1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raundi i 21 Thaçi - Daçiq pa ndonjë zgjidhje

MArina Maksimoviç / Bahri Cani28 Janar 2014

Takimi i 21-të mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq përfundoi pa rezultate konkrete. U bisedua edhe për arrestimin e Ivanoviqit.

https://p.dw.com/p/1AyRQ
Treffen Ashton, Thaci und Dacic
Fotografi: European External Action Service

Çështja më e rëndësishme e pazgjidhur ende mbetet pa përgjigje. Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq deklaroi pas takimit në Bruksel (28.01.2014) se marrëveshja parashikon që organet e drejtësisë dhe të policisë në veri duhet të jenë në përrputhje me përbërjen e popullatës. "Kur kemi parasysh kërkesat që në këtë rajon të përfshihen shtatë dhe jo vetëm katër komunat me shumicë serbe në rajonin e Mitrovicës, dhe kur kihet parasysh kërkesa që të ketë vetëm një gjykatë, atëherë duhet të kërkojmë zgjidhje të tjera, të cilat u garantojnë serbëve procese të drejta dhe garantojnë funksionimin e organeve të drejtësisë dhe të prokurorisë“, tha Daçiq, pas përfundimit të takimit në Bruksel të hënën (27.01.2014) natën.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë kanë bërë përpjekje që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për Gjykatën në veri edhe në fund të vitit të kaluar. Në raportin e paraqitur në Bashkimin Evropian, me të cilin sugjerohej hapja e negociatave për anëtarësimin e Serbisë, ndërmjetësuesja Chaterine Ashton pohonte se "kanë mbetur edhe pak gjëra pa u sqaruar rreth gjykatave në Mitrovicë“. Por në Kosovë "do të ekzistojë një Gjykatë e Apelit, ndërsa në Mitrovicë Gjykata dhe prokurori i gjykatës, përmes të cilave organet serbe të drejtësisë për herë të parë dhe përgjithmonë do të integroheshin në sistemin juridik të Kosovës“.

Arrestimi i Ivanoviqit cënon procesin zgjedhor?

Në raundin e 21 të bisedimeve në nivelin e kryeministrave u trajtua edhe përsëritja e zgjedhjeve në veri të Mitrovicës. "Kemi biseduar për funksionalizimin e mëtejmë të komunave në veri të Kosovës dhe për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Mitrovicën veriore më 23 shkurt", bëri të ditur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke shtuar se "të gjitha zgjidhjet do të zhvillohen në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.“

Beogradi pret që zgjedhjet të përsëriten pa probleme, por "shumë i befasishëm dhe negativ" vlerësohet arrestimi i Oliver Ivanoviqit, njërit prej kandidatëve për kryetar të komuës së Mitrovicës veriore, i cili akuzohet për krime lufte. "Kemi kërkuar informacione të plota, veçanërisht kur dihet se ai ka qenë kandidat për kryetar komune dhe përsëri do të ishte në zgjedhjet që do të përsëriten. Afati për dorëzimin e kandidaturave skadon të mërkurën. Ndaj shpresojmë që ky arrestim nuk do të pengoj procesin zgjedhor në Mitrovicën veriore", theksoi Daçiq. Ndërkohë që përfaqësuesit e BE-së nuk deshën të prononcohen për arrestimin e Ivanoviqit nga ana e misionit të BE-së në Kosovë (Eulex).