1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane mbështet risocializimin e viktimave të trafikimit në Kosovë

18 Tetor 2011

Projekti rajonal për mbrojtjen sociale dhe parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore“, financuar nga qeveria gjermane, synon riintegrimin e viktimave të trafikimit në shoqëri.

https://p.dw.com/p/12szW
Aksion i policisë në Kosovë kundër tregtisë me njerëz
Aksion i policisë në Kosovë kundër tregtisë me njerëzFotografi: DW/A.Beqiraj

„Programi Rajonal për Mbrojtjen Sociale dhe Parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore“ mundësuar nga qeveria gjermane në vlere prej 5 milionë eurosh, do të shtrihet në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi. Projekti, i cili do të zgjasë deri në vitin 2015, synon nxitjen e një perspektive të re të të kuptuarit të fenomenit të trafikimit me qenie njerëzore si një sfide shoqërore, me të cilën përballen të gjitha vendet e rajonit: „Ndërsa e veçanta e këtij projekti është se ne nuk do të punojmë direkt me viktimat e trafikimit, por do t´i mbështesim partnerët tanë qeveritarë dhe jo qeveritarë për të siguruar shërbime sa më të mira dhe afatgjata për këtë kategori“, thotë Rrezarta Jashari koordinatore, sipas së cilës programi synon mbështetjen në nivel kombtar me qëllim të fuqizimit të strukturave shoqërore, për të lehtësuar zgjidhje sistematike dhe bërjen e politikave sociale, mbështetjen e mekanizmave të ofrimit të decentralizuar të shërbimeve sociale në nivel rajonal, shtetëror dhe komunal nëpërmjet institucioneve qeveritare dhe joqeveritare; mbështetje direkte te masave për perfshirjen sociale të të prekurve nga dukuria e trafikimit, si dhe bashkepunimin rajonal dhe koordinimin e mekanizmit lidhur me dimensionin social të trafikimit të qenieve njerëzore.

Projekti i GIZ-së vjen në kohën dhe vendin e duhur

Gebäude der GIZ
Fotografi: DW/A.Beqiraj

Dhe kjo është pikërisht çfarë mungonte në përpjekjet për luftimin e këtij fenomeni, thotë Rrahim Tërrnava, nga Zyra e Koordinatorit Nacional, në kuader të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës: „Projekti i GIZ-së është shumë i qelluar dhe vjen pikërisht aty, ku ne kemi pas nevojë dhe ka qënë mangësi dhe sfidë për neve pas dencetralizimit të komunave me ligjin e ri. Ndërsa GIZ-i do të ndikojë në parandalimin e viktimave të trafikimit dhe gjithashtu do të ndihmojë në risocializimin e viktimave të trafikimit, duke marrë parasysh se organizata është me një përvojë shumë të gjërë në skemën socilale, në përgjithësi“.

Sipas koordinatores Jashari aktivitetet brenda programit do të koordinohen ngushtë me Zyrën e Koordinatorit Kombëtar dhe në harmoni të plotë me Strategjinë dhe Planin e Veprimit Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore 2011-2014.

„Gjithmonë e kemi parasysh se bashkëpunimi ynë do të mundësojë një bashkëpunim rajonal të disa strukturave për luftimin e kësaj dukurie negative, jo vetëm në nivel shtetëror, por edhe në nivel rajonal, sepse siç e dimë, ky është një krim i organizuar dhe kërkon një pergjigje me gjithëpërfshirëse dhe më të gjërë“, thote koordinatorja Jashari.

Në raportin e DASH-it për luftën kundër trafikimit Kosova në kategorinë e dytë

Rrezarta Jashari GIZ Koordinatore e projekteve
Rrezarta Jashari GIZ Koordinatore e projekteveFotografi: DW/A.Beqiraj

Në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit Amerikan për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, në të cilin vlerësohen përpjekjet e qeverive të 180 vendeve për luftimin e kësaj forme të krimit, Kosova është radhitur në kategorinë e dytë. Por edhe pse krahasuar me rajonin, Kosova në plotësimin e standardeve, por edhe ne risocializimin e viktimave të trafikimit radhitet para Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë, shqetësuses mbetet rritja e trafikimit të të miturve, thotë z. Terrnava: "Viktimat e trafikimit në tri vitet e fundit janë nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare dhe për këtë arsye kemi fut një shtyllë për mbrojtjen e fëmijëve. Ndërsa me një menaxhim të integruar të kufirit kemi arrit të mos jemi më vend për ardhjen e viktimave të trafikimit nga vendet e ndryshme, siç kemi qënë më heret. Mirëpo shqetësuese për ne mbetet rritja e numrit të viktimave vendore, krahasuar me të kalaurën.“

Deri më tani 146 trafikantë të arrestuar dhe 28 viktima të identifikuara

Sipas Drejtorisë së Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore të Policisë së Kosovës gjatë vitit 2011 janë zhvilluar 211 operacione policore, të cilat kanë rezultuar me 146 arrestime për trafikim,108 prej të cilëve meshkuj dhe 38 femra, me ç´rast janë identifikuar 28 viktima pjesa dërmuese prej të cilave, të mitur. Strategjia për Luftimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Plani i Veprimit 2011-2014, është një përpjekje e re për luftimin e kësaj dukurie pas strategjisë së 2008-tës, zbatimin e së cilës e kanë zbehur ngecjet e gjyqësorit, thotë për DW-në z. Tërrnava, sipas të cilit ndëshkimet për trafikantët deri në 8 vjet janë tejet të vogla dhe kjo ishte arsyeja që në shtyllen e ndëshkimit të strategjisë të detajizohen aktivitete shtesë, ndër të cilat edhe raportimi për secilin rast, monitorimi i gjyqtarëve, si dhe raportimi pas ekzekutimit të vendimit për trafikantët.

Bashkëpunimi rajonal në nivel derisa nuk ndërhyn politika

Rahim Terrnava, Zyra e Kordinatorit kombëtar në Ministrinë e Pun%ve të Brendshme
Rahim Terrnava, Zyra e Kordinatorit kombëtar në Ministrinë e Pun%ve të BrendshmeFotografi: DW/A.Beqiraj

Ndërkohë bashkëpunimi institucional është gjithnje e më në rritje, përderisa bashkëpunimi nderrajonal ngec në rastet kur perzihet politika, thotë z.Terrnava: „Bashkëpunimi me të gjitha shtetet është shumë i mirë, madje edhe me sistemin prokurorial serb, përveç kur ndërhyn politika. Por nëse trafikimi është i ndërlidhur me Serbinë, atëherë ndërhyn zyra e EULEKS-it në Beograd dhe nuk mbesim pa e çu deri në fund hetimin dhe pa e dhënë ndëshkimin“.

Me fushaten e sivjeme të ministrisë së Punëve të Brendshme kundër-trafikimit me moton „Vepro Tani-Nuk ka drejtësi pa ndihmën tuaj“, u bëhet thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, qytetarëve dhe masmedias, që fenomeni të luftohet bashkarisht. Përderisa risocializimi i viktimave është një problem më vete, i cili synohet të arrihet me aktivititet e parapara nga programi i GIZ-së gjermane në bashkëpunim me ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ministrinë e Punës dhe Mirqënies Sociale, ku me anë të trajnimeve profesionale, punëtorive dhe forumeve rajonale synohet arritja e një koordinimi dhe bashkëpunimi më të madh kundër kësaj forme të krimit, nga e cila janë të prekura të gjitha shtetet e rajonit.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Angjelina Verbica