1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170309 Frankreich NATO

17 Mars 2009

Qeveria franceze kërkon sot (7.3.) votëbesimin në parlament. Shkak është vendimi i presidentit të vendit Nikolas Sarkozy për rikthimin e Francës në strukturat komanduese të Aleancës Veriatlantike NATO.

https://p.dw.com/p/HE5S
Franca po rikthehet në strukturat transatlantike
Franca po rikthehet në strukturat transatlantikeFotografi: DW/AP

Rikthimi në strukturat drejtuese të NATO-s mbështetet në sondazhe

Për Francën është një hap historik. Me rikthimin e plotë në NATO mbyllet një kapitull i historisë franceze. Sipas sondazheve shumica e popullatës janë për heqjen dorë nga roli i veçantë që ka vendi i tyre. Kalimtarë në Paris:

"Franca edhe tani bën pjesë në NATO. Dallimi do të jetë vetëm se ne do të kemi ndikim në drejtimin e saj. Ne kemi qenë gjithnjë anëtarë dhe kemi marrë pjesë në misione. Në parim nuk do të ndryshojë asgjë, mendoj unë".

"Brezi im - më të moshuarit - në të vërtetë nuk janë për këtë. Ndoshta Franca pastaj nuk do të jetë shumë e pavarur prej vendimmarrësve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ne më mirë do të ishte që të silleshim pak më të përmbajtur".

"Kam përshtypjen se nuk do të ndryshojë asgjë për francezët. Për ne e rëndësishme është ushtria jonë. Unë nuk mund ta vlerësoj se a është një zgjedhje e mirë kthimi në NATO".

Presidenti Sarkozi synon më shumë ndikim në rrafshin ndërkombëtar

Po, ky është një vendim i mirë, për këtë është i bindur presidenti francez Nikolas Sarkozy. Ai dëshiron që vendi i tij të ketë më shumë ndikim në rrafshin ndërkombëtar si dhe më shumë poste komanduese në Aleancën transatlantike. Ai punon pandërprerë në këtë drejtim. Një prej argumenteve kryesore të tij është:

"Ne dërgojmë ushtarë, ne rrezikojmë jetën e tyre, por ne nuk bëjmë pjesë në instancën e cila përcakton qëllimet dhe strategjitë. Ka ardhur momenti që kësaj t'i japim fund: Franca duhet të bashkëvendosë, në vend që të pranojë vendimet e të tjerëve".

Kritikët: Perëndimi nuk ndodhet më në qendër të vemendjes së botës.

Në këtë mënyrë do t'i rritet vlera rolit të evropianëve në NATO, thotë Sarkozy. Por kështu nuk mendon kundërshtari i presidentit Sarkozy, ish-kryeministri Dominique de Villepin. Momenti për t'u rikthyer në strukturat komanduese ushtarake të NATO-s, sipas tij, është i gabuar. Bota ndërkohë ka ndryshuar:

"Perëndimi nuk ndodhet më në qendër të vemendjes së botës. Përse duhet që Franca në këto momente të përqëndrohet tek vendet perëndimore? Natyrisht që gjeografikisht ne jemi pjesë e Perëndimit dhe e Aleancës transatlantike, por e gjitha nuk mund të kufizohet me kaq. Ne jemi edhe një vend lidhës i Lindjes me Jugun".

A e humbet Franca kështu pavarësinë kundrejt SHBA?

Rreth 40 deputetë konservatorë janë të këtij mendimi. Ata druhen që Franca humb kështu pavarësinë kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kritikat të ashpra dëgjohen sidomos nga opozita e majtë dhe politikani i qendrës Francois Bayrou.

"Gjatë luftës së Irakut ne francezët ishim në gjendje të themi 'JO' , ndërsa tani po e shesim kot këtë pavarësi".

Presidenti francez: Franca ruan pavarësinë atomike

Sarkozy reagon me fjalë të qarta ndaj akuzave të drejtuara kundër tij:

"Disa thonë se vendimi im është një tradhti ndaj gjeneralit de Gaulle, një afrim i madh me Uashingtonin dhe nëse do të ishim në strukturat komanduese ushtarake do të duhej të kishim marrë pjesë më 2003 në luftën e Irakut. Gënjeshtra, gënjeshtra, të pavërteta".

Dhe ai thekson: Franca do t'i ruajë dhe zotërojë edhe më tej armët e saj atomike, duke ruajtur me këtë pavarësinë e saj bërthamore. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme edhe për gjeneralin De Gol, kur vendosi 43 vjet më parë daljen e vendit të tij nga struktura ushtarake komanduese.

Autor: Claudia Deeg/ Paris/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi