1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime pas publikimit të raportit për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

23 Prill 2010

Ndërsa për palën kosovare UNMIK-u nuk ka më ndonjë rol në Kosovë, qeveria e Serbisë thotë se Prishtina zyrtare nuk mund ta anashkalojë UNMIK-un, për sa kohë në Kosovë është në fuqi rezoluta 1244 e KS-it.

https://p.dw.com/p/N4OW
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki MoonFotografi: AP

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës e vlerësojnë si realist raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, i cili shpreh shqetësime për gjendjen e brishtë në veri të Kosovës. Për Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi shqetësimet e sekretarit Ban Ki Mun për veriun, janë shqetësime edhe të qeverisë së Kosovës.

Reagimet e palëve mbi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

Çdo ndihmë e faktorit ndërkombëtar për integrimin e veriut të Kosovës është e mirëseardhur për Prishtinën zyrtare. Kuçi: “Natyrisht që brenga për veriun është brengë e të gjithë neve, por besoj se strategjia për veriun është zhvillimi demokratik në atë pjesë të Kosovës dhe aty presim ta kemi ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe të OKB-së.”

Hajredin Kuci deputy in the Kosovo Regierung Deutsche Welle
Hajredin KuçiFotografi: DW/Bekim Shehu

Qeveria e Kosovës ka kohë që ka hartuar strategjinë për integrimin e veriut të Kosovës, po zbatimi i saj nuk ka filluar ende. Në këtë linjë, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, në raportin e tij, shprehet i shqetësuar për mundësinë e rritjes së tensioneve në veri, po qe se Prishtina zyrtare nuk e zbaton strategjinë në mënyrë transparente, në dialog me komunitetet lokale dhe me palët e tjera relevante.

Kosovo UN-Polizei-Fahrzeug Stacheldraht auf der Brücke über den Fluss Ibar
Gardhet me gjemba roje të qetësisë në veriun e Kosovës. Ban Ki Moon shprehet i shqetësuar për mundësinë e rritjes së tensioneve.Fotografi: AP

Ndërsa zyrtarët e qeverisë së Serbisë, shqetësimin e sekretarit Ban Ki Moon e shohin si një shqetësim real. Sekretari i shtetit në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq kërkon që Prishtina zyrtare të heqë dorë nga planet e njëanshme. “Unë mendoj se, deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për veriun e Kosovës është shumë e qartë. Ju lutem tërhiquni nga deklaratat e njëanshme, nga vendimet dhe hapat e njëanshëm. Çdo veprim i njëanshëm është i dështuar.” Ivanoviq është i mendimit se çdo veprim që ka të bëjë me serbët dhe shqiptarët duhet të zgjidhet me dialog, pa anashkaluar misionin e UNMIK-ut, autoriteti i vetëm i pranueshëm për serbët e Kosovës.

Reagimet e opinionit publik kosovar

Qëndrimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon për veriun e Kosovës, analistët e pavarur në vend i cilësojnë më shumë si qëndrime të karakterit deklarativ. Analisti Driton Lajqi mendon se, Ban Ki Moon ka ftuar të gjitha palët për dialogim që të zgjidhin problemet. Ftesa e tij vlen edhe për "zbatimin e strategjisë së qeverisë së Kosovës, që të bëhet në dialogim me të gjithë faktorët relevantë”, thotë Driton Lajqi.

Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar me UNMIK-un në kohën e hartimit të strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës. Kjo pikë përmendet edhe në raportin për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë mbetet në një pozicion unik, për të lehtësuar dialogun ndermjet bashkësive etnike, thuhet në raport.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi