1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet në Serbi ndaj dënimit të Gjorgjeviqit

24 Shkurt 2011

Dënimi i Vllastimir Gjorgjeviqit dhe ish udhëheqësve tjerë të lartë në Tribunalin e Hagës dëshmon edhe një herë krimet e forcave serbe. Por a do të thotë kjo se në Hagë është mbyllur kapitulli i krimeve në Kosovë?

https://p.dw.com/p/10OjB
Ish gjenerali i policisë serbe Vlastimir Gjorgjevic para tribunalit të HagësFotografi: AP

Tribunali i Hagës dënoi me 27 vjet heqje lirie gjeneralin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, për shkak të krimeve të bëra në Kosovë. Është ky dënimi i dytë i Tribunalit për krimet e forcave serbe në Kosovë, që paraqet një dëshmi shumë të rëndësishme për krimet, që janë bërë kundër shqiptarëve gjatë viteve 90-të, thotë për Deutsche Wellen Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinki për të drejtat e njeriut në Serbi. Vendimi i gjykatës erdhi në një kohë, kur në Beograd po i kushtohet një vëmendje e madhe raportit të Dick Martyt, për krimet kundër serbëve, shpjegon Biserko.

„Natyrisht që është shumë me rëndësi që pohimet në këtë raport të hetohen deri në fund dhe të verifikohet, nëse ato janë të vërteta. Por ky raport është shfrytëzuar kohët e fundit si alibi për të gjitha ato, që kanë ndodhur gjatë viteve 90-të në Kosovë. Ky vendim i Tribunalit të Hagës na kthen, të paktën për një kohë të shkurtër, tek ajo se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999“, pohon Sonja Biserko.

Nuk është fjala për incidente të veçanta

Internationaler Strafgerichtshof für das ehemalige Jugoslawien
Tribunali i Hagës për krimet e luftësFotografi: ICTY

Dënimi i Gjorgjeviqit është shumë me rëndësi, sepse me këtë vendim edhe një herë konfirmohet se kush ishte përgjegjës për varrezat masive në Serbi, thekson Andrej Nosov, drejtor i fondit Heartefact. Sipas tij, vendimi në mënyrë shumë precize i hedh poshtë të gjitha pohimet e mbrojtjes serbe se fjala ishte për incidente sporadike.

„Kur e shihni se sa masive kanë qenë këto krime, nuk mund të flisni për incidente sporadike. Këtu flasim për 800.000 njerëz, që janë detyruar të largohen nga Kosova dhe mbi 700 persona, që janë gjetur në varrezat masive në Serbi, për të cilat është dënuar Gjorgjeviqi“, pohon Nosov.

Hapa për normalizimin e marrëdhënieve

Biserko mendon se me përfundimin e procesit kundër Gjorgjeviqit nuk ka përfunduar edhe procesi rreth varrezave masive dhe krimeve në Kosovë. Çdo ditë po dalin detaje për varreza të reja masive, jo vetëm në Serbi por edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Zbulimi i tyre dhe zbardhja e fatit të të pagjeturve, sipas Biserkos, është shumë me rëndësi për familjet dhe të afërmit e viktimave.

Serbische Polizei im Kosovo
Policia serbe në Kosovë në vitin 1999Fotografi: picture-alliance/dpa

„Kanë mbetur edhe shumë gjëra për t'u sqaruar, siç është edhe çështja e të pagjeturve. Kjo është e rëndësishme për ardhmërinë dhe për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe normalizimin e raporteve me Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë", pohon Biserko.

Në opinionin serb shpesh dëgjohen kritika ndaj Tribunalit, për dënime tepër të larta vetëm të të akuzuarve serbë, ndërkohë që krimet ndaj serbëve shpesh as që hetohen. Drejtësia ndërkombëtare duhet të përgjigjet edhe lidhur me rolin e UÇK-së dhe palës shqiptare, por këtë duhet ta bëjnë edhe organet e drejtësisë në Kosovë, mendon Nosov. Është e vërtetë që ende nuk ka drejtësi për shumë viktima serbe, por drejtësi ende nuk ka edhe për shumë viktima shqiptare, që do të thotë se në Hagë dhe para gjykatave të këtushme duhet të përfundojnë edhe shumë procese të tjera, konstaton Nosov.

Autor: Ivica Petroviq/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica