1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raportet mes Serbisë dhe BE gjatë vitit 2010

30 Dhjetor 2010

Viti 2010 shënoi disa ngjarje të rëndësishme për Serbinë: heqja e vizave për në vendet e Shengenit; vendimi i BE për fillimin e procesit të ratifikimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim.

https://p.dw.com/p/zrWB
Kryeminsitri serb Mirko Cvetkovic dhe komisioneri për zgjerimin në BE Štefan Füle.
Kryeminsitri serb Mirko Cvetkovic dhe komisioneri për zgjerimin në BE Štefan Füle.Fotografi: DW

Presidenca spanjolle e mbështeti në fillim të vitit vendosjen e bashkëpunimit më të ngushtë me Serbinë. Zëdhënësja e kësaj presidence, Kristina Galak deklaroi: "Spanja do të donte që Serbia sa më shpejt të jetë sa më afër BE-së. Vullneti politik nuk do të mungojë, sikur nuk do të mungojnë as aktivitetet politike në këtë drejtim, por një vullnet i tillë duhet të ekzistojë tek të gjitha vendet anëtare të BE-së".

Bashkëpunimi me gjykatën e Hagës kusht për afrimin me BE-në

Për afrimin e Serbisë me BE, sikur edhe për të gjitha vendet tjera, i nevojshëm është konsensusi i të gjitha 27 vendeve anëtare. Rolin kryesor në këtë rrugë e ka bashkëpunimi i Serbisë me Tribunalin e Hagës. Prokurori Brammertz në qershor në Luksemburg u shpreh se bashkëpunimi i Beogradit me Tribunalin është në një nivel të mirë, "por kanë mbetur edhe disa gjëra për t'u bërë", sepse "arrestimi i të akuzuarve për krime lufte nuk ka ndonjë alternativë". Ndonëse nuk ka përfunduar bashkëpunimi me këtë gjykatë, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, me 14 qershori i dhanë dritën jeshile fillimit të procesit për ratifikimin me Serbinë të Marrëveshjes për Stabilizilim dhe Asociim.

Presidenti serb Boris dhe e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton.
Presidenti serb Boris dhe e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton.Fotografi: Marina Maksimovic

„Kemi konstatuar që Serbia duhet të vazhdojë përpjekjet për bashkëpunim me Tribunalin, ndërsa Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim do t'u dërgohet vendeve anëtare të BE-së për rafitikim. Duam që të përparojmë raportet dhe kemi përshëndetur gatishmërinë e Beogradit, që të paraqesë kandidaturën për anëtarësim", u shpreh Catherine Ashton. Jozyrtarisht u mësua se në samitin e qershorit kundër afrimit të BE-së me Serbinë ishin vetëm tre vende.

Një prej sprovave më të rëndësishme për Serbinë dhe raportet me BE-në gjatë vitit 2010 ishte mendimi këshilldhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në korrik konstatoi se pavarësia e Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Brukseli kumtoi se ky vendim mund të paraqesë hapjen e një faze të re bashkëpunimi mes Serbisë dhe Kosovës. BE-ja ofroi ndihmë në hartimin e rezolutës së Beogradit për Serbinë, e cila u paraqit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Por Beogradi në fund të korrikut paraqiti një rezolutë të vetën, me të cilën kërkohen negociata të reja për statusin e Kosovës, që shkaktoi kritika të ashpra në Bruksel.

Beogradi pranon rezolutën e pregatitur me Brukselin

Në fillim të shtatorit, pas negociatave dhe presioneve të shumta nga qarqet evropiane, Beogradi megjithatë pranoi që në Nju Jork të shkojë me një rezolutë të përgatitur së bashku me Brukselin. Marrëveshja u arrit pas bisedimeve të presidentit të Serbisë Boris Tadiq me shefen e diplomacisë evropiane, Chaterine Ashton, me 6 shtator. Ashton tha se "marrëveshja është arritur mes 28 vendeve evropiane - 27 anëtareve të BE-së dhe Serbisë.

„Vendimi i presidentit Tadiq, që në OKB ë shkojë me një rezolutë të përbashkët është përshëndetur prej të gjitha shteteve anëtare si dhe prej Kosovës dhe paraqet një sukses të madh për Serbinë", u shpreh Ashton.

Ministri i jashtëm i Finlandës Aleksandar Shtub, theksoi se: "Presidenti Tadiq me këtë hap ka marrë një përgjegjësi të madhe politike në skenën e brendëshme politike. Marrëveshja është një hap i mirë, ndërsa tani duhet të shikojmë përpara dhe të punojmë për afrimin e Sebisë me BE".

Sinjal i ri për përparimin në rrugën drejt BE-së

Rezoluta e Serbisë e harmonizuar me Brukselin është miratuar në Nju Jork, në asamblenë e përgjithshme të OKB-së me 9 shtator, kur u bë e ditur se me ndërmjetësimin e BE-së do të fillojë një dialog i ri mes Beogradit dhe Prishtinës, për çështjet teknike.

Komisioneri për zgjerimin Stefan Füle tha, se miratimi i kësaj rezolute paraqet një sinjal të ri për përparimin e Serbisë drejt BE-së:

„Respektoj hapin e guximshëm të autoirteteve serbe me rastin e kësaj rezolute. Jam dakord me të gjithë ata që thonë se ka ardhur momenti për një fillim të ri në raportet me Serbinë dhe për afrimin e saj me BE-në."

Kryeprokurori i OKB-së në Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Serge Brammertz.
Kryeprokurori i OKB-së në Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Serge Brammertz.Fotografi: AP

Kundër afrimit të BE-së me Serbinë u deklarua pak më vonë Holanda. Parlamenti i saj vendosi që kandidatura e Serbisë të mos pranohet para raportit të dhjetorit për bashkëpunimin e saj me Trinunalin e Hagës. Holanda kërkoi që vendimet me Serbinë të merren me konsensus të plotë.

Në nëntor Serbia mori pyetësorin e BE-së me të cilin konstatohet gatishmëria e një vendi për fillimin e procesit të anëtarësimit në BE. Komisioni Evropian njëkohësisht me dërgimin e pyetësorit, kërkoi prej Serbisë vazhdimin e reformave në sistemin e drejtësisë, përfundimin e bashkëpunimit të plotë me Tribunalin e Hagës dhe një luftë më të denjë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Brammertz tha se Serbia duhet të bëjë më shumë për arrestimin e Ratko Mlladiqit dhe Goran Haxhiqit.

„Aspekti më problematik në bashkëpunimin me Tribunalin është që Mlladiqi dhe Haxhiqi ende janë të lirë. Mes deklaratave politike dhe gatishmërisë për veprim ende ekziston një dallim i madh. Nuk them se nuk po bëhet asgjë, por ende ka vend për përmirësime", theksoi prokurori i Tribunalit të Hagës.

Autoritetet serbe kanë bërë të ditur, se në pyetësorin e BE-së do të përgjigjen deri në fund të janarit të vitit 2011. Ato shpresojnë se më pas shumë shpejt do të caktohet edhe dita e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

Autor: Marina Maksiomoviq / Bahri Cani

Redakoi: Eliana Xhani