1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria italiane reziston - një herë për një herë

Kirstin Hausen/Angelina Verbica3 Tetor 2013

Senatorët italianë i dhanë mbështetjen kryeministrit Enrico Letta. Berlusconi duket i mundur. Por gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Sepse kush është ai, që mban ende peng qeverinë? Natyrisht Berlusconi.

https://p.dw.com/p/19tI6
Enrico Letta - kryeministri i ItalisëFotografi: picture-alliance/dpa

Përsëri një shfaqje e madhe. Silvio Berlusconi e di se çfarë i nevojitet për një komplot të mirë. Dhe salla e senatit u kthye edhe një herë në skenë. Pasi e rriti tensionin në shkallë të padurueshme, të mërkurën (02.10.2013) duhej të ishte përballja e madhe mes tij dhe Enrico Lettës. Por pastaj sipërmarrësi i medias dhe udhëheqësi i partisë në rolin e të ligut pak para dymbëdhjetës lëshon pistoletën nga dora dhe i jep bekimin sherifit të ri. Enrico Letta mund të vazhdojë të qeverisë. Edhe me bekimin e Berlusconit.

Humbje apo hile?

A mos ka qenë një hile pikërisht qëllimi i tij dhe përçarja brenda partisë së tij në besnikë të Berluskonit dhe në një grup disident, që mbështet Lettën? Kjo mund të jetë të paktën e mundur, sepse Silvio Berlusconi është i rrahur me vaj e me uthull, qoftë si profesionist në politikë, qoftë si mjeshtër i komunikimit. Me kthesat e habitshme të ditëve të fundit ai tërhoqi plotësisht vemendjen e mediave dhe i sugjeroi opinionit publik se fati i vendit është i lidhur pazgjidhshmërisht me jetën e tij personale.

Tani qeveria nuk u përmbys, përkundër kërcënimeve të Berlusconit. Kundërshtarët e tij e festojnë këtë si fitore dhe kërkojnë fundin e partisë PdL të Berlusconit. Sundon "kaos" dhe "Berlusconi ka humbur kontrollin e partisë", lexon në faqet online të gazetës së përditshme La Repubblica. Ndërkohë qarkullojnë emra të rinj të mundshëm të partisë.

Por jo të gjithë italianët e cilësojnë dështimin e mocionit të mosbesimit kundër qeverisë si humbje të Berlusconit. Gianni Barbacetto i gazetës së pavarur "Il fatto quotidiano" pyet veten se çfarë fitimi do të kishte patur Berlusconi nga një krizë qeveritare, pikërisht dy ditë para një seance në komisionin e imunitetit të senatit, ku do të vendosej, nëse Berlusconit do t'i hiqet vendi në senat. "Sikur të ishte rrëzuar qeveria, Berlusconi do të ishte tani jashtë. Ndërsa tani ai vazhdon të jetë pengmarrësi politik i Italisë." Sepse kështu partia e Berlusconit PdL vazhdon të jetë në koalicion me demokratët e majtë. Dhe ndoshta ata do t'i jenë të premten mirënjohës Berlusconit, duke mos e përjashtuar atë nga senati. Ndoshta Berlusconi donte ta rriste trysninë mbi Lettën para këtij afati të rëndësishëm.

"

Italien Berlusconi Rede im Senat
Silvio Berlusconi gjatë fjalimit të tij në SenatFotografi: picture-alliance/AP Photo

"Koha e kavalierit nuk ka kaluar"

"Berlusconi është akoma Berlusconi. Ai gjen një mënyrë për të shpëtuar", thotë Pino Fabbri, një tregtar këpucësh në Milano. Dhe një kliente me pallto të kuqe të errët thekson se "epoka e kavalierit" nuk ka marrë ende fund. Në zgjedhjet e reja me sistemin aktual zgjedhor, i cili pengon shumica të qarta në të dyja dhomat, ai madje mund të kishte shanse për t'u rizgjedhur. Ky është shkaku, përse presidenti Xhorxhio Napolitano dëshiron sa më shpejt ndryshimin e ligjit zgjedhor, por kjo reformë duhej të ishte bërë prej vitesh dhe askush nuk e kryen atë.

Qeveria Letta do të qëndrojë një herë për një herë dhe kjo qetëson tregjet financiare dhe partnerët evropianë, por Italia nuk ka shpëtuar ende. Ekonomia nuk po e merr veten, strukturat e ngurtësuara mbeten në këmbë për shkak të lobimit të fortë dhe katër ndër dhjetë të rinj italianë janë të papunë. Ky është një rekord i ri. Shumë italianë janë të zhgënjyer nga Letta dhe koalicioni i madh. Dhe Silvio Berlusconi nxit pakënaqësinë duke e akuzuar vazhdimisht partnerin në koalicion PD se nuk dëshiron të marrë mbrapsht ngritjen e taksave nga koha e Mario Montit.

Mendime dhe fakte

Miti i Berlusconi, si njeriu më i pushtetshëm i Italisë, duket se mban në opinionin publik italian. Megjithëse faktet duken ndryshe. Silvio Berlusconi është dënuar me ligj, ai mund të zgjedhë në mes arrestit të shtëpisë dhe shërbimit për komunitetin. Në fund të tetorit vendimi do të zbatohet.

Por faktet nuk luajnë më rol të madh në teatrin surreal, që luhet në skenën politike të vendit. Dhe mediet kanë pjesën e tyre, thotë gazetari Gianni Barbacetto: "Faktet zhduken dhe zëvendësohen nga mendimet. Mendimet kontroverse na shiten si pluralizëm dhe mbulimi i mirë i ngjarjeve."

Në vend që në qendër të informimit të vihen aktivitetet kriminale të Berlusconit, gazetat italiane dhe emisionet televizive interesohen se çfarë pasojash politike do të kenë ato.

Me votëbesimin në parlament, kryeministri Enrico Letta donte të lirohej nga kthetrat e Berlusconit. Por ai mund t'i kthehet në autogol. Sepse në politikën italiane asgjë nuk është falas. Dhe kështu Letta do të duhet të paguajë një çmim për besnikërinë e 235 parlamentarëve. Ndoshta që të premten, kur do të diskutohet për të ardhmen e Berlusconit dhe me të edhe një herë për të ardhmen e gjithë vendit.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17132741,00.html