1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime ndaj planit grek për ngritjen e gardhit kufitar

4 Janar 2011

Prej ngritjes së gardhit në kufitin me Turqinë distancohet edhe Brukseli. Ai shpreh dyshimin për efikasitetin e tij. Athina shprehet e vendosur t’i japë fund fluksit të klandestinëve, që arrijnë në 1 milionë vetë.

https://p.dw.com/p/ztKu
Emigrantë ilegalë në një kamp në Kyprinos, në rajonin Evros, në kufirin greko-turk, 05 nëntor 2010.Fotografi: picture alliance / dpa

Greqia shprehet e vendosur për materializimin e masës së shpallur prej ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, Kristos Papucis, në prag të Vitit të Ri për ngritjen e një gardhi rrethues 12.5 km të gjatë prej telash me gjëmba në ultësirën e lumit Evros, në kufirin e saj me Turqinë, për parandalimin e fluksit të emigrantëve klandestinë afrikanoaziatikë. “Në Greqi do të mbeten vetëm ata, që gëzojnë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare dhe të drejtën e azilit politik në vendin tonë, asnjë tjetër”, ishte deklarata e ministrit, kur paralajmëroi masën e qeverisë dhe e njejta frymë përshkon edhe komunikatën e tij të zgjeruar, ku mbron nevojen e një mjeti të tillë parandalues si “një masë e ligjshme” e vendit të tij.

Qeveria greke do t'i presë rrugën fluksit të refugjatëve

Fluss Evros
Delta e lumit Evros, pranë kufirit greko-turkFotografi: AP

Duke iu referuar edhe një herë përmasave të mëdha të fluksit të klandestinëve, që aktualisht në vend arrijnë pothuajse në 1 milion vetë, në komunikatë thuhet se vetëm “katër vitet e fundit numri i tyre arriti në 512. 000 vetë. Vetëm nga Turqia dhjetëmujorin e parë të vitit 2010 kanë hyrë rreth 50.000 imigrantë klandestinë, nga të cilët 43.500 nga lumi Evros”. Në këto kushte ministri kërkon mirëkuptim ndaj kursit të shpallur, të cilin e quan “obligim absolut ndaj qytetarëve grekë, por edhe vlerave evropiane” dhe u përgjigjet zërave kritikë, brenda por edhe jashtë vendit, kryesisht të medias përfshirë edhe atë turke, të cilat nuk munguan ndërkohë të shënojnë dhe “të dretën e vendit fqinj të vendosë mënyrën, se si do të mbrojë kufirin e tij”. “Është hipokrizi, kur disa që deri më sot kritikojnë Greqinë se është e pafuqishme të mbrojë kufijtë e saj konform Konventës Schengen, të shfaqen tani si kritizerë të saj për shkak se dëshiron një gjë të vetëkuptueshme, të përforcojë mbrojtjen e kufirit të saj”, thekson ministri Papucis duke fotografuar kështu në radhë të parë opozitën e djathtë të Neodemokracisë.

Kritikë nga opozita greke

Flüchtlinge protestieren in Athen
Refugjatë nga Afganistani dhe Irani protestojnë duke kërkuar azil politik para Ministrisë për Mbrojtjen e Qytetarit Athinë, 20 dhjetor 2010.Fotografi: picture alliance / dpa

“Me masa të vetmuara dhe arnime si telat me gjëmba në Evro nuk zgjidhet problemi i madh i emigracionit klandestin”, deklaroi zëdhënësi i opozitës së djathtë, Panos Panajotopullos. Partia Komuniste bën fjalë për “trajtim çnjerëzor të refugjatëve” duke kujtuar 65.000 kërkesat pezull të azilantëve dhe kujton se e vetmja zgjidhje do të ishte “hapja e portave për eksod të gjithë imigrantëve në drejtim të vendeve të tjera evropiane”, gjë që refuzohet edhe një herë nga ministri në komunikatën e tij. Ai ndërkohë kujton se Greqia lufton për rishikimin e Rregullores së Dublinit II, që detyron Greqinë të ripranojë klandestinët, që nëpërmjet territorit të saj, të cilin e përdorin si trambolinë, përfundojnë në vendet evropiane. Partia e majtë SINASPISMOS bën fjalë për një “kreshento të re raciste kundër imigrantëve”, kurse akoma edhe partia nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor duke sjellë si shembull përqëndrimin e madh të klandestinëve në qendër të Athinës shpreh dyshime për efikasitetin e masës dhe shënon: “Këtu nuk mund të thurin Shën Panteleimonin, do të thurin Evron?”. Për masë spektakulare dhe jo efikase folën dhe krerë të pushtetit vendor të zonës së Evros, duke kujtuar se kufiri tokësor me Turqinë është 20 herë më i madh se gardhi i planifikuar.

Kritikë nga Brukseli

Bosnien EU Cecilia Malmström in Sarajevo Integration
Komisionerja evropiane Cecilia MalmstroemFotografi: AP

Më shumë se reagimet në fjalë ajo, çka e proekupon Athinën, është distancimi i Brukselit zyrtar nga masa e ngritjes së gardhit, i shprehur prej zëdhenësit të komisioneres evropiane, Cecilia Malmstrom, e cila muajin nëntor inspektoi patrullimet e trupës mbrojtëse evropiane FRONTEX në lumin Evro. “Gardhet nëpër botë kanë treguar se është një masë afatshkurtër”, tha Michele Cerkone dhe shtoi se “Brukseli nuk është informuar zyrtarisht për masën greke”. Njëkohësisht kujtoi edhe një herë triptikun e reformave të thella dhe afatgjata, që kërkoi muajt e fundit nga Athina Brukseli për zgjidhjen e problemit dhe përfshijnë menaxhimin më të mirë të kufijve, trajtimin më të mirë të flukseve të imigracionit dhe krijimin e një sistemi të qëndrueshëm azili politik.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica