1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080811 Finanzmärkte Reaktionen Deutschland

9 Gusht 2011

Qeveria gjermane theksoi se vendimet e takimit të nivelit të lartë të BE nuk do të ndryshohen. Opozita akuzon qeverinë për politika ekonomike të gabuara.

https://p.dw.com/p/12Dhz
Christoph Steegmans; vendësi i zëdhënësit të qeverisë gjermane
Christoph Steegmans,Zëvendësi i zëdhënësit të qeverisë gjermaneFotografi: picture-alliance/ dpa

Zëvendësi i zëdhënësit të qeverisë gjermane, Christoph Steegmans u tregua fjalëpak kur u pyet për vlerësimin e gjendjes ekonomike. Deklaratës së kancelares Angela Merkel dhe të presidentit francez Nikolas Sarkozy të së dielës ai nuk ka ç'ti shtojë, tha ai para gazetarëve në Berlin. Dhe përsëriti edhe njëherë pikat qendrore të deklaratës:

"Bëhet fjalë që solidariteti të lidhet me kondicionalitet. Bëhet fjalë për tri pjesë përbërëse si instrumenta: për një program parandalues, për mundësinë e rikapitalizimit të institucioneve financiare dhe për mundësinë e ndërhyrjes në tregje sekondare. Një ndërhyrje mund të bëhet pas një analize të BQE dhe pas aprovimit njëzëri me një vendim të shteteve anëtare."

Me fjalë të tjera: vendimet e takimit të nivelit të lartë të BE të fundit të korrikut nuk do të ndryshohen. Ato u vunë në jetë, tha Steegmans. Deklarata e Merkelit dhe Sarkozisë sinjalizon besueshmëri.

Steegmansi kërkoi durim për zgjidhjen e krizës së borxheve. Ajo nuk do të kapërcehet në plan afatshkurtër, por vetëm në plan afatgjatë.

Kritikë ndaj politikës së qeverisë gjermane erdhi nga radhët e opozitës. Kryetari i PSDGJ, Sigmar Gabriel i akuzoi për dështim shefat e shteteve dhe të qeverive të BE:

"Evropa e sotme dështon nga qeveritë e saj konservatore dhe neoliberale. Në to bën pjesë edhe qeveria federale e Angela Merkelit."

Gabrieli kërkoi futjen e një takse për transaksionet financiare. Ajo do të sillte të paktën 100 miliardë euro çdo vit. Paratë pastaj mund të përdoren për investime në Evropën Jugore dhe Lindore. Kështu mund të krijohen vende pune dhe të nxitet konjuktura, tha ai.

Autor: Bettina Marx/Auron Dodi

Redaktoi: Mimoza Cika Kelmendi