1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane mbështet kërkesën për raketat Patriot

AG/Arapi/Verbica22 Nëntor 2012

Gjermania e mbështeti menjëherë kërkesën turke për dërgimin raketave Patriot. Turqia i ka drejtuar zyrtarisht një kërkesë NATO-s të mërkurën për stacionimin e raketave të tipit "Patriot" në kufirin me Sirinë.

https://p.dw.com/p/16nhz
Ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere me raketat Patriot
Ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere me raketat PatriotFotografi: picture-alliance/dpa

Qeveria gjermane ka shprehur në parim gatishmërinë për të vendosur raketa mbrojtëse të tipit "Patriot" në kufirin turko-sirian. Jemi të vendosur për t'iu "përgjigjur pozitivisht" kërkesës së partnerit në NATO, Turqisë, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere. Në të njëjtën kohë ai i bëri thirrje parlamentit, që të vendosë për këtë mision në javën e dytë të dhjetorit. Në diskutim është dërgimi i një ose dy njësive gjermane "Patriot" me nga 85 ushtarë. Në kërkesën e saj qeveria në Ankara thekson se përdorimi i raketave mbrojtëse është "thjesht defensiv". Zona kufitare turke është bombarduar disa herë nga ana siriane.

Guido Westerwelle
Guido WesterwelleFotografi: picture-alliance/dpa

Gjermania, e cila zotëron raketat më moderne të tipit "Patriot", është gati për dërgimin e tyre, bëri të ditur të mërkurën edhe ministri i Jashtëm gjerman, Westerwelle. "I kam porositur ambasadorët që ta pranojnë pozitivisht këtë kërkesë, natyrisht, po qe se plotësohen kushtet", tha Westerwelle. Ndërsa opozita gjermane paralajmëron të mos merren vendime të përshpejtuara. Edhe opozita gjermane duket se nuk do të jetë kundër, megjithëse më parë socialdemokratët SPD kishin kërkuar informimin e gjithanshëm të parlamentit. Politikani socialdemokrat për çështjet e mbrojtjes, Bartels u shpreh për gazetën "Mitteldeutsche Zeitung" se ai pret miratimin e fraksionit socialdemokrat. Kryetari i fraksionit të SPD, Frank-Walter Steinmeier ka thënë se Turqia si partnere e NATO-s ka të drejtën të pretendojë për ndihmë, nëse territoret e saj, apo njerëzit sulmohen dhe kërcënohen seriozisht". Ndërsa Të Gjelbrit janë "skeptikë si më parë" u shpreh zëdhënësi për çështjet e sigurisë, Nouripour. "

NATO trajton së shpejti kërkesën turke

Turqia i ka drejtuar të mërkurën zyrtarisht një kërkesë NATOS për stacionimin e raketave të tipit "Patriot" në kufirin me Sirinë. Këtë e bëri të ditur të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen përmes platformës sociale Twitter. "Një zhvillim i tillë do të rrisë aftësinë mbrojtëse ajrore të Turqisë si edhe të popullatës dhe territorit turk, tha Rasmussen, që premtoi edhe diskutimin shumë të shpejtë të kërkesës turke. Në NATO vetëm Gjermannia, Shtetet e bashkuara dhe Holanda kanë rezerva të raketave Patriot të tipit më modern PAC3.