1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Radikalët e djathtë janë një rast për prokurorinë

Volker Wagener21 Tetor 2015

Politika dhe mediet duhet t'u kundërvihen më tepër figurave dhe gjuhës që përdorin grupet radikale të djathta, thotë për DW, prof. Wolfgang Kaschuba.

https://p.dw.com/p/1GrGI
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Förster

Grupe të caktuara brenda shoqërisë gjermane, veçanërisht grupet rdikale të djathta po përpiqen të ngjallin frikën prej refugjatëve. Dhe kjo frikë nuk bazohet tek përjetimet. Askush nuk e ka humbur shtëpinë e tij, askush nuk e ka humbur punën e tij, askujt nuk i është lënduar ndonjë anëtar i familjes prej azilkërkuesve dhe refugjatëve në Gjermani, pra kemi të bëjmë kryesisht me projeksione dhe paragjykime, - thotë për DW-në prof. Wolfgang Kaschuba, antropolog, dhe drejtor i Institutit të Berlinit për studime empirike për migrimin dhe integrimin.

Ai kërkon që politika dhe mediet t'u kundërvihen më tepër figurave dhe gjuhës që përdorin këto grupe, sepse prej tyre mund të krijohen grupe të tjera të cilat prej frikës që krijohet nga emocionalizimi i gjendjes mund të kalojnë në agresion dhe dhunë, sikurse tregoi sulmi ndaj kandidates për kryetare bashkie së fundi në Këln.

Sipas prof. Wolfgang Kaschuba kundërshtarët e refugjatëve mund të klasifikohen sociologjikisht në dy grupe. Njëri janë pasuesit dhe simpatizantë. Ky është grupi më i madh. Shumica e tyre i ka kaluar të 40-t dhe jetojnë në gjendje relativisht të qetë. Ata përballen me skena që nuk i kanë përjetuar kurrë në fshatin apo në qytetin e tyre. Por ata njihen përmes mediave me imazhet dhe sloganet e grupit tjetër që është grup më i vogël. Këta janë njerëz që janë në mënyrë të qartë pjesë e spektrit ekstremist të djathtë, që kanë kauzë të përbashkët me populistët e djathtë. Në këtë mjedis ka edhe elemente të rëndësishme të krimit të organizuar: zjarrvënie, kërcënime, dëmtim prone etj.

Wolfgang Kaschuba
Prof. Wolfgang KaschubaFotografi: picture-alliance/dpa/H. Galuschka

Sipas antropologut Wolfgang Kaschuba me grupe të tilla si Pegida, të cilët kanë një qëndrim të thellë fundamentalist nuk mund të dialogohet. Kjo për shkak se ata nuk thonë "ne kemi një mendim tjetër" por "Ne kemi vetëm mendimin tonë dhe nuk duam të dëgjojmë mendim tjetër." Profesor Kaschuba mendon se duhet të ndahet byku nga gruri, pra duhet të bëhet më e qartë se kushdo që u shkon pas atyrej duhet të llogarisë me pasoja politike dhe ligjore. Sipas tij radikalët e djathtë janë një rast për prokurorinë.

Një vit pas Pegidës Wolfgang Kaschuba thotë se nuk ka më kuptim për politikanët nga qendra apo ata lokalë të cilët nuk janë të vendosur për të kundërshtuar. "Është mjaft e qartë se ne në disa rajone kemi një situatë ku turma përcakton klimën dhe kjo nuk duhet të ndodhë," thekson ai.