1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qetësim i situatës në Irak? - Hiqet thuajse plotësisht ndalim qarkullimi në Bagdad

Björn Blaschke/ Amman (WDR)31 Mars 2008

Në Irak lideri radikal i shiitëve Mokatada Al Sadër i ka bërë thirrje përkrahësve të tij të lëshojnë armët. Në këmbim Al Sadër kërkon nga qeveria irakiane një amnisti të përgjithshme për luftëtarët e tij.

https://p.dw.com/p/DXia
Përkrahës të Al Sadrit në BagdadFotografi: AP

Sot në orën 6 sipas orës lokale përfundoi (31.3) në pjesën më të madhe ndalimqarkullimi në Bagdad. Në tre pjesë shiite të qytetit njerëzit u lejuan sërisht të qarkullonin me automjete. Në këto lagje gjatë ditëve të shkuara pati përleshje mes forcave shtetërore të sigurisë dhe milicëve të predikuesit shiit Moktada Al Sadër. Në Basra ndalim qarkullimi është ende në fuqi. Në të gjithë vendin aksionet ushtarake vazhdojnë megjithëse kryeministri irakian, Nuri al Maliki e përshëndeti urdhërin për tërheqje të Al Sadrit drejtuar përkrahësve të tij.

"Deklarata e Sadrit është një iniciativë e mirë që shkon në drejtimin e duhur", deklaroi Maliki të dielën në mbrëmje (30.3.). Ky hap kontribuon në stabilizimin e Irakut dhe procesin e rindërtimit. Në të njëjtën kohë Maliki siguroi se aksionet e forcave irakiane nuk drejtohen kundër një grupi politik apo fetar siç është lëvizja e Sadrit.

Irak Ministerpräsident Nuri al Maliki Pressekonferenz in Bagdad
Kryeministri irakian, Nuri Al Maliki urdhëroi ofensivënFotografi: AP

Garancitë e kryeministrit irakian

Maliki garantoi gjithashtu se nuk do të ketë ndjekje ligjore të atyre që vendosin tani të lëshojnë armët. "Ne duam që irakianët të ndalojnë gjakderdhjen dhe të mbrojnë pavarësinë dhe stabilitetin e vendit të tyre. Për këtë kemi vendosur që të tërhiqemi nga rrugët e Basrës dhe të gjitha provincat e tjera." Këtë mesazh Moktada Al Sadër e bëri publike të dielën pasdite. Kush nuk i bindet këtij urdhri nuk do të jetë më anëtar i lëvizjes, sipas Al Sadrit.

Në këmbim qeveria duhet t'i garantojë amnisti të përgjithshme luftëtarëve të tij. E paqartë mbetet nëse të gjithë milicët e së ashtuquajturës armata "Mehdi" do t'i përgjigjen thirrjes së Al Sadrit. Në të kaluarën shpesh është thënë se Al Sadri nuk ka më aq influencë sa pretendohet nga disa amerikanë dhe irakianë. Vetë ai ka pohuar në një intervistë se ka humbur kontrollin mbi një pjesë të milicisë së tij. Ditët e ardhshme do të tregojnë se sa i fortë është vërtetë Al Sadër.

BdT Kämpfe im Irak - Mahdi Armee
Luftimet e ditëve të fundit në IrakFotografi: AP

Fushata e qeverisë irakiane

Në fillim të javës së shkuar kryeministri irakian, Nuri al Maliki urdhëroi fillimin e një ofensive kundër milicëve në Basra në jug të Irakut. Argumenti i tij ishte: luftëtatërt e Al Sadrit donin të merrnin kontrollin e tregtisë së naftës dhe portin e Basrës. Maliki angazhoi rreth 30.000 policë dhe ushtarë për të vënë në vend të drejtën e shtetit ligjor.

Ai i dërgoi një ultimatum milicëve të hidhnin armët. Pas skadimit të ultimatumit milicët kontrollonin pjesë të mëdha të Basrës dhe i zmbrapsën disa herë rradhazi njësitë e trupave qeveritare. Luftimet u zgjeruan edhe në qytete të tjera dhe mbërritën deri në kryeqytetin e vendit, Bagdad. Avionë luftarakë britanikë dhe amerikanë u përfshinë në konfliktin e armatosur në mbështjetje të trupave të qeverisë. E megjithatë në fund nuk ishin sadristët ata që dorëzuan armët. Përkundrazi policët irakianë u dorëzuan tek milicët dhe morën në këmbim Kuranin dhe degë ulliri. Pra urdhri për tërheqje i Al Sadrit nuk mund të jetë një një fitore e kryeministrit Maliki.