1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëllimi i referendumit të serbëve - ndarja e Kosovës

10 Janar 2012

Referendumi i serbëve të veriut të Kosovës mund të sjellë deri tek radikalizimi i gjendjes në Kosovë. Por mund të ndikojë edhe në ndryshimin e pushtetit në Serbi.

https://p.dw.com/p/13grp
Mitrovicë
MitrovicëFotografi: picture alliance/dpa

Rezistenca e serbëve të veirut të Kosovës ndaj autoriteteve të Prishtinës në fillim ka qenë nën ndikim të madh të presidentit të Serbisë Boris Tadiq dhe qeverisë në Begrad, por ndërkohë kjo influencë ka rënë, vlerëson për Deutsche Wellen analisti politik serb Dushan Janjiq. Sipas tij, gatishmëria e Tadiqit për kompromise me Bashkimin Evropian ka shkaktuar radikalizimin e lëvizjes serbe në Kosovë: „Ideja e referendumit paraqet radikalizimin e lëvizjes së atjeshme serbe dhe paraqet një lloj përgatitje për shpalljen e vendimit për mospranimin e institucioneve të Kosovës. Thënë më qartë, kjo mund të çojë deri tek, siç thonë në Prishtinë, ndarja e kësaj pjese nga Kosova, apo siç thonë në Beograd, mbetja e kësaj pjese në Serbi. Pra çështja është konfuze madje edhe në vet nivelin e terminologjisë, por kjo praktikisht do të thotë ndarje e Kosovës.“

Svetllana Gjurgjeviq Llukiq, zëvendëskryetare e Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Beograd paralajmëron se ideja e referendumit ka qenë e pranishme edhe në planet e bashkësisë ndërkombëtare, kur është menduar për statusin përfundimtar të Kosovës: „Natyrisht që atëherë është menduar për referendumin në Kosovë dhe për territorin që e ka pasur ajo në kohën e RSFJ-së, por është fakt që këtu ekziston një dritare, të cilën mund ta përdorin serbët e veriut të Kosovës“.

Boris Tadiq
Boris TadiqFotografi: AP

Virusi i referendumit?

Por një referendum i tillë, në qoftë se Beogradi nuk e pengon atë me vendosmëri, do të hapte mundësinë e referendumeve edhe brenda Serbisë, pohon Gjurgjeviq Llukiq: "Shqiptarët në jug të Serbisë, të cilët para 20 vitesh kanë organizuar një referendum ilegal, do të kishin mundësinë e përsëritjes së tij, apo mund të rikujtojnë kërkesat e tyre."

Svetllana Gjurgjeviq Llukiq mendon se çështja e Kosovës dhe integrimeve evropiane janë të ndërlidhura mes vete. Çdo lëvizje në një drejtim tjetër, e të mos flasim për ndonjë referendum, nga partnerët evropianë tani mund të interpretohet si mungesë gatishmërie e Beogradit për të realizuar deri në fund kërkesat e BE-së, mjendon ajo.

Referendumi mund të ndikojë në pushtetin e Serbisë

Shancet për të fituar diçka me këtë referendum janë shumë të vogla, mendon Janjiq. Por ai do të vazhdojë të mbajë tensionet në një nivel të lartë në Kosovë. Veriu i Kosovës tregohet përfundimisht si një zonë e konfliktit me pasoja të shumëllojshme, pohon ai. „Së pari do të vështirësojë kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE. Kërkesa e Beogradit për statusin e kandidatit do të ishin vetëm iluzion. Së dyti, një referendum i këtillë tregon edhe paaftësinë e Boris Tadiqit dhe Partisë Demokratike që të influencojë proceset në veri të Kosovës dhe në një pjesë të madhe të vetë Serbisë. Rezultati i tretë do të ishte që Kosova të bëhet një temë shumë e rëndësishme e fushatës zgjedhore. Me këtë temë partitë në pushtet nuk mund të fitojmë asgjë, vetëm mund të humbasin“, thekson Janjiq.

Ai parashikon se referendumi do të sinjalizojë largimin e Boris Tadiqit nga pushteti. Pyetja është vetëm se përmes cilit mekanizëm do të realizohej kjo. Përvojat e kaluara na dëshmojnë se përçarjet rreth Kosovës gjithmonë kanë ndikuar në ndryshimin e pushtetit në Beograd, pohon Janjiq.

Zgjedhje e serbëve të Kosovës
Zgjedhje e serbëve të KosovësFotografi: AP

Komplikimi i situatës

Referendumi i serbëve në Kosovë hap mundësinë e reagimit të palës shqiptare, vlerëson ai. Vetëvendosja tani po e merr iniciativën dhe ka paralajmëruar bllokimin e kalimeve kufitare me 14 Janare, që mund të komplikojë gjendjen edhe më tej. „Rritja e popullaritetit të Vetvendosjes që ka detyruar edhe Thaçin që të pranojë disa kërkesa të tyre, tregon se kjo lëvizje mund të bëhet forca kryeasore opozitare në Kosovë. Në këtë mënyrë ata përpiqen të lëkundin pushtetin e Thaçit, e cila është forcuar pak përmes dialogut teknik. Natyrisht që lëvizjet e këtilla mund të sjellin tensione të reja dhe mund të radikalizojë gjendjen edhe tek lëvizja serbe në Kosovë“, pohon Janjiq.

Autor: Ivica Petroviq/Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama