1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendumi në Rumani - Shkatërrim i imazhit, apo fillim i ri?

Robet Schwarz30 Korrik 2012

Presidenti i Rumanisë Traian Basescu mbetet në detyrë. Rumunët treguan shumë pak interes për të marrë pjesë në referendum. Megjithë këtë "fitore" ai duhet ta hapë rrugën për zgjedhjet e parakohshme presidenciale.

https://p.dw.com/p/15gUc
Trajan Basescu
Trajan BasescuFotografi: reuters

Me t'u mbyllur lokalet e votimeve, të dyja palët njoftuan fitoren e tyre. Presidenti i pezulluar konservator, Traian Basescu deklaroi se rumunët penguar "një grusht shteti", duke konfirmuar kështu pozitën e tij si kryetar shteti. Kryetari interim i shtetit, socialdemokrati Crin Antonescu, tha se do të presë rezultatin përfundimtar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kampi paraqitet si i sigurtë në fitore. Në qoftë se do të vazhdojë lufta për pushtet, ekziston rreziku, që Rumania të shkëputet me ritëm shumë të shpejtë nga historia e saj e shkurtër demokratike.

Referendum pa rezultat të qartë

Faktet janë të qarta: Referendumi i organizuar nga qeveria sozial-liberale dhe nga shumica e re në parlament për suspendimin e presidentit Traian Basescu dështoi dyfish. Nga njëra anë pjesëmarrja në referendum ishte e pamjaftueshme nën 50%. Vetëm 46 përqind e të gjithë rumunëve morën pjesë në lojën për suspendimin e tij. Bojkoti i opozitës konservatore ka kontribuar me siguri edhe në dështimin e referendumit.

Por kampi i Basescut ka momentalisht vetëm pak më shumë se 20% përkrahje në elektorat. Kryeministri socialist Victor Ponta dhe presidenti i përkohshëm, liberali Crin Antonescu, pranojnë se mbështetësit e tyre treguan më pak interesim për këtë referendum, nga sa pritej. Edhe pse 88 për qind e atyre, që kanë votuar, vendosën për suspendimin, votat nuk janë të mjaftueshme. Më shumë se gjysma e të gjithë rumunëve nuk kanë patur interes për këtë procedurë.

Qeveria i vë vetes stërkëmbëshin

Deri para dy muajsh punët në koalicionin socialliberal dukeshin ndryshe. Më shumë se 70% e rumunëve e kanë mbështetur procedurën e suspendimit në të gjitha anketimet.

Por pastaj dyshja Ponta-Antonescu filloi me ndryshimin e shpejtë të të gjithë aparatit shtetëror. Prapa perdes së rëndë të gjoja parlamentarizmit demokratik u injoruan vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Të gjitha pozitat kyçe në shtet i morën funksionarët besnikë të partisë së tyre. Kulmi u arrit me suspendimin e presidentit. Ky projekt, ashtu si edhe procedura për heqjen e suspendimit të Basescut në vitin 2007, dështoi keq.

Demonstratë kundër Basescut
Demonstratë kundër BasescutFotografi: Reuters

Çdo përpjekje e koalicionit social-liberal, për të ndrequr sërish punë, me qëllim që të mbijetojë politikisht, do të dështojë po në këtë mënyrë. Humbja e besimit tek rumunët dhe në rradhë të parë te partnerët në BE është shumë e madhe. Dhe dyshimi se pushtetarët e rinj i kanë vënë vetes qëllim që të kontrollojnë drejtësinë për të mbrojtur politikanët e korruptuar nga rradhët e veta, nuk të kapërcehet aq shpejt.

E ardhme e pasigurtë politike

Po si do të shkojnë punët më tej? Gjykata Kushtetuese duhet ta shpallë referendumin të pavlefshëm për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme. Shumica e re social-liberale ka deklaruar, se do të respektojë vendimin e gjykatës kushtetuese. Por që në prag të votimit politikanët social-liberalë, kishin deklaruar se parlamenti do të thotë fjalën e fundit në këtë proces. Me fjalë të tjera: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të luante ndonjë rol. Sundimi i ligjit në një shtet anëtar të BE ka pamje tjetër.

Kush gënjen një herë, atij nuk i besohet më, edhe kur thotë të vërtetën. Kjo fjalë e urtë popullore vlen gjithmonë. Ponta ka gënjyer disa herë, duke e dëmtuar vendin dhe popullin e tij. Akuzat e konfirmuara për plagjiaturë, qëndrimet kontradiktore në BE në Bruksel dhe në Bukuresht - partia e tij nuk do ta mbajë dot gjatë kryeministrin. Edhe partneri i tij Antonescu mund të zhduket nga skena politike. Para referendumit ai kishte deklaruar, se në rast dështimi do të tërhiqet nga politika. Në se mund t'i besojë më kush atij?

Robert Schwartz komenton
Robert Schwartz komenton

Nga dorëzimi i pushtetit fitohet kredibilitet

Por edhe gëzimi i fitores në kampin e Basescu-t nuk do të zgjasë shumë. Kryetari i vjetër i shtetit kthehet në pallatin e tij, por ndryshe nga referendumi i vitit 2007 pushteti i tij është dobësuar. Një bashkëpunim me qeverinë social-liberale, këtë e ka treguar edhe episodi i fundit, është thuajse i pamundur. Por një vazhdim i krizës politike do ta tërhiqte Rumaninë në një vorbull të rrezikshme, nga e cila edhe marinari i vjetër Basescu, para karrierës së tij politike ai ka qenë kapiten anijeje, nuk do të gjejë rrugëdalje.

Në mënyrë që vendi të kthehet përsëri në ujëra të qeta, për Basescun ka praktikisht vetëm një mundësi: të largohet triumfues dhe të bëjë vend për zgjedhje të parakohshme presidenciale të vjeshtës 2012, në të njëjtën kohë me zgjedhjet e parashikuara parlamentare. Ka ardhur koha që në Rumani, 23 vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste, të largohen klikat e vjetra politike. Politikanë të rinj, të besueshëm duhet të marrin në dorë shansin real, me qëllim që në Rumani të mbijetojnë vlerat demokratike und europiane edhe pas këtij teatri absurd veror.