1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime për samitin e G7

Christoph Hasselbach10 Qershor 2015

Në Gjermani dhe jashtë saj ka komente pozitive për samitin e G7 në Elmau. Por disa vëzhgues mendojnë se ky është një model i tejkaluar.

https://p.dw.com/p/1FeMR
Fotografi: Melaku Belay

Ajo që i habit më shumë shumicën e komentatorë është njoftimi i G7-s për të hequr dorë krejtësisht nga energjia prej qymyrit, naftës dhe gazit gjatë këtij shekulli. Gazeta nga Hannoveri "Neue Presse" komenton: "Fakti që në fund brohoret edhe Greenpeace, duhet të hyjë në analet e historisë së G7-s" Kurse "Mittelbayerische Zeitung" në Regensburg e lavdëron Merkeli që arriti në radhët e G7-s një deklaratë mbi ndryshimin e klimës që i "tejkalon pritshmëritë". Sidomos Kanadaja dhe Japonia duhej të bindeshin për të hequr dorë nga qymyri.

Ndryshe nga mediat kryetari i grupit parlamentar i Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter, e akuzon kancelarin se luan një lojë të dyfishtë në politikën e klimës. "Drejtuesja e CDU-së gjen fjalë të bukura në Elmau, por ajo nuk përdor fjalë të ashpra brenda radhëve të partisë së saj." tha Hofreiter për gazetën "Neue Osnabrücker Zeitung". Ai iu referua kështu rezistencës së CDU-së dhe CSU-së ndaj kërkesës së zëvendëskancelarit socialdemokrat, Sigmar Gabriel, i cili ka kërkuar një taksë për klimën për termocentralët e vjetër me qymyr.

G7 Gipfel Merkel Abschluss PK
Fotografi: Reuters/M. Rehle

Edhe gazeta franceze "Sud-Ouest" nga Bordoja është mjaft skeptike për rezolutën për klimën: "Mosbesimi është sidomos i justifikuar për shkak se G7 nuk thotë se me çfarë masash konkrete do ta arrijë këtë objektiv. Po ashtu duhet shtuar edhe se Kina, e cila prodhon një të katërtën e gazrave që shkaktojnë efektin serrë në botë, nuk ishte e pranishme në samit."

Krenaria ruse

E përditshmja ruse "Kommersant", ankohet që presidenti rus nuk ishte i pranishëm për herë të dytë në samit. Megjithatë, Putini ishte "personazhi kryesor" i samitit. Gazeta i akuzon udhëheqësit e G7-s që "për herë të parë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik janë përqendruar për të zhvilluar një plan mbrojtjeje kundër Moskës. Nga një grup që zgjidh problemet e ekonomisë globale dhe të zhvillimit, G7 po bëhet një institucion për sanksionimin e ideologjisë dhe të përfytyrimeve perëndimore për botën." Por Rusia, vë në dukje me krenari gazeta, nuk synon më ndonjë version të ri të G8.

Gazeta "Thüringische Landeszeitung" që botohet në Vajmar është gjithashtu skeptike: "Fakti që Rusia ka dëgjuar për kërcënimin me ashpërsimin e sanksioneve nga Elmau, nuk është ndonjë lajm i mirë dhe ushqyen frikën për largimin e mëtejshëm të kampeve dhe një luftë të re të ftohtë."

G7-ta një model i tejkaluar?

G7 Gipfel Schloss Elmau Outreach Konferenz Merkel Bank
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Gazeta "Badische Neueste Nachrichten" nga Karlsruhe ankohet që grupi i shtatë vendeve të industrializuara megjithë fuqinë e tij ekonomike nuk arrin që të shndërrohet në një fuqi politike. "As vendet e G7-s nuk qenë në gjendje t'i ndalin vrajet dhe torturat e IS-it, konflikti në Ukraninë nuk mund të zgjidhet pa Rusinë dhe në krizën në Athinë topi është në fushë e qeverisë së Athinës."

Gazeta "Der Standard" nga Vjena tallet pak: "A po, nga G7-ta doli edhe një deklaratë përfundimtare, që thuajse u harrua të përmendej për shkak të pamjeve kartolinë që shpërndaheshin gjatë gjithë kohës. Formati nuk ka më rëndësinë që kshte dikur. Para 20 vjetësh G7-ta prodhonte 50% të prodhimit ekonomik botëror, sot vetëm një të tretën."

Për gazetën e Ulmit "Südwest-Presse" G7/G8 është "një model i tejkaluar sikurse edhe samiti një ritual, që kapet pas simboleve dhe rregullave të djeshme. Në këtë mes nuk ndihmon as organizimi i tij në një ambient barok idilik në Bavari."

Gazeta e Dyseldorfit "Handelsblatt" shtron pyetjen se cilat do të ishin alternativat: "Të gjithë ata që filluan goditjet populiste para fillimit të samitit duhet të pyesin veten nëse ata preferojnë që t'ua lënë fushën koncerneve globale, shteteve autoritare apo grupe terroriste si Shteti Islamik."