faktorët ndërkombëtar, ndërkohë që shprehin hapur dëshirën që më së largu në vjeshtë të këtij viti, misioni i kombeve të bashkuara UNMIK, të largohet përfundimisht nga Kosova.