1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deutschland Afghanistan

Nina Werkhäuser21 Tetor 2008

Qeveria gjermane dënoi ashpër atentatin vetëvrasës ndaj ushtrisë gjermane në Afganistan, në të cilin u vranë dje dy ushtarë. Ministri i jashtëm Shtajnmajer dhe ministri i mbrojtjes Jung u shprehën ngushëllimet të afërmve

https://p.dw.com/p/Fe3k
Ministri i mbrojtjes Franz-Josef Jung informon në një konferencë shtypi për vrasjen e ushtarëveFotografi: AP

Për një "atentat të pabesë dhe frikacak" bëri fjalë ministri i mbrojtjes Franc Jozef Jung, i cili ndërpreu mbrëmë pushimet dhe nxitoi drejt Berlinit. Ushtarët gjermanë kanë qenë duke lëvizur në afërsi të qytetit Kundus për të asgjësuar një depo municioni, tha Jung:


"Ushtarët tanë gjendeshin në një automjet të blinduar Mungo. Atentatori vetëvrasës është afruar me biçikletë dhe ka aktivizuar një lëndë të tillë plasëse, saqë përveç ushtarëve tanë janë vrarë edhe këta pesë fëmijë, që luanin përreth."


Janë plagosur edhe një fëmijë dhe dy ushtarë të tjerë gjermanë. Ushtarët e vrarë ishin pjesë e bataljonit parashutist në Cvajbryken dhe ishin dërguar si përforcim në Kundus. Përderisa veriu në përgjithësi është stabilizuar, gjendja në Kundus është bërë më kritike, tha ministri i mbrojtjes. Pavarësisht numrit në rritje të atentateve ai vazhdon ta konsiderojë të domosdoshëm misionin e ushtrisë gjermane.


"Sepse në qoftë se nuk e luftojmë terrorin në Afganistan, atëherë terrori vjen tek ne. Në këtë mënyrë ushtarët tanë japin një kontribut të rëndësishëm për sigurinë tonë."


Ushtria gjermane nuk mund të qëndrojë pafundësisht në Afganistan, mendon politikani Xhem Ëzdemir, kryetari i ardhshëm i të gjelbërve dhe përgjegjës për politikën evropiane dhe kërkon një shpjegim nga kancelarja Angela Merkel. Kolegu i tij partiak Vinfrid Nahtwaj nuk e gjykon të nevojshëm aktualisht debatin mbi tërheqjen:


"Do të ishte një konkluzion krejt i gabuar, të tërhiqje trupat për arsye të këtij atentati të rëndë. Ato vazhdojnë të kërkohen shumë nga pjesa më e madhe e popullsisë. Ato janë të nevojshme për të mbështetur ngritjen e organeve afgane të sigurisë dhe të shtetit."


Vetëm një javë më parë parlamenti gjerman kishte zgjatur misionin në Afganistan deri në dhjetor 2009 duke e rritur numrin maksimal të ushtarëve në 4.500. Kundër votoi deputeti Volfgang Gerke - si edhe gjithë fraksioni i majtë:


"Duhet kuptuar më në fund: Kjo luftë nuk mund të fitohet ushtarakisht, këtë e thonë ndërkohë gjithmonë e më shumë ushtarakë. Duhet investuar në zgjidhje politike, duhet krijuar trysni, që në Afganistan të ketë një konferencë pajtimi. Besoj se ushtarët gjermanë duhen tërhequr nga Afganistani."


Por këtë nuk e planifikon ministri i mbrojtjes. Franc Jozef Jung i përmbahet konceptit të sigurisë së ndërlidhur, bashkëveprimit të ushtrisë me rindërtimin civil.


"Vetëm ushtarakisht nuk do ta fitojmë procesin. Duhet të fitojmë besimin e popullsisë, në mënyrë që ajo të na japë informacione kur ka atentate të tilla."


Sepse, thotë Jung, sado të mira të jenë mbrojtja dhe pajisjet, prej atentateve të pabesa vetëvrasëse ushtarët gjermanë nuk janë të mbrojtur.