1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendum për energjinë atomike në Bullgari

Alexander Andreev/Lindita Arapi25 Janar 2013

Rreth 6.5 milionë votues bullgarë japin votën e tyre më 27 Janar në referendumin për zgjerimin e energjive të rigjenerueshme. Vëzhguesit: Votimi është matje forcash mes dy forcave kryesore politike para zgjedhjeve.

https://p.dw.com/p/17REe
Fotografi: Valentina Petrova/AP/dapd

Nuk dihet nëse referendumi i parë në historinë post-komuniste të Bullgarisë do të jetë i vlefshëm. Sipas ligjit, pjesëmarrja në referendum nuk duhet të jetë më e ulët se në zgjedhjet e fundit parlamentare - për këtë referendum kjo do të thotë arritja e kuotës minimale 60,2%. Sondazhet aktuale parashohin një shumicë pro zgjerimit të energjisë atomike. Megjithatë vëzhguesit thonë se pjesëmarrja do të jetë shumë më e ulët se 60% - pra referendumi mundet të dështojë.

Çështja për të cilën do të vendoset: Duhet të vazhdojë zhvillimi i energjisë atomike në Bullgari përmes ndërtimit të një centrali të ri atomik? Debati për këtë çështje ka vite që vazhdon. Para anëtarësimit në BE në vitin 2007, Bullgaria vendosi nën presionin e BE-së, që katër nga gjashtë repartet e centralit atomik në Kosloduj pranë Danubit të mbyllen, për shkak se ishin kategorizuar si të rrezikshme.

Shpërdorim i fondeve publike?

Në vitin 2008 qeveria socialiste e Bullgarisë bashkë me koncernin rus, "Atomstrojeexport" vendosi  ndërtimin e një centrali të ri atomik në Belene, po ashtu pranë Danubit. Koncerni energjretik gjerman RWE ishte fillimisht po ashtu partner në këtë projekt, por ai u tërhoq kur kostot e ndërtimit shkuan në stratosferë - me një rritje prej 11 miliardë eurosh.

Qeveria e sotme konservatore e Bullgarisë e bllokoi projektin, me pasojën e një padie nga ana e koncernit rus në një gjykatë ndërkombëtare që trajton pajtimin dhe ndërmjetësimin e konflikteve të biznesit dhe kërkesën e një dëmshpërblimi në vlerë 1. miliardë euro. Ndërkohë socialistët ia kanë dalë të mbledhin 500.000 firmat e nevojshme për të organizuar referendumin.

Marco Arndt, përfaqësues i fondacionit gjerman Konrad Adenauar në Sofje është i mendimit, se një plebishit i tillë është shpërdorim i fondeve publike. Pasi çështja që në fillim lidhej vetëm me ndërtimin e centralit atomik Belene është riformuluar me ndikimin e shumicës parlamentare për arsye taktike. Bullgarët nuk e kanë më të qartë se çfarë pasojash ka një "Po" apo "Jo" e tyre. Arndt: "Për vendime të përgjegjshme janë krijuar parlamentet. Nuk besoj se zgjidhja në një çështje të komplikuar madje për vetë njerëzit e fushës do të vijë me ndihmën e referendumit."

Luftë politike mes dy kampeve partiake

Për kryeministrin konservator, Bojko Borissow sjell vetëm avantazhe anashkalimi i pyetjes direkte për projektin Belene, por pyetja vetëm për zhvillimin e energjisë atomike. Së pari sepse ai vetë pas shumë diskutimesh është pro rikonstruktimit të centralit të vjetër atomik në Kosloduj - pra një "Po" në referendum nuk është thjesht një miratim për projektin e ri Belene, por mund të interpretohet edhe si një miratim për centralin e vjetër të Koslodujit.

Së dyti, opozitarët socialistë që kanë iniciuar referendumin, nuk mund ta kthejnë një "Po" të referendumit në kapital politik para zgjedhjeve të korrikut -  sepse edhe konservatorët pozicionohen pro projektit të centraleve atomike, në këtë rast atij të Koslodujit.

Vëzhguesit thonë se kryeministri e ka fiksuar ndërkohë një investor në horizont -  një investor amerikan. Dhe me këtë shtrohet edhe një çështje gjeopolitike: Do të orientohet Bullgaria në drejtim të energjisë nga SHBA apo nga Rusia? Varësia nga sektori rus është ende shumë e madhe. Në të gjitha projektet energjetike, Bullgaria varet nga Rusia - edhe në ndërtimin e gazsjellësit "South Stream" - kjo varësi është prezente. Politologu, Parva Simeonov shprehet se referendumi as nuk mund ta zgjidhë çështjen kardinale të ekonomisë bullgare, "varësinë e njëanshme nga Rusia".

Si konservatorët ashtu edhe socialistët janë të mendimit se shumica e bullgarëve më 27 Janar do të votojë pro energjisë atomike sepse ajo është më e lira. Vendimtare megjithatë do të jetë pjesëmarrja e votuesve. Për këtë parashikimet nuk janë edhe aq optimiste.
 

Kryeministri Bojko Borissow
Kryeministri Bojko BorissowFotografi: picture-alliance/dpa
Protesta kundër centralit atomik Belene
Protesta kundër centralit atomik BeleneFotografi: AP