1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendum për qendrimin në BE

23 Janar 2013

Pas shumë shtyrjesh, kryeministri britanik David Cameron mbajti fjalimin e shumëpritur për Evropën. Thelbi i tij ishte: për anëtarësimin e Britanisë së Madhe në BE do të vendoset në një referendum popullor.

https://p.dw.com/p/17Q75
David Cameron-i duke folur për referendumin për BE
David Cameron-i duke folur për referendumin për BEFotografi: Reuters

Pas shumë shtyrjesh, kryeministri britanik David Cameron mbajti fjalimin e shumëpritur për Evropën. Thelbi i tij ishte: për anëtarësimin e Britanisë së Madhe në BE do të vendoset në një referendum popullor.

Ishte një fjalim parimor i kryeministrit britanik konservator David Cameron, për raportin e vendit të tij me BE-në. Në fillim kryeministri bëri të qartë, se pa një reformim të Bashkimit Evropian, e shihte vendin e tij të detyruar të dilte nga unioni.

Cameron deklaroi se pas një rizgjedhjeje të mundshme në legjislaturën e ardhshme, ai do të organizojë një referendum popullor për qendrimin e vendit në BE ose daljen prej tij. Referendumi do të mbahet jo shumë vonë pas konstituimit të parlamentit të ri, pra më e vonëta në fund të 2017.

Brenda apo jashtë BE-së?

"Programi i ardhshëm elektoral i konservatorëve 2015, do t'i kërkojë popullit britanik një mandat për qeverinë konservatore, për të negociuar me partnerët tanë evropianë një marrëveshje të re. Cameron tha se negociatat për marrëdhënien e Britanisë së Madhe me BE-në do t'i paraprijnë referendumit. Britanikët do të jenë përpara një "zgjedhje shumë të lehtë": ose ta pranojnë rezultatin e negociatave ose të largohen plotësisht nga BE, tha kryeministri Cameron.

Ai shtoi se do të jetë një vendim për "të ardhmen" e Britanisë së Madhe dhe nëse raporti i ri me BE-në, që do të rezultojë pas negociatave do të jetë i kënaqshëm, ai do të mbrojë "me shpirt dhe zemër" qendrimin e Britanisë në BE. "Është koha që populli britanik të thotë fjalën e tij", tha Cameron. "Është koha të zgjidhim këtë çështje evropiane në politikën britanike. Unë i them britanikëve: ky do të jetë vendimi juaj."

David Cameron-i duke folur për referendumin për BE
David Cameron-i duke folur për referendumin për BEFotografi: Reuters

Pas fjalimit, pati reagime nga të dy partitë kryesore në Britani. Konservatorët nga partia e Cameron, të cilët kërkojnë një marrëdhënie më pak të ngushtë me BE-në, e përshëndetën njoftimin për rinegociim me BE-në dhe mbajten e referendumit. Ndërsa laburistët e kritikuan Cameronin si "kryeministër të dobët që drejtohet nga partia e tij".

Moskuptim jashtë Britanisë

Jashtë vendit politika e Cameronit ndaj Evropës has prej kohësh në moskuptim. Por në politikën e brendshme ai ndodhet para një dileme: Cameroni duhet te përpiqet të qetësojë euroskeptikët brenda partisë së tij, influenca e të cilëve është në rritje në radhët e konservatorëve. Prej kohësh qeveria në Londër kërkon të rinegociojë disa marrëveshje të BE-së, si për shembull në fushën e drejtësisë.

Por për Britaninë e Madhe të zhytur në borxhe, largimi nga BE mund të rezultojë në një katastrofë ekonomike. 50 për qind e eksporteve britanike shkojnë në vendet e BE-së. Shumë koncerne ndërkombëtare e përdorin Londrën si një urë për në BE.

Edhe vetë Cameron-i në fjalën e tij tërhoqi vëmendjen ndaj rreziqeve të një daljeje eventuale nga BE. Megjithëse shprehu bindjen se vendi i tij, në rast nevoje, mund t'ia dalë mbanë edhe jashtë BE-së, kryeministri britanik tha se Britania duhet të "reflektojë me shumë kujdes" për pasojat që mund të ketë dalja nga BE-ja në mirëqënien ekonomike dhe rolin e saj në skenën ndërkombëtare. "Nëse dalim nga Bashkimi Evropian, do të jetë një biletë vetëm për një drejtim, dhe nuk do të ketë kthim prapa", u shpreh kryeministri britanik David Cameron.

Autor: Eliana Xhani (dw, rtr, dpa, dapd)

Redaktoi: Auron Dodi