1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave

18 Dhjetor 2009

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, thotë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të zhgënjehen, sepse në një të ardhme jo të largët edhe ata do të mund të udhëtojnë pa viza për në vendet e BE-së

https://p.dw.com/p/L8QW
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike LunacekFotografi: AP

Kosova është vendi më i izoluar në Evropë. Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza vetëm në pesë shtete fqinjë të saj, ndërsa sa për krahasim qytetarët e Afganistanit mund të udhëtojnë pa viza në 27 vende. Kështu thotë në një intervistë për DW raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek. Ajo shprehet e zhgënjyer, se përse Kosova u la anash në procesin e liberalizimit të vizave në kohën, kur vendet fqinjë të saj, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi nga data 19 dhjetor udhëtojnë lirshëm për në vendet e BE-së.

Symbolbild Visum und Visa Warndatei
Libelarizimi i vizaveFotografi: picture-alliance/chromorange

“Nëse më pyet mua personalisht, unë do të dëshiroja që të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor në paketë të përfshihen në procesin e liberalizimit të vizave, sepse kjo ka të bëjë me njerëzit, nuk ka të bëjë me shtetet. Por disa gjëra në politikë janë ndryshe dhe unë duhet t'i pranoj, pavarësisht se nuk më pelqejnë. Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, siç dihet nga data 19 udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian. Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria mund të përfshihen në proces nga gjysma e vitit të ardhshëm, edhe pse ato akoma duhet të përmbushin disa kritere. Për Kosovën përfundimisht jam e lumtur, që Këshilli i Evropian ka rekomanduar, që edhe me Kosovën duhet filluar dialogu për përfshirjen e saj në procesin e liberalizimit të vizave, mirëpo se kur do të ndodhë kjo, nuk e di, thotë Ulrike Lunacek.

“Të gjithë e dimë se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës dhe kjo është një problem në vete, që padyshim reflekton në lënien anash të Kosovës nga liberalizimi i vizave. Mirëpo, një gjë është e qartë, se pavarësisht kësaj qeveria e Kosovës nuk duhet të ndalet, po duhet të bëjë më shumë në përmbushjen e kritereve, që kërkohen për t'u përfshirë Kosova në procesin e liberalizimit të vizave”.

Albanier warten vor der italienischen Botschaft in Tirana
Shqiptarë duke pritur para ambasadës italiane në TiranëFotografi: Mimoza Dhima

“Kjo do të marrë kohë, nuk mund ta them një datë të saktë, mirëpo këtu mund të flasim për dy ose tre vjet, kjo do të thotë që qeveria e Kosovës duhet ta bëjë punën e saj, ndërsa edhe Komisioni Evropian në anën tjetër të punojë në këtë drejtim”, thotë Lunacek. Në Kosovë ka shumë zëra, që thonë se arsyeja, pse tri shtetet ballkanike Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina u lanë jashtë procesit të liberalizimit të vizave, ka të bëjë me përkatësinë fetare, ku shumica e popullatës në këto tri shtete janë muslimanë. Mirëpo, këto kritika nuk janë të qëndrueshme, për Ulrike Lunacek.

“Kjo është një konincidencë, nuk është e qëllimshme, pse Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria u lanë anash për shkak të përkatëisë fetare të popujve të tyre. Këto vende duhet të bëjnë atë, që bënë shtetet fqinjë të tyre, që tashmë u përfshinë në procesin e liberalizimit të vizave. Shembull: Bosnja e Hercegovia dhe Shqipëria kanë përmbushur shumë kritere, shumë të tjera duhen përmbushur dhe në mesin e vitit të ardhshëm ato mund të përfshihen në proces. Ndërsa për Kosovën mund të them se nuk është përkatësia fetare e popullit të saj, që ajo u la anash, por këtu në fund të fundit kemi të bëjmë edhe me çështjen e statusit të saj, që për pesë shtete anëtare të BE-së, akoma nuk është i zgjidhur”, thotë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica