1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime: Nga 26 Maji bota më e drejtë - Arrestohet i shumëkërkuari Ratko Mlladiq

27 Maj 2011

Lajmin e konfirmoi vetë presidenti serb, Boris Tadiq. Arrestimi i Mlladiqit bën pjesë në kushtet kryesore të afrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian.

https://p.dw.com/p/11OVN
Ratko MladiqFotografi: picture alliance / dpa

"Në emër të Republikës së Serbisë ju njoftoj se është arrestuar Ratko Mlladiq". Kështu u shpreh presidenti serb Boris Tadiq në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku konfirmoi lajmin e arrestimit të Mlladiqit. Presidenti serb bëri të ditur se Mlladiqi do të dorëzohet në Tribunalin e Hagës ku akuzohet për krime lufte dhe gjenocid në Bonjë Hercegovinë. Në momentin e arrestimit ai është prezantuar me dokumenta fallso të personit me emrin Millorad Komadiq.

Boris Tadic in Brüssel
Boris Tadiq konfirmoi lajminFotografi: DW

Ashton: Mlladiqi në Hagë

Mlladiqi është arrestuar në prag të vizitës së përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e Jashtme, baroneshës Catherine Ashton, e cila kërkoi që ai menjëherë të transferohet në Hagë, ku duhet të përgjigjet ndaj akuzave për krime dhe gjenocid. Tadiq tha se nuk pret ndonjë zhvillim të rëndësishëm apo destablizim të Serbisë për shkak të arrestimit të Mlladiqit. Presidenti serb konfirmoi se Mlladiqi është arrestuar në Serbi por ai nuk deshi të flasë për vendin dhe rrethanat e arrestimit. Ai theksoi se tani do të hetohen të gjitha rrethanat e fshehjes së Mlladiqit dhe do të nxirren para drejtësisë të gjithë ata që e kanë ndihmuar të shumëkërkuarin për krime lufte dhe gjenocid.

"Me arrestimin e Mlladiqit ka përfunduar një faqe e historisë dhe është hapur një mundësi e re që të gjithë së bashku në rajon të punojmë për krijimin e një shoqërie më të mirë dhe me prosperitet për tërë rajonin e Evropës Juglindore. Besoj se me këtë janë hapur dyert e Serbisë për negociata dhe për anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Evropian", theksoi Tadiq duke shtuar se me arrestimin e Mlladiqit është hequr një njollë e zezë nga Serbia, nga qytetarët e saj dhe populli serb kudo në botë.

Ratko Mladic Bosnienkrieg Kriegsverbrechen Flash-Galerie
Ratko Mladiq në vitin 1996, buzëqesh teksa viziton trupat e serbëve boshnjakë në përvjetorin e katërt të krijimit të ushtrisë së serbve boshnjakëFotografi: AP

Reagime të shumta pas arrestimit të Mlladiqit

Presidenti Tadiq iu drejtua gazetarëve edhe në gjuhën angleze dhe kërkoi arrestimin e të gjithë të akuzuarve për krime, të cilët përmenden edhe në raportin e Dick Martyt, për krime dhe tregti me organe njerzore në Kosovë. Lajmi për arrestimin e Ratko Mlladiqit ka shkaktuar reagime të shumta. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen përshëndeti fuqishëm arrestimin dhe gatishmërinë për ekstradimin e Mlladiqit në Hagë. "Arrestimi i Mlladiqit pas 16 viteve ofron mundësinë e fitores së drejtësisë", tha ai. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e cilësoi arrestimin e Mlladiqit një ditë historike për drejtësinë ndërkombëtare. Ban vlerësoi përpjekjet e presidentit serb, Boris Tadiq për kapjen e Mlladiqit. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur Serbinë për arrestimin e të akuzuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq. Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso bëri fjalë për një hap të rëndësishëm përpara për Serbinë dhe drejtësinë ndërkombëtare. Kancelarja gjermane Angela Merkel e cilësoi kapjen e Mlladiqit si një lajm të mirë për Evropën. "Arrestimi i Mlladiqit ishte një hap i rëndësishëm, por edhe një hap i nevojshëm për të qetësuar viktimat e shumta të konflikteve luftarake. Shumë, shumë njerëz kanë pritur gjatë për këtë, prandaj është një lajm i mirë. Sigurisht për Serbinë është hequr një pengesë në afrimin e saj me BE-në", tha Merkel. Ndërsa presidenti amerikan Barack Obama u shpreh se Mlladiqi duhet të përgjigjet pa vonesë para Tribunalit të Hagës. Aty ai do t'u duhet të japë përgjigje viktimave dhe Tribunalit, tha Obama.

Ish - kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Carla del Ponta duke e quajtur këtë një lajm të shkëlqyeshëm tha se nuk ka më asnjë pengesë në rrugën e afrimit të Serbisë me Bashkimin e Evropian. Komisioneri për zgjerimin e BE-së Stefan Füle tha se "ky është një hap historik i Serbisë, e cila po dëshmon se e ka kuptuar mirë esencën dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal".

Carla Del Ponte erhält Theodor-Wanner-Preis 2010
Carla Del Ponte ish- kryeprokurorja e Tribunalit të HagësFotografi: Britta Radike

Akuzat kundër kriminelit të luftës

Mediat serbe njoftojnë se Mlladiqi është arrestuar në afërsi të qytetit Zrenjanin ku po vazhdojnë bastisjet. Ish-komandanti i forcave serbe në Bosnjë-Hercegovinë akuzohet në Tribunalin e Hagës për krime dhe gjenocid, në veçanti akuzohet për masakrën e Srebrenicës, ku brenda një kohe të shkurtër forcat e armatosura serbe nën komandën e tij kanë ekzekutuar rreth 8000 burra myslimanë.

Aktakuza kundër tij është ngritur me 25 korrik të vitit 1995. Përveç për gjenocid në Srebrenicë, Mlladiqi akuzohet edh për fushatë spastrimi, deportimi, për torturime dhe vrasje gjatë luftës së Bosnjë-Hercegovinës. Ai akuzohet edhe për terror dhe rrethimin e Sarajevës në periudhën prej vitit 1992 - 1995.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi