1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Kosovës do dialog me serbët e veriut, po jo me strukturat paralele

5 Dhjetor 2011

Pas marrëveshjes së kufirit të konfirmuar nga Tadiç, kryeministri Hashim Thaçi, shprehet se komunikimi është rruga e vetme për fillimin e zgjidhjes së problemeve të grumbulluara prej 12 vitesh në veri të Kosovës.

https://p.dw.com/p/13Mb5
Hashim Thaçi
Hashim ThaçiFotografi: AP

Qeveria e Kosovës shprehet e gatshme që të bisedojë me serbët e veriut të Kosovës për zgjidhjen e problemeve në këtë pjesë, mirëpo nuk do të bisedojë me strukturat paralele. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se komunikimi me serbët e veriut është i nevojshëm për t'u sqaruar atyre se institucionet e Kosovës mund të përmirësojnë jetën e tyre, ashtu siç ka ndodhur me vendbanimet tjera serbe, ku procesi i decentralizimit ka treguar rezultate.

Qeveria e Kosovës do të jetë pranë serbëve të veriut

Kryeministri Thaçi premton ndryshim të jetës së serbëve në Kosovë: “Do të përpiqemi maksimalisht që të jemi sa më pranë tyre, në mesin e tyre, të sqarojmë proceset nëpër të cilat po kalojmë, që serbët të drejtohen nga Prishtina dhe të largohen nga mashtrimi 12 vjeçar që u ka bërë Beogradi atyre qytetarëve. Ne duam ta ndryshojmë jetën e tyre për mirë siç kemi bërë ndryshime edhe në rajonet tjera siç janë Shtërpca, Graqanica dhe në formimin e komunave të reja ku do të ketë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm si institucione të Republikës së Kosovës me autoritet lokale që i respektojnë institucionet e dala nga vota e lirë”.

Veriu i Kosovës: Pika kufitare të shkretuara
Veriu i Kosovës: Pika kufitare të shkretuaraFotografi: dapd

Por kryeministri i Kosovës, Thaçi është i prerë se me strukturat paralele në veri. Nuk do të ketë dialog me to. "Komunikimi është rruga e vetme për fillimin e zgjidhjes së problemeve të grumbulluara tash e 12 vite, por në asnjë rrethanë me strukturat ilegale dhe kriminale. Ato do të përballen me drejtësinë”, thotë kryeministri Thaçi.

Në dialogun me serbët e Veriut duhet të përfshihen ndërkombëtarët

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës qendrore që janë pjesë e institucioneve, thonë se rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve në veri është dialogu me serbët e atjeshëm. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletic, gjatë një debati në Cagllavicë për dialogun Kosovë-Serbi, thotë se në dialogun e brendshëm me serbët e veriut duhet të përfshihet edhe faktori ndërkombëtar.

Është mirë që të organizohet një dialog i veçantë vetëm për Veriun e Kosovës. “Duhet të bisedohet për Veriun, qoftë edhe nëse kjo të jetë në kuadër të bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel, apo të gjendet ndonjë mënyrë apo formë tjetër. Nuk e përjashtoj mundësinë që në kuadër të këtij dialogu të përfshihet edhe Veriu. Por, ndoshta është mirë që të organizohet një dialog i veçantë vetëm për Veriun e Kosovës. Mendoj se duhet të kemi parasysh se kemi një gjendje të re në veri dhe duhet të dialogohet në mënyrë që të mos humben jetë njerëzish në këtë pjesë”, thotë Petar Miletiq”.

Ismet Beqiri, drejton grupin parlamentar të LDK-së
Ismet Beqiri, drejton grupin parlamentar të LDK-sëFotografi: DW

Qeveria e Kosovës është vonuar për dialogun

Sipas analistëve, rrethanave të reja krijuara në veri të Kosovës, dialogu me serbët aktualisht duket i pamundur. Nexhmedin Spahiu, analist nga Mitrovica, thotë se qeveria e Kosovës është vonuar për këtë dialog. Qeveria e Kosovës është vonuar për një dialog me serbët e veriut. “Nuk e di përse tash shtrohet kjo si çështje, kur ky dialog është dashur të ndodhë para 12 vjetësh. Sigurisht që ka pasur mundësi reale që veriu të jetë i integruar në institucionet e Kosovës, por nuk ka pasur investim të mjaftueshëm të energjive politike në këtë drejtim”, thotë analisti Nexhmedin Spahiu.

Opozita: Kryeministri Thaçi do të legalizojë strukturat paralele serbe

Partitë politike opozitare hedhin dyshime në qasjen e kryeministrit që të bisedoje me serbët e Veriut. Ata thonë se pavarësisht deklarimeve të kryeministrit se nuk bisedon me strukturat paralele, këto struktura janë të vetmet që përfaqësojnë serbët e atjeshëm, prandaj opozita thotë se çdo dialog me serbët e veriut nënkupton legjitimim të këtyre strukturave që për ta është e papranueshme.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se kjo parti nuk është kundër zgjidhjes së problemit në veri, por është kundër bisedimit me njerëz që kanë vendosur barrikada dhe që kanë djegur pikat doganore të shtetit.

Ndërkohë AAK, përmes deputetit të saj, Burim Ramadani, e ka akuzuar qeverinë për mungesë të një plani për veriun. Kjo parti madje shfaq drojën se kryeministri Thaçi, me vetëdije, është duke synuar t'i legalizojë strukturat paralele, përmes bisedimeve me të ashtuquajturit kryetarë të komunave atje.

Sidoqoftë, qeverisë së Kosovës i është kërkuar që të hartojë një plan gjithëpërfshirës për veriun e Kosovës edhe nga Komisioni Evropian dhe pjesë e kësaj strategjie duhet të jetë edhe dialogu i brendshëm me serbët e veriut.

Por, sipas qeverisë pjesë e strategjisë gjithëpërfshirëse është plani në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare për krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës. Tash e dy vjet është krijuar ekipi përgatitor, por, ky ekip tash për tash e ka të pamundur që ta jetësojë ketë plan për shkak që veriu i Kosovës ka shkëputur çdo lidhje me institucionet qendrore të vendit dhe praninë ndërkombëtare në Kosovë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi