1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagim ndaj deklaratës së OKB-së

15 Prill 2009

Koreja e Veriut ndërpret bisedimet mbi programin e saj bërthamor

https://p.dw.com/p/HX8k
Kjo mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (13.04.09) dënoi nisjen e raketës nga Koreja e Veriut të hënën.Fotografi: AP

Koreja e Veriut po shkëputet plotësisht nga bisedimet gjashtëpalëshe, të cilat synonin ta shkëpusnin këtë vend komunist nga programi i tij bërthamor. Ministria e Jashtme e Phenianit kërcënoi të martën me rifillimin e aktiviteteve atomike dhe protestoi kundër një deklarate të KS të OKB-së, e cila dënonte lëshimin më të fundit të një rakete koreanoveriore. Prej vitit 2003 zhvillonin negociata në kuadër të bisedimeve gjashtëvendëshe Koreja e Veriut, SHBA, Rusia, Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut.


Refuzimi i Phenianit erdhi një ditë më vonë. Të hënën, diplomatët e OKB-së shpresonin akoma se bisedimet gjashtëpalëshe përfaqësonin elementin qendror për dialogun e mëtejshëm me Korenë e Veriut. I ngarkuari me funksionin e presidentit të KS të OKB-së, ambasadori i Meksikës në OKB, Claude Heller, tha pas miratimit të deklaratës së presidentit në New York:


"Është shumë e rëndësishme të shihet, që deklarata e presidentit hedh vështrimin edhe nga e ardhmja dhe bën thirrje edhe për rifillimin e bisedimeve gjashtëvendëshe. Këto janë forma më e përshtatshme, për të gjetur një zgjidhje paqësore për çarmatimin bërthamor në gadishullin korean."


Që të martën në mëngjes, agjencia koreanoveriore e lajmeve KCNA informoi se bisedimet nuk janë më të nevojshme dhe se Koreja e Veriut nuk do të marrë "kurrë më" pjesë në to. KS shkeli me keqdashje sovranitetin e vendit, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme. Koreja e Veriut sipas deklaratës nuk kishte alternativë tjetër, veç shtimit edhe më tej të frikësimit bërthamor.


Reagimi i Phenianit ishte i parashikueshëm, thotë Dr. Markus Tidten. Ai është ekspert për Korenë e Veriut në Fondacionin Shkencë dhe Politikë në Berlin.


"Koreja e Veriut reagoi kaq shpejt, sepse e bëri të qartë që në fillim, se çdo marrje e KS me këtë problematikë do ta konsideronte si shpallje lufte dhe do të reagonte menjëherë. Ishte e parashikueshme, që ata të thoshin, duam të shkëputemi nga bisedimet gjashtëpalëshe, nuk duam të vazhdojmë."


Nordkorea Rakete Satellitenbild
Pamje satelitore e vendit prej nga u lëshua raketa e fundit nga Koreja e Veriut.Fotografi: AP

Gjithsej gjashtë raunde u zhvilluan prej vitit 2003. Rezultate konkrete megjithatë nuk pati. Kundërshtitë në mendime ishin të pakapërcyeshme, megjithë përpjekjet diplomatike. Në raundin e fundit të bisedimeve të vitit 2007, shtetet patën rënë dakord që programi bërthamor i Koresë së Veriut të mbyllet gradualisht. Si shpërblim, Pheniani do të merrte ndër të tjera furnizim me vajguri për ngrohje. Qeveria e SHBA e hoqi Korenë e Veriut nga lista e të ashtuquajturave "shtete burime të destabilitetit". Por vënia në jetë e kësaj marrëveshjeje herë pas here ngecte. Dr. Markus Tidten:


"Koreja e Veriut rëndohet në çdo raund të bisedimeve gjashtëpalëshe me kërkesa të reja shtesë në lidhje me aksesin e inspektorëve ndërkombëtarë në pajisjet bërthamore. Regjimit i duhet të hapet në shumë vende. Prandaj, deklarata se nuk do të marrim më pjesë në bisedime është masa e vetme mbrojtëse, që mund të marrë Koreja e Veriut. Për humbje të madhe nuk mund të bëhet fjalë. Sepse vetëm në fazën përfundimtare, po të ishte arritur me të vërtetë një marrëveshje e bisedimeve gjashtëpalëshe, do të kishte pasur kuptim që bisedimet të vazhdojnë."


Bashkësia ndërkombëtare reagon me ashpërsi për lajmin më të fundit nga Koreja e Veriut. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë shpalli se SHBA do të punojnë me aleatët dhe partnerët edhe më tej për një shuarje të konfirmueshme të programit atomik të Koresë së Veriut. Rusia bëri thirrje për t'u kthyer në tryezën e negociatave. Kina kërkoi vazhdimin e procesit të negociatave, por kundërshtoi sanksione më të ashpra kundër Koresë së Veriut.

Autor: Gui Hao / Miao Tian / Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj