1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Türkei Verfassungsreferendum

13 Shtator 2010

Në një referendum udhërrëfyes populli turk miratoi reformën më të plotë kushtetuese në vend prej dekadash. Kryeministri Recep Tayyip Erdogan foli para përkrahësve për "fitore për demokracinë".

https://p.dw.com/p/PAi1
Shumica voton për ndryshimin e kushtetutësFotografi: picture-alliance/dpa

Me gjithsej 26 ndryshimet e miratuara shtetasit turq fitojnë më shumë të drejta, për shembull për të parën herë mundësinë e padive individuale para Gjykatës Kushtetuese. Në të njëjtën kohë forcohet kontrolli civil i ushtrisë, gjeneralët puçistë mund të nxirren për të parën herë para gjyqit.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan u prit prej përkrahësve të vet në mbrëmjen festive si një yll i muzikës pop. Shikuesit e ndërprenë vazhdimisht fjalimin e gjatë të fitores të kryeministrit.

Forca paramilitare marrin Silivrin, maj 2009
Forca paramilitare marrin Silivrin, maj 2009Fotografi: AP

Erdogan theksoi se fituese e mirëfilltë e votimit nuk ishte ndonjë parti, po demokracia turke. Kryeministri nënvizoi sërish domethënien e 12 shtatorit, datës së referendumit. Më 12 shtator 1980, saktësisht 30 vjet më parë, ushtria turke bëri puç dhe lëshoi më pas të ashtuquajturën "kushtetutë të puçistëve". Deri tani në pjesë të mëdha kjo ishte e vlefshme dhe në sajë të përfundimit të referendumit do të ndryshohet.

"Deri tani data 12 shtator ndotej prej kushtetutës së puçistëve. Me këtë votë popullore, gjithashtu në një 12 shtator, fillon një epokë e re për demokracinë. Me këtë ne hapim një faqe të re dhe largojmë ndotjen."

Turqit votuan me shumicë befasisht të qartë për reformën kushtetuese. Rreth 58 për qind e zgjedhësve votuan me po, 42 për qind kundër. Deri së fundi shumë analistë të opinionit parashikonin një garë hap më hap të të dy kampeve. Rreth 78 për qind e shtetasve me të drejtë vote morën pjesë në referendum. Pjesëmarrja ishte veçanërisht e lartë në lindje të Turqisë, në rajonet kurde të vendit. Atje partitë kurde i kishin bërë thirrje popullsisë për ta bojkotuar votimin. Në kryeqytetin Ankara rreth 57 për qind votuan me "po", në Stamboll ishin rreth 56 për qind.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan
Kryeministri Recep Tayyip ErdoganFotografi: AP

Erdogan u tregua burrë shteti gjatë mbrëmjes festive. Votimi do të hyjë në historinë e Turqisë, tha ai. "Ju do t'ju kujtojnë, do të na kujtojnë", tha Erdogan fjalë për fjalë.

Nëpërmjet reformës sanksionohen shumë të drejta qytetare në kushtetutë. Ndër të tjera fëmijët dhe punëmarrësit fitojnë më shumë të drejta, veç kësaj fuqizohet mbrojtja e të dhënave. Ushtria turke humbet ndikim. Gjeneralët e 1980-ës që jetojnë ende mund të nxirren në të ardhmen para gjyqit, veç kësaj kufizohen kompetencat e gjykatave ushtarake.

Parlamenti turk fiton gjithashtu më shumë ndikim në zgjedhjen e gjykatësve më të lartë të vendit. Veçanërisht kjo pikë u kritikua gjatë fushatës për kushtetutën nga partitë opozitare si sulm kundër ndarjes së pushteteve.

Autor: Steffen Wurzel/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama