1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120510 GB Cameron

12 Maj 2010

Britania e Madhe ka një kryeministër të ri dhe për herë të parë pas Luftës së dytë Botërore sërish një qeveri koalicioni: David Cameron nga Partia Konservatore e kthen partinë e tij pas 13 vitesh sërish në pushtet.

https://p.dw.com/p/NM1u
Kryeministri i ri britanik, David Cameron me të shoqen, Samantha-n para Downing Street 10
Kryeministri i ri britanik, David Cameron me të shoqen, Samantha-n para Downing Street 10Fotografi: AP

Pas pesë ditë negociatash intensive dhe pasi ishin shqyrtuar të gjitha koalicionet e mundshme, në fund gjithçka u zhvillua shumë shpejt: pasi të martën pasdite (11.05.) dështuan përpjekjet e fundit të Partisë Laburiste për të mbetur në pushtet me ndihmën e Partisë Liberaldemokrate, Gordon Brown u dorëzua dhe i hapi rrugë pasardhësit të tij. Dhe menjëherë pas gjysëm ore, kryeministri në largim mori nga mbretëresha miratimin për largimin e tij, ndërsa 43 vjeçari Cameron kërkesën për të formuar një qeveri të re.

Britania e Madhe ndodhet para sfidave të mëdha

David Cameron është kryeministri i 14-të dhe pas dy javësh ai do të mbajë fjalimin e parë në parlament. Të njëjtën ditë duhet të zhvillohet edhe votimi i parë në parlamentin e ri, por ai pritet të kalohet pa problem nga David Cameron, pasi ai paralajmëroi mbrëmë se: Ne ndodhemi para sfidave të mëdha, deficitit, problemeve sociale dhe reformimit të sistemit politik:

Mbretëresha Elisabet II i jep Cameronit detyrën për formimin e qeverisë së re
Mbretëresha Elisabet II i jep Cameronit detyrën për formimin e qeverisë së reFotografi: AP

"Prandaj dua të formoj një koalicion të duhur dhe të plotë mes konservatorëve dhe liberaldemokratëve. Nick Clegg dhe unë jemi të dy udhëheqës që do të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake dhe do të punojnë me forcë për të mirën e përbashkët dhe interesin kombëtar."

Kështu u bë e qartë se liberalët janë joshur për pjesëmarrje në pushtet me konservatorët, edhe pse linjat politike të dy partive janë shumë larg njëra tjetrës. Të martën në mbrëmje (11.05.) lideri i liberalëve Clegg për vendimin e tij u desh të marrë edhe miratimin e deputetëve të partisë së tij. Megjithatë nuk dihet ende se çfarë lëshimesh i janë bërë atij nga konservatorët. Dhe ndryshe prej asaj që është zakon në Gjermani, partneri i vogël në koalicion në Britaninë e Madhe mbetet jashtë posteve të mëdha në qeveri. Postin e ministrit të Financave do ta marrë George Osborne një bashkëpuntor i ngushtë politik i David Cameronit. Ministria e Jashtme do të drejtohet nga William Hague, i cili i takon krahut të djathtë të partisë, të njohur si kritik i BE-së.

Nick Clegg pritet të marrë postin e zëvendëskryeministrit, një post ky pa forcë pushteti dhe detyra. David Cameron megjithë triumfin kujtoi në deklaratën e parë publike para së gjithash për kohët e vështira me të cilat po ballafaqohet vendi. Andaj detyrat e qeverisë së tij do të jenë:

"...ballafaqimi me sfida të mëdha, trajtimi i problemeve, marrja e vendimeve të vështira dhe përfshirja e qytetarëve në këto vendime në mënyrë që bashkarisht të arrijmë kohë më të mira."

Laburistët kërkojnë pasardhësin e Brown-it

Nga udhëheqja e Partisë Laburiste dje askush nuk u shfaq para kamerave. Pasi Gordon Brown-i paralajmëroi se do të heqë dorë edhe nga drejtimi i partisë, laburistët filluan menjëherë të kërkojnë një pasardhës të tij.

Me dorëheqjen e Brown-it përfundon pas 13 vitesh epoka e Partisë së Re Laburiste. Në fjalën e tij Brown kujtoi edhe njëherë vizionet që ai dhe partia e tij kishin për vendin e tyre:

"Unë e kam dashur këtë post, jo për shkak të privilegjeve dhe ceremonive, të cilat nuk më pëlqejnë aspak, por për shkak të mundësive që ofron ai për ta bërë këtë vend tolerant, demokratik, të gjelbër, të pasur dhe të drejtë."

Autor: Barbara Wessel/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi