1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ragimi i Moskës ndaj NATO-s - Tërheqje e çalë e trupave nga Gjeorgjia

Hermann Krause19 Gusht 2008

Përderisa trupat ruse vazhdojnë të mbajnë të pushtuara pozicionet strategjike në Gjerogji, NATO i ka pezulluar konsultimet e rregullta me Rusinë. Moska e sheh me qetësi këtë vendim.

https://p.dw.com/p/F18X
Zëvendësshefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, gjenerali Anatoli Nogovizin jep çdo ditë konferencë shtypi mbi gjendjen në Jug të KaukazitFotografi: picture-alliance/ dpa

Trupat ruse me sa duket po i lënë kohë vetes në tërheqjen nga Gjeorgjia. Arësyet mund të jenë ushtarake, ose edhe politike, por deri tani nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar për këtë. I vetmi burim informacioni të përditshëm është zëvendësshefi i shtabit të përgjithshëm Anatoli Nogovizin: "Unë edhe një herë e theksoj, që tërheqja e trupave do të vazhdojë. Ne do të përmbushim të gjitha detyrimet e planit gjashtë pikësh dhe do ta kryejmë këtë me një ritëm, që i përgjigjet rrethanave. "


Me sa duket të martën (19.8.) rrethanat lejuan, që tanket të tërhiqen nga qyteti Gori, përreth të cilit ka pasur luftime. Gori – në afërsi të tij ndodhej një bazë ushtarake gjeorgjiane - u bombardua prej aviacionit ushtarak rus, si pasojë gjetën vdekjen shumë civilë. Në fund të javës së kaluar një oficer përgjegjës deklaroi, se policia gjeorgjiane tani mund të marrë sërish kontrollin ndaj qytetit. Por ky ishte një premtim bosh. Edhe në zona të tjera të Gjeorgjisë njoftohet për lëvizje të trupave. Por tani për tani nuk pritet një tërheqje e plotë, sipas vëzhguesve për këtë duhen edhe disa ditë.

Vendimi i ministrave të jashtëm të NATO-s për ta pezulluar bashkëpunimin me Rusinë në Këshillin NATO-Rusia, u komentua nga i ngarkuari i posaçëm rus për NATO-n Dimitri Ragozin me një qëndrim të rezevruar. Ai tha, se nuk sheh ndonjë çarje të madhe mes Rusisë dhe NATO-s. Ministrja e jashtme amerikane, Condoleezza Rice mundi t´ia arrijë qëllimit. Më tej Ragosin deklaroi: "Ne besojmë, që shumë kërcënime ekzistuese kanë karakter të përgjithshëm dhe ato i prekin të gjithë. Por fakt është, që NATO po bën luftë me kapacitet të plotë pikërisht në Afganistan, ndërsa në Irak ndodhen SHBA me aleatët e tyre. Eshtë fakt edhe që këtyre vendeve u duhet të përballen me humbje të mëdha. Njoftimet e fundit nga Afganistani janë shqetësuese. Por çfarë do të bëjë NATO-ja pa ne në Afganistan? "


Faktikisht Rusia u lejon antarëve të NATO-s transportin e mallrave jo ushtarake si ushqime, karburant apo pjesë këmbimi përmes territorit rus. Nëse ky transport bllokohet, kjo do t´i krijojë probleme trupave gjermane. Lidhur me antarësimin e mundshëm të Gjeorgjisë në NATO Ragosin tha: "A e pranojnë politikanët perëndimorë, që presidenti gjeorgjian Shakashvili është një njeri, të cilit nuk duhet t´i japësh dorën, që nën të Gjeorgjia nuk duhet të pranohet në asnjë institucion serioz, që ai duhet të nxirret përpara drejtësisë? Unë nuk besoj, që ato e pranojnë këtë. Por është e rëndësishme, që politikanët perëndimorë në kokat e tyre e kanë kuptuar, se me kë kanë të bëjnë."


Pala ruse reufzon çdo lloj bisedimesh me Shakashvilin. Edhe në Gjeorgji po shtohen zërat, që kërkojnë dorëheqjen e tij. Nga ana tjetër në Moskë për herë të parë ka reaguar opozita liberale. Ajo kritikon ashpër pushtimin e Gjeorgjisë duke theksuar, se udhëheqja ruse qysh prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik është hera e parë që po e çon vendin në prag të izolimit ndërkombëtar.