1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Quo vadis Maqedoni: Komisioneri Füle javën e ardhshme në Shkup

2 Shtator 2011

Maqedonia është në pritje të progres-raportit të Komisionit Evropian për vitin 2011. Në bazë të këtij raporti varet edhe caktimi i datës së fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE.

https://p.dw.com/p/12S5P
Nikola Gruevski dhe Stefan Füle gjatë takimit në Bruksel më 24 Mars 2011
Nikola Gruevski dhe Stefan Füle gjatë takimit në Bruksel më 24 Mars 2011Fotografi: MIA

Komisioneri për zgjerimin i Bashkimit Evropian, Stefan Füle në fillim të javë së ardhëshme do të qëndrojë për vizitë në Maqedoni. Kjo është vizita e nivelit më të lartë të një funksionari të BE-së në Shkup, para mbylljes së progresraportit vjetor për Maqedoninë dhe caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Çfarë raporti pret Maqedonia?

Nëse  krahasohen mendimet e pushtetarëve dhe analistëve, pamja është e zbehtë. Zëvëndëskryeministrja për eurointegrimin, Teuta Arifi, thotë se Maqedonia gjatë këtij viti ka përfunduar me sukses një numër të madh të rekomandimeve të Brukselit për reformat. Pavarësisht vështirësive, qeveria e ka strategji prioritare axhendën e eurointegrimeve, thotë zonja Arifi. "Pres një raport realist, i cili do të tregojë në mënyrë të qartë se ku jemi lidhur me Bashkimin Evropian. Mendoj se do ta kalojmë klasën këtë vit , nëse jo me 10-she, me një notë mesatare".

Teuta Arifi zëvendëskryeministre e Maqedonisë
Teuta Arifi zëvendëskryeministre e MaqedonisëFotografi: DW

Administrata publike, gjyqësia, korrupsioni dhe mediat, do të jenë plagët e raportit këtë vit dedikuar përparimit të vendit, thotë Lidija Dimova, nga Qendra Joqeveritare për Arsimim Evropian, e cila për së afërmi ndjek procesin e eurointegrimeve. Sipas saj,  Brukseli është i zhgënjyer nga ajo se si Maqedonia hapëron drejt eurointegrimeve, por edhe nga fakti se si zhvillohen reformat në shtet. Dimova nuk shpreson që të ndodhë ndonjë befasi dhe që në raportin e këtij viti Maqedonisë t'i rekomandohet caktimi i datës për fillimin e negociatave për antarësim në BE.

Fjalët kundër veprave: Kritika ndaj qeverisë

Edhe analisti politik, Ymer Ismaili, nuk është optimist se raporti i KE-së do të jetë  në favor të Maqedonisë. Sipas tij raporti do të përmbajë një gjuhë diplomatike, por më e rëndësishme do të ishte që politikëbërësit në Maqedoni të dinë ta deshifrojnë, ta lexojnë dhe të kuptojnë atë që raporti nënkupton vërtet. “Qeveria  e Maqedonisë nuk është se nuk ka orientim proeuropian sa i takon nivelit verbal, por po të shohim gjërat nga brenda në aspektin funksional përballë asaj që ajo verbalisht deklarohet, gjërat janë në kahjen e gabuar”.

Me raporte ndëretnike të tensionuara, me probleme brenda pozitës dhe opozitës maqedonase, me një ekonomi jashtëzakonisht të rënduar dhe një varfëri të theksuar të qytetarëve, gjasat për një raport pozitiv janë të vogla , vlerëson analisti Ismaili. “Është  iluzore të presësh një raport optimist, nga institucione, të cilat janë shumë objektive në perceptimin e asaj çfarë po ndodh në Republikën e Maqedonisë. Maqedonia  nuk ka shumë kohë për të humbur”. Më 5 Shtator Komisioni Evropian përmbyll raportin për Maqedoninë, i cili publikohet në fillim të muajit Tetor.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi