1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Quo vadis Erdogan? - Luftë për pushtet në Turqi

3 Gusht 2011

Proceset e ndryshimit në politikën e brendëshme të Turqisë kanë arritur një dimension të ri me dorëheqjen e kryesisë së ushtrisë. Partia e kryeministrit Erdogan tani ka një pushtet të fortë si asnjë parti tjetër.

https://p.dw.com/p/129mt
Pamje simbolike
Pamje simbolike

Ish shefi i shtabit Isik Kosaner së bashku me komandantët e ushtrisë së forcave këmbësore, kundërajrore dhe të marinës shkaktoi të premten e kaluar një tërmet të brendshëm politik të përmasave të papara deri tani në Turqi: ata kërkuan me vendosmëri daljen e tyre në pension të parakohshëm. Vetëm Necdet Özel mbajti postin e tij.

Ai është komandant suprem i xhandarmërisë paraushtarake, një degë e veçantë nën komandën e shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura. Ndërkohë ai u bë shefi i ri i forcave tokësore dhe njëkohësisht u emërua ushtrues i detyrës së shefit të shtabit të përgjithshëm. Valët e shokut të tronditjes së brendshme politike në Turqi nuk janë kapërcyer ende, megjithë përpjekjet për zbutje nga ana e Erdoganit dhe presidentit Abdullah Gül. Këshilli i lartë ushtarak u takua të hënën nën kryesimin e Erdogan-it. Më ketë rast në tryezë të bisedimeve munguan për herë të parë pesë nga katërmbëdhjetë gjeneralët e ushtrisë.

Pakënaqësia në radhët e udhëheqjes ushtarake ishte shumë e madhe për faktin se 250 oficerë të lartë ndodhen në paraburgim për shkak të pretendimeve për plane puçiste kundër Erdoganit. Ata ndajnë fatin e gazetarëve dhe intelektualëve të cilët ka shumë muaj dhe disa prej tyre pjesërisht për më shumë se dy vjet janë arrestuar pa e ditur se për çfarë akuzohen në të vërtetë.

Në foto,Baha Güngör
Në foto,Baha Güngör

Në fakt ushtria ishte edhe një bastion kundër ndikimit në rritje të fesë në shtet dhe në shoqëri. Frika për rendin kushtetues sekular në Turqi, i bazuar në parimin e laicizmit, ndarja strikte e shtetit nga feja, po sulmohet. Modernizimi revolucionar i Republikës turke nga themeluesi i saj Mustafa Kemal Ataturk, dhe me të orientimi i paracaktuar perëndimor po thërmohet.

Quo Vadis, Erdogan? Çfarë do të bëj me pushtetin e tij kryeministri autokrat i zgjedhur faktisht në mënyrë demokratike së fundi me gati 50 për qind të votave? Presioni në rritje ndaj atyre që mendojnë ndryshe, ndaj zërave kritikë dhe po ashtu ndaj medieve nuk janë shenja të mira. Nëse partia AKP arrin të bëj për vete edhe disa deputetë nga radhët e opozitës, atëherë Erdogani do të ndryshojë kushtetutën sipas dëshirës së tij dhe përmes një referendumi popullor mund të formojë një republikë presidenciale.

Me tre grushte shtetesh të vërteta që nga viti 1960 dhe ndërhyrje të tjera në proceset demokratike nën kërcënimin me një puç, ushtria turke nuk i ka bërë gjithnjë shërbime të mira vendit. Megjithatë ajo konsiderohej njëkohësisht si garant kundër largimit të Turqisë nga normat perëndimore, nga demokracia dhe sundimi i ligjit. Kjo garanci nuk ekziston më.

Mbetet për t'u parë nëse Erdogani do të veproj arsyeshëm me plotfuqishmërinë e tij. Në rast se në Turqi vjen deri tek dobësimi i demokracisë, atëherë Evropa do të jetë bashkëfajtore. Turqia është zhgënjyer thellë gjatë përpjekjeve të saj për afrim me Bashkimin Evropian. Arsyetimi se për shkak të fesë islame dhe rrënjëve të ndryshme kulturore nuk është ende i mundur anëtarësimi në BE, rezultoi në Turqi me kthimin e drejtimit nga Evropa. Qëllimi i dikurshëm për tu bërë anëtare e BE-së ka kohë që është margjinalizuar. Turqit kanë qenë myslimanë edhe kur vendi i tyre iu bashkua NATO-s dhe më parë Këshillit të Evropës.

Siguria në vete e Turqisë për shkak të fuqisë së saj ekonomike dhe rëndësisë së saj gjeo-strategjike është më e madhe si kurrë më parë. Nëse Erdogan do ta menaxhojë si duhet këtë fuqi mbetet të shihet. Kjo nuk është e garantuar.

Autor: Baha Güngör

Redaktoi: Mimoza Kelmendi