1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rama, politikanët ballkanikë e Evropa

Beqë Cufaj
26 Prill 2017

Do të shihen politikanët ballkanikë një ditë si ata që e bënë Ballkanin Skandinavi? Beqë Cufaj mendon se deklaratat për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën e afrojnë kryeministrin e Shqipërisë me konfliktualët e rajonit.

https://p.dw.com/p/2bvR2
Beqë Cufaj Journalist Prishtina Flash-Galerie
Fotografi: Jürgen Sieckmeyer

Përfytyrojeni këtë situatë fiktive: disa vite pas Luftës së Dytë Botërore, burra si Konrad Adenauer-i, Winston Churchill-i, Jean Monnet,  Robert Schuman-i, të gjithë të njohur sot si themeluesit dhe baballarët e Evropës së pasluftës, t'i ushqenin asokohe popujt e tyre me reminishencat e moçme. 

Me fjalë të tjera, Konrad Adenauer ta akuzonte Robert Schumann-in se po ëndërron për Francën e madhe. Ose Schumanni ta denonconte Adenauerin se ka nxjerrë nga sirtarët planet naziste për jetësimin e historisë! A do të bëhej Europa një Bashkim? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje do të ishte mësimi më i mirë për politikanët e sotëm nga Ballkani.

Edi Rama, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Aleksandar Vučić, Ivica Dačić, Milorad Dodik, Izetbegović, Georgievski, Zaev, Ivanov… a do të jenë këta politikanët, për të cilët fëmijët e fëmijëve tanë do të mësojnë një ditë në shkolla si për baballarët, që arritën ta bëjnë Ballkanin Skandinavinë apo Baltikun e Evropës Jugperëndimore?

Mençuria kundër urrejtjes

Jo! E them këtë sepse po të lexosh biografitë e liderëve të parë të Unionit dhe ato të politikanëve të sotëm ballkanas, del qartë që një Adenauer apo Schumman kishin vuajtur aq në luftëra, sa arritën ta kuptojnë mençurinë se sa të pakuptimta janë edhe urrejtja edhe konflikti. Burrat nga Ballkani, ende të rinj në moshë, është e pamundur të kenë provuar atë që kanë përjetuar qytetarët e vendeve të cilave u prijnë.  

Sidomos njëri prej tyre s’ka të bëjë me luftëra. Shqiptari Edi Rama. Rama është mbase i vetmi politikan nga ky gadishull, i cili qoftë me të kaluarën e tij prej artisti e publicisti, ashtu edhe mënyrën e ardhjes në pushtet, nuk përdori instrumente nacionaliste. Prandaj ai është mysafir i mirëseardhur në Berlin e Bruksel. Rama, artisti, basketbollisti, politikani. Pa bagazhin e së kaluarës, labirinteve të deklaratave luftënxitëse a nacionaliste, pa urrejtje për popuj të tjerë.

Por ja që edhe Rama, prejse është bërë kryeministër, kohë pas kohe dhe sidomos kur brenda në Shqipëri e ka punën pisk me opozitën, apo kur nga Evropa i vijnë vërejtje për fshatrat Kanabisi, pikërisht ky, katapulton me deklarata që çojnë pluhur. 

Arsyet e deklaratave të Ramës

Nga debatet për ndeshje futbolli Shqipëri-Serbi, përmes kacafytjeve publike me Vuçiqin për Kosovën dhe deri tek deklarata e tij fundit po për Shqipërinë e madhe, rrëshqitje të cilat duket që nuk janë të rastësishme, Rama del që në këto katër vite të të qenit në pushtet, u bë pjesë e politikanëve ndaj të cilëve ndjente vetëm pështirosje, sa ishte artist dhe publicist. Dhe i përqeshte!

Po pse e bën Rama një gjë të tillë, përtej shpjegimit pllakativ se do t’u ikë problemeve të brendshme? Sepse shuma e problemeve, duke filluar nga kundërshtarët e brendshëm (partneri Meta) apo të jashtëm (opozitari Berisha), duke vazhduar me korrupsionin,  kriminalitetin, ekomominë gri, kanabisin, papunësinë, zhduket brenda pak çastesh  me shkopin magjik të retorikës nacionaliste! Këtë gjë e ka mësuar nga kolegët dhe fqinjët e tij.  Sot rrihen Thaçi e Vuçiçi. Nesër shahen Gruevski e Ahmeti. Pasnesër Izetbegoviçi fyhet nga Dodik. Të gjithë njëkohësisht dhe pa ndalur.

Dhe tani dua të marr një shembull që Edi Rama jo rrallë këto mendime i ka patur edhe si sulme për t’u mbrojtur. P.sh. deklarata e tij e fundit për „Shqipërinë e madhe“ vjen pikërisht pasi iu hodh në shportë, publikisht dhe demonstrativisht nga bashkëkombasit e tij në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, propozimi i tij për themelimin e Bashkimit Tregtar Ballkanik. Publicistët e akuzonin për tradhëti kombëtare. Qeveria e Kosovës deklaroi që ideja është kundër interesave shqiptare - nga frika e fuqisë tregtare serbe.

Askush nga Brukseli nuk doli ta mbështesë Ramën për atë ide

Edhe ekspertët më të parëndësishëm të BE-së, "on record" dhe "off record" e denoncojnë Ramën për “Shqipërinë e Madhe“. Ajo që dua të them: vazhdoj të besoj shumë më shumë në deklaratat e Ramës së frustruar (Shqipëria e madhe), Ramës pragmatik (Bashkimi Tregtar Ballkanik), Ramës së dëshpëruar (me krizën dhe krizat në Tiranë), sesa që dua t’u besoj vizioneve apo premtimeve, dëshirave apo planeve të Vuçiqit, Thaçit, Ivanovit, Dodikut… Sepse është e kaluara e tyre me plot njolla, ajo që duhet të na bëjë të shohim me shumë dyshim çdo gjë që bëjnë apo flasin këta politikanë.

Luhatjet e Ramës mes retorikës nacionalishte dhe vizioneve për një Ballkan europian janë dridhje, të cilave çdo qenie njerëzore e ka zor t’u dalë përballë. Tek e fundit, të jesh artist dhe pastaj të bëhesh politikan, shtoi kësaj edhe politikan shqiptar - kjo po që nxit edhe fantazi, por edhe xhelozi. Ramës i duhet mbështetje sepse s’e ka të lehtë. Herë i duhet të jetë mirë me serbët, por shumë më shumë i duhen shqiptarët. Dhe krejt këto nën mbikqyrjen e Brukselit.

Europa edhe kështu vazhdon të jetë larg Ballkanit! Sepse stërpinët politikë të Adenauerit e Schumann-it thjesht s’duan ta kuptojnë që shfaqjet politike si Edi Rama sot, apo Zoran Đinđić dje, paraqesin kërcënim për Ballkanin. Që ky të bëhet pjesë normale e Europës që ata themeluan!