1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime nga Kosova, pas publikimit të Raportit të Progresit

Bekim Shehu8 Tetor 2014

Në Raportin e Progresit autoritetet në Kosovë kritikohen për dështimin në konstituimin e Parlamentin të ri. Megjithëse Komisionit Evropian kërkon që të krijohen sa më shpejt institucionet, kriza politike po thellohet.

https://p.dw.com/p/1DS9v
Atifete Jahjaga dhe Samuell Zhbogar në Prishtinë
Fotografi: DW/B. Shehu

Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka dëshmuar se ka mundësi të mira për koordinimin e veprimeve për integrimet evropiane, sidomos kur bëhet fjalë për fushën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Mirëpo theks i veçantö në raport i është kushtuar zhvillimeve politike në Kosovë, ngërçit politik që ka përfshirë Kosovën që nga mbajtja e zgjedhjeve të tetë qershorit. Në raportin e progresit të Komisionit Evropian autoritetet në Kosovë janë kritikuar për siç thuhet “dështimin me kohë në konstituimin e Parlamentin të ri”. Kjo ngecje është cilësuar “kthim prapa”. “Qeveria e re duhet të fillojë një gamë të gjerë reformash gjithëpërfshirëse, posaçërisht reformën zgjedhore dhe atë të administratës publike. Qytetarët e Kosovës presin të kenë qasje në medie të lira dhe që nuk do të përballen me diskriminim pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare a etnike".

Në Raportin e Progresit, pjesa për Kosovën, më tej thuhet se "Për të pasur sukses, Kosovës i duhet një qeveri jo vetëm e orientuar drejt reformave, por e cila po ashtu do të mbështesë bisedimet me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura jo vetëm në të mirë të Kosovës dhe Serbisë, por edhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Raporti nuk ka lënë anash edhe çështjen e liberalizimit të vizave, ku vlerësohet progresi në këtë drejtim, mirëpo kërkohet nga autoritetet e Kosovës që të dëshmojnë “rezultatet praktike në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të zhvillojnë më tej pavarësinë e sistemit të drejtësisë”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pranoi me datën 08.10 në Prishtinë, Raportin e Progresit për vitin 2014 nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuell Zhbogar. Presidentja Jahjaga mirëpriti Raportin e Progresit për Kosovën duke theksuar se “ky raport vlerëson njohjen e përparimit të arritur të Kosovës në përmbushjen e reformave evropiane në vitin e fundit”. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është e përkushtuar që sfidat e identifikuara në raport të adresohen me seriozitetin më të lartë nga të gjitha institucionet e Kosovës. Edhe presidentja Atifete Jahjaga, ashtu siç theksohet në Raportin e Progresit, thotë se “institucionet e reja me urgjencë duhet të jetësojnë përkushtimin për reforma dhe të adresojnë mangësitë e identifikuara nga ky raport”.

“Presidentja Jahjaga mirëpriti gatishmërinë e Komisionit Evropian për të ndihmuar Kosovën në një fazë të re të marrëdhënieve me BE-në për të intensifikuar dialogun me Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian”, thuhet në deklaratën e presidencës së Kosovës.

Nga ana e tij përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, vlerësoi se “Raporti i Progresit është një raport pozitiv, që vlerëson përmbylljen e suksesshme të procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, progresin e deritanishëm në adresimin e kritereve për liberalizim të vizave, bashkëpunimin me EULEX-in dhe zotimin për krijimin e Gjykatës Speciale, përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe procesin zgjedhor në Kosovë”.

Ndërkohë, megjithë vlerësimin e Komisionit Evropian, që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja në Kosovë, mosmarrëveshjet dhe kriza politike vetëm sa po thellohen. Përfaqësuesit e partive politike në koalicion, LDK, AAK Nisma dhe Vetëvendosja, thanë sot me datën 08.10.2014, se nesër ata do të mbajnë vazhdimin e seancës konstituive të parlamentit të Kosovës, pavarësisht që kryesuesja e seancës Flora Brovina, nuk e ka thirrur atë. Deputetja me e vjetër Flora Brovina pas një takimi, që zhvilloi me përfaqësues të subjekteve politike, tha se “ajo nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e partive në koalicion V-LAN, Vjosa Osmani, tha se të enjten me datën 09.10, do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive. “Përsërita ftesën tonë për të gjithë deputetët, që të marrin pjesë në vazhdimin e seancës, përfshirë këtu edhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Gjithashtu u bëjmë ftesë të gjithë deputetëve, që të diskutojmë dhe përmes fjalës së lirë ta zgjidhim këtë ngërç”, tha Vjosa Osmani.

Sidoqoftë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë javës takoi përfaqësuesit e partive politike në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve për krijimin e institucioneve të Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se “Kosova ka hyrë në një fazë kritike të saj dhe moskrijimi i shpejtë i institucioneve do ta vështirësojë jetën e qytetarëve dhe do ta pengojë funksionimin e përgjithshëm të shtetit”. Presidentja Jahjaga thotë se “shtyrja e zgjidhjes do të vështirësojë funksionimin e institucioneve të vendit si dhe do ta çojë vendin drejt një krize financiare dhe buxhetore”, duke  kërkuar më tej nga liderët politikë që të tregojnë maturi politike dhe të veprojnë në përputhje me kuadrin kushtetues si dhe të ofrojnë zgjidhjet, që do të çojnë drejt ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme dhe avancimit të proceseve demokratike.