1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Krimesë i kërkon ndihmë Putinit

exh (dpa, rtr)1 Mars 2014

Kryeministri prorus në Krime kërkon mbështetje nga Putin. Kjo e ka ndezur më shumë krizën për gadishullin ukrainas. Obama paralajmëroi Moskën ndaj ndërhyrjes ushtarake në Krime. Merkel bën thirrje për zgjidhje paqësore.

https://p.dw.com/p/1BHsq
Ushtarë të armatosur në Simferopol
Fotografi: Reuters

"Nisur nga përgjegjësia për jetën dhe sigurinë e qytetarëve i kërkoj Presidentit rus Vladimir Putin ndihmë për sigurimin e paqes dhe qetësisë në zonën e Krimesë", tha kryeministri i gadishullit në Detin e zi, Sergej Aksjonov, në një mesazh të transmetuar nga mediet lokale dhe televizioni rus.

Qeveria ruse bëri të ditur se do ta shqyrtojë kërkesën. Moska nuk do ta lërë pa përgjigje lutjen e Aksjonovit, tha një punonjës i Kremlinit për agjencinë Interfax.

Në të njëjtën kohë Aksjonov sipas të dhënave të veta ka marrë komandën e forcave të sigurisë në Krime. Trupat e Ministrisë së Brendshme ukrainase, të shërbimit sekret SBU si dhe flota, Mbrojtja Civile dhe shërbime të tjera shtetërore, tani duhet t'i binden urdhrave të tij, tha politikani prorus. Reagimi e forcave të sigurisë deri tani është i panjohur.

Ushtarë të armatosur në Simferopol
Fotografi: Reuters

Rusët kundër përmbysjes në Kiev

Aksjonov mori të enjten e kaluar drejtimin e qeverisë në Simferopol. Krimea prej 60 vjetësh i përket Ukrainës. Shumica e banorëve janë me origjinë ruse dhe nuk e pranojnë përmbyjen e regjimit në Kiev. Në gadishull është e stacionuar flota ruse e Detit të Zi.

Qeveria ukrainase nga ana e saj ka shpallur gjendjen e alarmit për trupat e saj ushtarake në Krime. Rusia së fundi ka stacionuar 6000 ushtarë shtesë në rajon, deklaroi Ministria e Mbrojtjes në Kiev, duke argumentuar shpalljen e gjendjes së alarmit. Të premten flitej ende për 2000 ushtarë të cilët Rusia i kishte dërguar me rrugë ajrore në Krime.

Merkel bën thirrje për ruajtje të integritetit territorial të Ukrainës

Përballë shkallëzimit të situatës në Krime, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar ruajtjen e unitetit në Ukrainë. Në këto ditë duhet bërë gjithçka "që të ruhet integriteti territorial", tha Merkel të shtunën (01.03.2014) në Berlin. Ajo dhe shumë të tjerë po përpiqen për këtë në telefonata të shtumta me Presidentin Vladimir Putin dhe politikanë ukrainas, tha Merkel më tej.

"Ajo që po shohim në Krime na shqetëson", tha Kancelarja. "Duhet bërë gjithçka" që konfliktet "të zgjidhen paqësisht dhe me rrugë diplomatike".

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier i quajti "të rrezikshme" zhvillimet e fundit në Ukrainë, veçanërisht në Krime. "Kush i hedh tani më shumë benzinë zjarrit me fjalë ose vepra, provokon qëllimisht shkallëzimin e situatës", tha Steinmeier. Ai i bëri thirrje Rusisë të respektojë "sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës" si dhe marrëveshjet për flotën e Detit të Zi. Steinmeier i bëri thirrje BE-së të formulojë shpejt një qendrim të përbashkët përballë situatës në Ukrainë.

Obama paralajmëron

Njoftimet për këto lëvizje trupash janë bërë shkas që Presidenti amerikan Barack Obama t'i drejtojë një paralajmërim të qartë homologut të tij rus. Një ndërhyrje ushtarake e Rusisë në Krime do të ketë "çmimin" e vet, tha Obama në një konferencë për shtyp në Uashington. "Çdo cënim i sovranitetit dhe kufijve të Ukrainës do të ishte thellësisht destabilizues". SHBA po e vëzhgojnë me shumë vëmendje situatën, theksoi Presidenti Obama.

Presidenti amerikan Barack Obama
Obama paralajmëron Rusinë: Ndërhyrja në Krime do të ketë "çmimin" e vetFotografi: picture-alliance/dpa

Në njoftimet e korrespondentëve nga Uashingtoni, të cilët i referohen qarqeve qeveritare, thuhet më tej se SHBA po mendojnë që në rast të një misioni ushtarak rus, të anulojnë samitin e grupit të shtatë vendeve kryesore të industrializuara dhe Rusisë , G8, në qershor në Soçi. Për këtë po zhvillohen konsultime dhe me vendet evropiane partnere. Qeveria amerikane po mendon edhe shkurtimin e marrëdhënieve të biznesit me Rusinë dhe ndërprerjen e bisedimeve aktuale për tregtinë.