1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Racizëm në përzgjedhjen e qiraxhinjve

D.Heinrich/Angelina Verbica13 Nëntor 2013

Banesat, që mund të paguhen, janë të pakta në qytetet e mëdha gjermane. Kërkesa për strehim e tejkalon ofertën. Emigrantët e kanë më të vështirë për të gjetur strehim. Ata janë shpesh viktima të paragjykimeve raciste.

https://p.dw.com/p/1AGae
Fotografi: DW/Aygül Cizmecioglu

Nuk i japim banesë me qira një të huaji!", i tha fare hapur pronari i një shtëpie Aysegul Acar-it, kur ajo po kërkonte një banesë të re. Ajo ka ardhur në Gjermani nga Turqia para 30 vjetësh. Ajo thotë se i pëlqen vendi dhe ndjehet këtu si në shtëpi. Por kur tregon për atë që i ka ndodhur, kur kërkonte shtëpi të re, trishtohet: "Unë kam ndërruar tri herë banim në Gjermani. Sa herë kam kërkuar banesë kam patur përvoja të këqia. Në sytë e qiradhënësve gjermanë unë nuk isha person i përshtatshëm. Unë nuk kam mbiemrin e duhur, flas me theks dhe kam një pamje tjetër."

Kaq qartë, sa ç'i është thënë Aysegül Acar-it, ndodh rrallë. Megjithatë shumica e migrantëve në Gjermani ndjehen të diskriminuar, kur u duhet të kërkojnë banesë. Ky ishte rezultati i një sondazhi me rreth 10.000 vetë me sfond migracioni nga këshilli i ekspertëve të fondacioneve gjermane për integrimin.

Sidomos të diskriminuar: Muslimanët dhe afrikanët

Të jetosh në banesë me qira, është e përditshme në Gjermani. Sipas Zyrës Federale të Statistikave këtë e bën më shumë se gjysma e popullsisë. Në qytetet e mëdha të tilla si Berlini dhe Hamburgu tetë nga dhjetë persona banojnë me qira. Sidomos në qendra të tilla urbane strehimi është shumë i kërkuar. Qiradhënësi mund të zgjedhë më të përshtatshmin nga një grup i tërë aplikantësh. Njerëzit me pak të ardhura, si prindërit e vetëm, të papunët, apo studentët shpesh nuk pranohen. Edhe arsyet raciste mund të jenë arsye, që një aplikant të mos pranohet si qiramarrës.

Erinnerungskultur
Fotografi: DW/Aygül Cizmecioglu

Gratë muslimane me shami në kokë dhe afrikanet janë veçanërisht të prekura nga diskriminimi, shpjegon Birte Weiß nga qendra e konsultimit Basis&Woge: "Kur njerëzit nga këto dy grupe vijnë për të parë një shtëpi, qiramarrësit thonë shpesh, "më vjen keq, apartamenti është i zënë."

Basis&Woge në Hamburg është një qendër për ndihmën për viktimat e diskriminimit. Një ndër pesë vetë, që vijnë në qendrën e këshillimit, është diskriminuar në çështjen e strehimit. Shoqata ofron në raste të tilla ndihmë, sidomos në çështjet ligjore. Sepse ligji në Gjermani është në anën e të prekurve. "Në Gjermani, askush nuk mund të diskriminohet për shkak të prejardhjes së tij, racës apo gjinisë. Kjo është e rregulluar në ligjin për trajtimin e barabartë dhe vlen edhe në çështjet e strehimit", thotë Christine Lüders, drejteuse e agjencisë kundër diskriminimit në bisedë me DW. Megjithatë ajo shton se shpesh është e vështirë, që të dëshmohet diskriminimi. Për shkak se shpesh pronarët nuk e thonë hapur se i refuzon për arsye të origjinës, por sjell arsye të tjera.

Një banesë për "zotin Schulz"

Edhe Aysegul Acar nuk ishte e sigurtë, nëse kjo kishte të bënte me prejardhjen e saj, apo thjesht ishte pa fat, kur kërkonte shtëpi. Kjo u sqarua vetëm, kur djalit të saj i erdhi një ide. "Pasi më refuzuan përsëri në telefon, vura një bast me djalin tim. Ai flet gjermanisht shumë mirë, kështu që ai mori në telefon të njëjtin numër disa minuta më vonë. Por me një emër të rremë, ai u paraqit si zoti Schulz ". Dhe me të vërtetë i thanë se banesa ishte e lirë dhe se mund të vinte ta shikonte.

Erinnerungskultur
Fotografi: DW/Aygül Cizmecioglu

Testim, quhet kjo mënyre në zhargonin profesional. "Qëllimi është që të dëshmohet se aplikantët me sfond emigrimi trajtohen ndryshe", thonë nga Basis&Woge. Në qoftë se ka evidenca të tilla, mund të ndërmerren veprime ligjore. Së paku në teori.

Shanse të pakta para gjyqit

Praktikisht shumë pak raste nxirren në gjyq, megjithë mbështetjen e organizatave dhe procedurave si testimi. "Problemi kryesor është se këto procese zgjasin me muaj të tërë. Kjo do të thotë se edhe nëse këtyre njerëzve u jepet apartamenti, është shumë vonë për to", thotë Sebastian Busch. Ai ka përfaqësuar palët e prekura në gjykatë si avokat.

Edhe për Aysegul Acar kishte më rëndësi që të merrte një apartament, se sa të ndiqte një proces të gjatë gjyqësor. Në fund të fundit ajo arriti të gjejë një shtëpi të re, në të cilën ndihet rehat. Megjithatë një shije e keqe mbetet, sepse asnjë gjerman nuk donte ta kishte atë qiramarrëse. Apartamenti, ku ajo jeton tani, është pronë e një spanjolli.