1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti i zgjedhjeve me aspekte pozitive dhe negative

16 Shtator 2009

Raporti përfundimtar i ekipit të vëzhguesve të OSBE ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri po përcillet më reagime të ndryshme nga përfaqësuesit e politikës në Tiranë.

https://p.dw.com/p/JhFm
Logo e ODIHR - Office for Democratic Institutions and Human Rights, OSZE
OSBE ODIHR-i ka konsideruar si progres regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit

Në 36 faqe të konkluzioneve të ndërkombëtarëve janë evidentuar si aspekte pozitive ashtu dhe negative. OSBE ODIHR-i ka konsideruar si progres regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit, strukturën ligjore të miratuar me konsensus nga dy partitë e mëdha, PD e PS etj. Por raporti kritikon politizimin e aspekteve teknike të procesit, si gjatë numërimit, ashtu dhe për deklarimin e votave. Këto ndërhyrje të politikës kanë sjellë jo pak herë bllokime të procedurave dhe "kanë minuar besimin e publikut në procesin zgjedhor. Ndërsa u arritën shumë kërkesa të OSBE-së, këto zgjedhje nuk e realizuan plotësisht potencialin e mundshëm të Shqipërisë, për t`iu përmbajtur standarteve më të larta për zgjedhje demokratike," thuhet mes të tjerave në raportin përfundimtar.

Zgjedhjet në Shqipëri.
OSBE ODIHR i rekomandon klasës politike shqiptare të marrë përgjegjësitë.Fotografi: AP

Kryeministri Sali Berisha e përshkroi raportin e OSBE ODIHR-it si objektiv dhe më të mirin që është formuluar deri më sot. "Ç`ka është kapitale është se raporti thekson se nuk ka patur prova për numërim të parregullt, apo manipulim të rezultatit. Ky është raporti më i mirë që është lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri. Ky raport është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon dhe Evropë. Qëllimi madhor u realizua. Shqipëria nuk është më delja e zezë e Ballkanit për zgjedhjet jo të mira".

Sipas kryeministrit çdo vërejtje dhe rekomandim i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë do të jetë objekt i punës së qeverisë për përmirësime. Ai ka ftuar shefin e opozitës Edi Rama, që ta lexojë me kujdes raportin e OSBE ODIHR-it dhe të heqë dorë nga akuzat dhe kërkesat absurde dhe deputetët e PS të kthehen në parlament.

Por, shefi i opozitës Edi Rama shprehet se raporti konfirmon mosarritjen e standarteve. Kështu PS gjen në këtë raport, sipas tij një rikonfirmim për qëndrimet që ka mbajtur deri më tani. Duke lënë të nënkuptohet se marrëdhënia e kushtëzuar me parlamentin do të vazhdojë. "Është e ditur se 28 qershorin ne e kemi konsideruar si një shans të humbur për të gjithë, por në rradhë të parë për qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi anëtar të NATO-s, që me keto zgjedhje të arrinin standartet që arrihen në një vend anëtar të NATO-s".

Ndërkohë eksperti i çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume, shikon në raportin e OSBE ODIHR-it një këndvështrim të ri të ecurisë së procesit të 28 qershorit. Sipas tij, për herë të parë ndërkombëtarët kanë si pikë referimi standartet e larta dhe jo si herë të tjera kur "lupa" e tyre ishte më shumë në arritjen ose jo të kushteve bazë. Në "leximin" e tij të raportit Kume veçon raportet e politikës me procesin zgjedhor. "Vëzhguesit ndërkombëtarë tërheqin vëmendjen ndaj klasës politike për sjelljen e saj ndaj këtij procesi. Sjellje, që ka arritur deri atje sa të eklipsojë dhe errësojë arritje goxha të mëdha në përgatitjen e infrastrukturës dhe ecurinë e procesit. Për më tepër, kjo ngarkesë politike e vënë re ka bërë, që në raportin e OSBE ODIHR-it të vendoset dhe një rekomandim, që është cilësisht i ndryshëm nga të mëparshmit. Që i bëhet klasës politike shqiptare për të marrë dhe për të zhvilluar përgjegjësi të plota për menaxhimin në funksion dhe në përputhje me ligjin".

Zgjedhjet në Shqipëri.
OSBE-së, këto zgjedhje nuk e realizuan plotësisht potencialin e mundshëm të ShqipërisëOSBEFotografi: AP

Në radhën e përmirësimeve që nevojiten për proceset e ardhshme zgjedhore në Shqipëri, Kristaq Kume thotë se duhet rishikuar karakteri politik i komisioneve të votimit dhe numërimit. Administrata zgjedhore, sipas tij nuk duhet të jetë 100 përqind me përbërje politike. "Të rishikohen ato nene të Kodit që kanë të bëjnë me këtë administratë. Kur ajo është me përfaqësim politik, që ju ka krijuar mundësi partive që në procesin e kaluar të ndërhyjnë aq sa kanë errësuar goxha arritje të tjera, na bëjnë të mendojmë se duhen trajtuar mundësi për zgjidhje të tjera.Të fillohet puna për depolitizimin e administratës zgjedhore".

Kume thotë se për mjaft aspekte të ndërtimit të infrastrukturës elektorale puna e Komisionit Qëndror i Zgjedhjeve duhet të nisë qysh tani dhe jo të ecet me traditën e vendimeve në sekondat e fundit.

Autor : Arben Muka

Redaktoi : Aida Cama