1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mogherini- Kriza e refugjatëve mund të prekë Shqipërinë

Ani Ruci4 Mars 2016

Shqipëria rrezikon të preket nga kriza e refugjatëve. Kryeministri Edi Rama premtoi bashkëpunim për krizën e refugjatëve brenda një plani të përbashkët europian pas takimit me Federica Mogherinin në Tiranë.

https://p.dw.com/p/1I73J
Albanien
Federica Mogherini dhe Edi RamaFotografi: DW/A. Ruci

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaroi mbrëmë pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëherazi edhe Zv. Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, që po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë se “Shqipëria nuk do të hapë kufijtë e saj dhe as do të ngrejë mure” duke iu referuar kontributit të Shqipërisë në përballimin e krizës së rëndë të refugjatëve.

Bashkëpunim për krizën e refugjatëve brenda një plani të përbashkët europian

Duke vënë në dukje mundësitë modeste të Shqipërisë për të kontribuar në situatën e rënduar të refugjatëve, kryeministri Rama tha se “Shqipëria është një vend i vogël, por asnjëherë nuk i ka bërë bisht përgjegjësisë së vet në çdo sfidë të përbashkët me partnerët tanë, qoftë në NATO, qoftë në BE. Pa as më të voglin dyshim mbetemi të gatshëm që të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë edhe në sfidën e refugjatëve. Por nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që s'kemi as fuqinë, nuk kemi as delirin që mund të shpëtojmë Europën, apo mund të shpëtojmë botën, të vetëm. Nuk do të hapim kufijtë dhe nuk do të ngremë mure. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë, brenda një plani të përbashkët europian”.

Albanien Federica Mogerini und Ditmir Bushati
Federica Mogherini dhe Ditmir BushatiFotografi: DW/A. Ruci

Sfida e refugjatëve- sfidë europiane

Ai i cilësoi jashtë kontekstit të bashkëpunimit vendimet e njëanshme të vendeve të BE për përballimin e krizës së refugjatëve dhe njëherazi që nuk mund t'i imponohen Shqipërisë. “Vendime unilaterale të vendeve të tjera janë pa lidhje me atë çka na takon të bëjmë të gjithë së bashku dhe nga ana tjetër nuk mund të jenë në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë imponim për ne. Kjo është një sfidë euopiane, nuk është sfida e Greqisë, nuk është sfida e Italisë, nuk mund të jetë dhe s'ka si të jetë sfida e Ballkanit dhe aq më pak e Shqipërisë. Kjo është sfida e Bashkimit Europian, brenda të cilit jemi edhe ne”, theksoi Rama.

Mogherini- Kriza e refugjatëve mund të prekë Shqipërinë

Por edhe pse Shqipëria nuk do të hapë kufijtë e saj për refugjatët , ajo nuk mund të shmangë mundësinë e prekjes nga kriza e refugjatëve në situatën aktuale kur Maqedonia ka mbyllur kufijtë e saj me Greqinë dhe Serbinë. “Ekzistojnë shenjat e para që kriza e refugjatëve mund të preke Shqipërinë” tha mbrëmë në Tiranë, Federica Mogherini.

Ajo theksoi rrezikun potencial të terrorizmit dhe radikalizmi, që mund të shoqërojë krizën e refugjatëve. “Terrorizmi dhe radikalizmi janë një kërcënim që askush prej nesh nuk mund ta injorojë. Duhet të jemi se bashku dhe jemi së bashku në këtë luftë. Zgjerim i BE do të thotë që jemi të gjithë së bashku dhe gjejmë zgjidhje për problem të përbashkët” tha mbrëmë Federica Mogherini.

Marrëveshje mes BE dhe Shqipërisë për shkëmbim të informacionit të klasifikuar

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe BE-së në fushën e sigurisë, mbrëmë në Tiranë, Mogherini dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Bushati, nënshkruan një marrëveshje mes Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shqipërisë mbi procedurat e sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Marrëveshja e krijon kushtet që institucionet shtetërore të Shqipërisë të lidhin marrëveshje me BE për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar të niveleve më të larta të klasifikimit të sigurisë.