1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reflektime nga zgjedhjet për parlamentet e landeve

31 Gusht 2009

Sapo SPD-ja do të bëhet e vetëdijshme se partia E Majta "Die Linke" është një partnere e mundshme për koalicion, edhe në perëndim të vendit, atëherë ajo do të marrë sërish shumicën e votave.

https://p.dw.com/p/JM0Y
Gazeta gjermane

Të dielën (30.8.) në katër lande të Gjermanisë u zhvilluan zgjedhjet për parlamentet e landeve si dhe zgjedhjet komunale. 20,6 milionë vetë me të drejtë vote ishin thirrur për zgjedhjen e një parlamenti të ri të landit në Saksoni, Tyringi dhe në landin e Zarës si dhe për zgjedhjen e përfaqësuesve të komunave në qarqe, qytete dhe në komunat e landit Renania Veriore-Vestfalia (NRW) Pikërisht këto zgjedhje dhe rezultatet paraprake të tyre janë tema kryesore e të përditshmeve të sotme gjermane.

Nga gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung shkëpusim:

"Do të ishte pak po të bënim përgjegjës vetëm kandidatitn kryesor të CDU-së për rezultatet shkatërruese të zgjedhjeve në landin e Tyringisë. E padrejtë do të ishte gjithashtu po të bënim një lidhje mes rezultateve dhe aksidentit tragjik me ski të kryeministrit të këtij landi, nga i cili humbi jetën një grua. Në fakt e vërteta është se Althaus, i cili në vitin 2004 vetëm pas një viti në krye të qeverisë lokale, mund të matej fare lehtë me parardhësin e tij Vogel, e kishte humbur popullaritetin e tij që në mes të periudhës legjislative. Por jo vetëm ai, por e gjithë partia CDU në landin e Tyringisë, nuk u treguan të vendosur në fushat më të rëndësishme politike dhe mbi të gjitha, nuk u përfaqësuan në zgjedhje me personalitete, të cilat mund t'u kishin dhënë pamjen e duhur programeve të tyre politike."

Në gazetën Berliner Zeitung lexojmë:

"Partia Social-Demokrate, SPD, e humbi shansin për një rifillim të denjë. Rezultatet paraprake të ditës së djeshme e bëjnë të qartë këtë fakt. Këto zgjedhje dëshmuan se spostimi i fuqisë në drejtim të së majtës është i mundur, ndonëse jo real. Por sapo SPD-ja do të bëhet e vetëdijshme se partia e spektrit të majtë "Die Linke" është një partnere e mundshme për koalicion, edhe në perëndim të vendit, atëherë ajo do të marrë sërish shumicën e votave. Por vetëm atëherë. Por kjo nuk do të ndodhë në verën e vitit 2009. Sidoqoftë po përjetojmë fushatën e fundit elektorale të zgjedhjeve parlamentare gjermane, në të cilën social-demokratët i zënë vetvetes rrugën. Këtë gabim ata nuk do ta përsërisin. Deri tani ata kanë pasur frikë nga fushata e unionit kundër një koalicioni kuq-kuq. Por frika është gjatë fushatës eketorale një këshilltare e keqe. Kush ka frikë, ka humbur."

Dhe së fundi në gazetën Süddeutsche Zeitung lexojmë:

"Kur je duke vdekur për ujë, të lumturon çdo pikë, s'ka rëndësi a vjen nga landi i Tyringisë apo i Zarës, apo nga qyteti i Këlnit. Prova gjenerale për zgjedhjet parlamentare gjermane nuk eci mirë për SPD-në. Sidoqoftë humbja e CDU-së në Erfurt dhe Zarbryken ishte një sukses i vogël për social-demokratët. Le t'u gëzohen këtyre sukseseve të vogla. Por SPD-ja duhet të dëshmojë tani se është në gjendje ta kthejë situatën në favor të saj dhe jo të humbasë sërish si në Hesen."

Autor: Sonila Sand
Redaktor: Pandeli Pani