1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Neue Regierung in Bulgarien

Alexander Andreev / Pandeli Pani29 Maj 2013

Qeveria e re bullgare përbëhet kryesisht nga ekspertë. Dhe pavarësisht disa supozimeve ajo nuk është me orientim pro rus, por ka një qëndrim të qartë pro evropian.

https://p.dw.com/p/18gEK
Kryeministri i ri bullgar Plamen Oresharski
Fotografi: BGNES

Ishte një lindje e vështirë, sepse pas zgjedhjeve të parakohshme më 12 maj në Bullgari nuk pati raporte të qarta pushteti. Edhe pse partia e krahut të djathtë GERB fitoi shumicën e vendeve në parlament, ato nuk qenë të mjaftueshme për të formuar një qeveri dhe ajo nuk po gjente dot një partner koalicioni. Partia socialiste BSP dhe Partia e pakicës turke DPS fituan së bashku 120 vende në parlament, saktësisht gjysmën e deputetëve. Në mënyrë që të formonin qeverinë ata kishin nevojë për të paktën një votë tjetër, dhe këtë ua dha partia e katërt e përfaqësuar në parlament, Ataka, një parti populiste, e cila është kundër BE-së.

Mesazhe drejt Evropës

Tani që qeveria e re u krijua mesazhet e saj të para iu drejtuan Evropës. Nga njëra anë qeveria do të përpiqet të rivendosë stabilitetin politik pas trazirave dimrin e kaluar dhe të vazhdojë masat e rrepta të kursimit. Kryeministri Plamen Oresharski, një ekspert i njohur financiar, dhe i besuari i tij i ngushtë, ministri i Financave Peter Tschobanov, janë për stabilitet financiar gjë që e ka bërë Bullgarinë një nxënës model të BE-së në lidhje me borxhin shtetëror.

Nga ana tjetër, qeveria e re vendosi një theks të veçantë në reformat e gjyqësorit dhe përdorimin transparent të fondeve të BE-së. Një sinjal i qartë në këtë drejtim është forcimi i ministres së Drejtësisë që do të jetë edhe zëvendëskryeministre e vendit, thotë politologu Daniel Smilov, i cili shton edhe se me rëndësi është dhe "fakti që ky post i besohet ish-kreut të delegacionit të BE në Sofje, Zinaida Zlatanova, e cila si zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, është përgjegjëse edhe për fondet e BE-së. Kjo zgjedhje është në vetvete një premtim se Bullgaria ka ndërmend t'i mbajë angazhimet ndaj BE-së dhe t'i përdorë më mirë fondet e BE-së. "

Juristja Zlatanova, e cila nuk i takon asnjë partie politike, do të kujdeset kryesisht për sundimin e ligjit në Bullgari. Janë pikërisht problemet e mëdha në gjyqësor dhe korrupsioni ende i shfrenuar që e bënë Komisionin Evropian që të vazhdojë t'i mbajë nën vëzhgim Bullgarinë sikurse dhe Rumaninë. Probleme ka me pavarësinë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve si dhe procedurat e prokurimeve dhe tenderave publikë. Disa vëzhgues mendojnë se qeveria e re në Bullgari mund të hakmerret ndaj pushtetmbajtësve të mëparshëm të partisë GERB.

Problematike mbështetja tek populistët

Kryeministri Plamen Oresharski dhe kabineti i tij i sapozgjedhur
Premtime të vështira për t'u realizuar - qeveria e Oresharskit nuk do ta ketë të lehtëFotografi: NIKOLAY DOYCHINOV/AFP/Getty Images

Qeveria e re do të duhet të vazhdojë masat e kursimeve dhe në këtë pikë qeveria e Oresharskit do të ketë probleme me partinë populiste Ataka. Kjo parti sot reklamohet si kundërshtare e globalizimit dhe mbrojtëse e të varfërve. Kjo qe edhe dilema e shefit të socialistëve Sergei Stanishev, i cili është edhe kryetari i socialistëve evropianë, dhe i cili ndër të tjera ia la postin e kryeministrit Oshareskit, me shpresë se ky duke mos qenë shumë i spikatur politikisht, do të marrë mbështetjen e partisë Ataka. Por edhe kjo parti gjendet në një pozicion konfliktuoz, sepse "ajo është një parti parlamentare, dhe madje edhe në pushtet, dhe në të njëjtën kohë një formacion kundër sistemit dhe shkatërruese e parlamentarizmit."

Qëllime kontradiktore

Qeveria e re bullgare, e cila përbëhet kryesisht nga ekspertë duket se në këtë sfond do ta ketë të vështirë të ketë një mbështetje të qëndrueshme politike në parlament. Edhe vetëm për këtë shkak qeverisja në Bullgari do të jetë e vështirë. Kjo do të bëhet edhe më e komplikuar, në qoftë se kryeministri i ri do të mundohet t'i realizojë të gjitha ato që ka shpallur, sepse ato janë pjesërisht kontradiktore.

Kështu ai vërtet dëshiron të kursejë dhe të stabilizojë financat, por në të njëjtën kohë njoftoi se do ta industrializojë përsëri vendin dhe do të luftojë papunësinë. Ose ai do t'i ulë çmimet e energjisë, sepse kjo është dhe tema kryesore në Bullgari dhe shqetësimi kryesor i Atakës. Por për këtë ai duhet të hapë dyert për interesat ruse të energjisë në Bullgari dhe të vërë sërish në jetë centralin e dytë bërthamor mjaft të diskutueshëm në Belene - edhe ky një projekt rus - pa marrë parasysh shqetësimet e popullatës dhe të Brukselit.

Sociologu Vasil Garnizov beson se kjo mospërputhje është në natyrën e kësaj qeverie: "Kjo nuk është as një qeveri koalicioni, e as thjesht partiake, dhe qeveria nuk anon as më tepër majtas, por është lënë disi në qendër, duke mbajtur të hapura shumë opsione politike të krahut të djathtë." Pavarësisht disa supozimeve ajo nuk është me orientim pro rus, por ka një qëndrim të qartë pro evropian, kjo sidomos me emërimin e ish-përfaqësueses së BE-sä Zlatanova Zinaida. "Prandaj," mendon Garnizov, "qeveria nuk është aq e keqe sa mund të kishte qenë dhe madje është shumë më e mirë, nga sa kishte pritur shumëkush."