1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300710 Fini Berlusconi

31 Korrik 2010

Zënka disa muaj e gjatë mes kryeministrit italian Silvio Berlusconi dhe presidentit të dhomës së deputetëve Gianfranco Fini është shkallëzuar. Kryeministri Berlusconi mund të humbasë shumicën në parlament.

https://p.dw.com/p/OYsk
Gianfranco Fini dhe Silvio Berlusconi
Nga aleatë në kundërshtarë - Gianfranco Fini dhe Silvio BerlusconiFotografi: picture alliance/dpa

Aty pranë dikur ishte zhvilluar procesi gjyqësor kundër Galileo Galileit. Në hotelin luksoz "Minerva" në kryeqytetin italian Romë, Gianfranco Fini dëshmoi se në partinë më të madhe qeveritare në Itali "Populli i Lirisë", diçka po lëviz. Pas muajsh të tërë zënkash mes Finit dhe kryetarit të partisë dhe qeverisë Silvio Berlusconi, njeriu i fortë i Aleancës Nacionale, presidenti i dhomës së deputetëve, u largua nga partia në pushtet.

Berlusconi nuk kupton dhe nuk respekton rregullat e lojës në demokraci

Të enjten (29.7.) brenda dy orësh, dhe pa asnjë mundësi prononcimi, Fini praktikisht u flak nga partia, në themelimin e së cilës kishte kontribuuar. Fini lexoi nga dokumenti që i njoftonte përjashtimin nga partia, akuzat që i bënte kryesia e partisë. Ai sa nuk shpërthente nga ironia me të cilën citonte pasazhet e dokumentit. Ai, tha Fini, ishte "gjykuar fajtor në pikat e mëposhtme":

Gianfranco Fini, president i Dhomës italiane të Deputetëve.
Gianfranco Fini, president i Dhomës italiane të Deputetëve.Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Nënvleftësim apo kundërshtim i vazhdueshëm kundrejt partisë. Kritikë shkatërrimtare ndaj vendimeve të partisë. Sulme sistematike kundër rolit dhe figurës së kryetarit të qeverisë."

Ai të cilit këto formulime i kujtojnë farsat staliniane, nuk e ka plotësisht gabim. Fini, i cili vazhdimisht kishte kërkuar më shumë demokraci dhe transparencë brenda partisë, e fajësoi kryetarin e partisë dhe qeverisë, Silvio Berlusconi se nuk kupton aspak dhe nuk respekton rregullat e lojës në demokraci.

"Sulmi joliberal ndaj demokracisë, që dëshmohet këtu nga deputeti Berlusconi, bëhet i qartë edhe nga ftesa për dorëheqje. Pasi mua, citoj: 'më hiqet besimi i partisë për postin e presidentit të dhomës së deputetëve, pasi nuk jam i denjë ta përmbush këtë detyrë ashtu siç më është besuar nga maxhoranca që fitoi zgjedhjet parlamentare', fundi i citatit. Natyrisht unë nuk do të jap dorëheqjen, pasi kushdo e di që presidenti i dhomës së deputetëve garanton rregullat dhe drejtimin mbipartiak të punës së dhomës së ulët të parlamentit. Ai nuk duhet aspak të sigurojë shumicën e koalicionit që e ka zgjedhur."

Milano, mars 2008 - Fini e Berlusconi së bashku në fushatë elektorale.
Milano, mars 2008 - Fini e Berlusconi së bashku në fushatë elektorale.Fotografi: AP

Berlusconi rrezikon të humbasë shumicën në parlament

Fini tha më tej se nuk e sheh veten si një punonjës të një sipërmarrjeje private. Ai falënderoi përkrahësit e tij brenda partisë, me të cilët ka vendosur të braktisë partinë e Berlusconit. Në të dyja dhomat e parlamentit italian tani krijohet një grup i ri me emrin: "E ardhme dhe liri për Italinë".

Nëse kjo lëvizje do të ndryshojë raportet e maxhorancës në dëm të Berlusconit, kjo varet nga numri i atyre që do të ndjekin Finin, si dhe nga sjellja e kristiandemokratëve, partnerit tjetër në koalicion. Aktualisht ata flasin për "rrethana të turpshme", të cilat janë bërë tani publike.

Dhe vërtet: partia më e madhe qeverisëse në Itali dëshmon se ka një perceptim tronditës për atë që duhet të bëjë numri dy i shtetit. Por ky konstatim nuk është edhe aq i ri. Dhe Fini largohet i dobësuar nga partia që ka bashkëthemeluar: disa anëtarë të ish-partisë së Finit, "Aleanca Nacionale", do të mbeten me Berlusconin. Veç kësaj shtrohet pyetja: a nuk i ka ditur Fini ato që tha të premten (30.7.) për Berlusconin, qysh një vit e gjysmë më parë, kur vendosi të themelonte me të "Popullin e Lirisë"?

Autor: Gregor Hoppe / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj