1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet britanike ndaj azilit për Assange

Torsten Huhn/Esat Ahmeti17 Gusht 2012

Megjithëse Ekuadori i dha azil politik rebelit të interneti, themeluesit të WikiLeaks Julian Assange, debati për daljen e tij pa pengesa nga Britania e Madhe nuk ka përfunduar ende.

https://p.dw.com/p/15ri0
Policia britanike para ambasadës ekuadoriane në Londër
Policia britanike para ambasadës ekuadoriane në LondërFotografi: Reuters

Britania e Madhe është e zhgënjyer nga vendimi i Ekuadorit, për t'i njohur azilin politik Julian Assange. Në ministrinë e Jashtme britanike thuhet se përmes këtij vendimi të Quito-s nuk ndryshon asgjë. Për Assange nuk do të ketë kalim të sigurtë dhe ai do të arrestohet sapo të largohet nga ndërtesa e ambasadës. Britania e Madhe këmbëngul se është një detyrim ligjor për të ekstraduar themeluesin australian të WikiLeaks në Suedi. Kjo do të thotë se Assange është i sigurt nga arrestimi vetëm për aq kohë sa ai do të qëndrojë në ambasadën ekuadoriane. Kështu mbetet çështje e hapur se si do të zgjidhet ky rast.

Thirrje pro Assange
Thirrje pro AssangeFotografi: Reuters

Ekspertja për ekstradimet Rebecca Niblock thekson se "është e vështirë të thuhet se si do të shkojë kjo punë më tej". Sipas saj palët janë futur në një qorrsokak. Avokatja Niblock sqaron se ka pasur një rast që një njeri ka qëndruar me vite të tëra në një ambasadë. Assange ka vetëm dy muaj që është mysafir i përfaqësisë diplomatike ekuadoriane në Londër. "Kemi shembullin e një disidenti hungarez, i cili ka qëndruar për 15 vjet në ambasadën amerikane në Budapest. Por nuk mund të paramendohet që Julian Assange ta bëjë një gjë të tillë", nënvizon Niblock.

Ekspertët kundër paralajmërimeve të ministrisë së Jashtme britanike

Ministria e Jashtme britanike ka kërcënuar në mënyrë indirekte se do të nxjerrë me dhunë nga ndërtesa e ambasadës së Ekuadorit themeluesin e Wikileaks. Në ligjin britanik për shërbimin konsullor ekziston një rregull, i cili lejon heqjen e përkohshme të statusit diplomatik të një ndërtese. Megjithatë shumica e ekspertëve në Londër u shprehën të tmerruar nga një veprim i tillë, sepse ai mund të provokojë hakmarrje kundër ambasadave britanike dhe ambasadave të tjera perëndimore në mbarë botën.

Julian Assange
Julian AssangeFotografi: AP

Në mesin e kritikëve është edhe ish-ambasadori Tony Brenton. "Unë dyshoj se ministria e Jashtme e di se ky ishte një gabim. Ka edhe arsye praktike dhe ligjore që flasin kundër heqjes së imunitetit diplomatik për ndërtesat e ambasadave. Kundërshtimi praktik është (dhe këtu unë flas si një ish-ambasador në Moskë) se në këtë mënyrë diplomatët britanikë mund t'i nënshtrohen një trajtimi të ngjashëm", tha Brenton.

Assange ka kërkuar para shtatë javësh strehim në ambasadën e Ekuadorit sepse Britania e Madhe mund ta ekstradojë në Suedi, ku prokuroria e akuzon për delikte seksuale. Assange ka humbur betejën e tij ligjore në Britaninë e Madhe kundër ekstradimit në të gjitha instancat. Assange ka frikë se suedezët mund ta ekstradojnë atë për në Shtetet e Bashkuara, ku ai, në rastin më të keq për shkak të tradhtisë së sekretit shtetëror mund të përballet me dënimin me vdekje.