1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët në Gjermani

Sabine Kinkartz16 Janar 2016

Më shumë se një milionë refugjatë erdhën në vitin 2015 në Gjermani. A janë ata forca punëtore e së nesërmes? A mund të integrohen ata në Gjermani? Sa kushton ky integrim? Debat mes ekonomistëve.

https://p.dw.com/p/1HeN2
Deutschland Zukunft - nur mit Zuwanderung Leibnitz-Gemeinschaft Berlin
E ardhmja e Gjermanisë vetëm me migracion? Debat në Shoqatën e Leibnizit në BerlinFotografi: Leibniz-Gemeinschaft/Peter Himsel

Studiuesit e ekonomisë janë njerëz që mendojnë dhe gjykojnë në mënyrë racionale. Ata merren kryesisht me statistikat dhe shifrat, emocionet nuk kanë vend në botën e tyre. Ku ka më mirë se në një kohë debati gjithnjë e më të ndezur për refugjatët të pyeten ekonomistët kryesorë gjermanë se çfarë stuhie apo mrekullie po vjen drejt Gjermanisë? Kjo ishte ideja e Shoqatës së Leibnizit në Berlin që ftoi në një debat gjashtë drejtues të Instituteve më të rëndësishme ekonomike: Marcel Fratzscher nga Instituti Gjerman për Studime Ekonomike (DIW), Clemes Fuest nga Qendra për Studime Ekonomike Europiane (ZEW), Reint Gropp nga Instituti i Leibnizit në Halle, Christoph Schmidt nga Instituti i Rinit-Vestfalisë (RWI) Hans Werner Sinn nga Instituti i Ekonomisë, Ifo dhe Dennis J.Snower nga Instituti për Ekonominë Botërore në Kiel.

Jo shumë të dhëna

Shpejt u bë e qartë në këtë debat: Ekonomistët janë rrallë të një mendimi dhe shumë më rrallë kur shifrat dhe faktet nuk mjaftojnë për të krijuar një opinion të shëndoshë mbi çështjen. Sipas të dhënave 1,1 milionë vetë erdhën në 2015-n në Gjermani, gjysma ka bërë kërkesë për azil. Clemens Fuest bën të qartë se "ne ende nuk e dimë se sa të kualifikuar janë këta njerëz, madje ne nuk e dimë qartë se sa vetë janë gjithsej."

E sigurtë është që njerëzit duhet të marrin përkujdesje. Shifrat vjetore sipas drejtuesit të Ifo-s, Hans-Werner Sinn llogariten me 12-20 miliardë euro. Një shumë e jashtëzakonshme, por sipas Marcel Fratzscher nga Instituti Gjerman për Studime Ekonomike shuma mund të mblidhet pa vështirësi. "Ne kemi një gjendje të shkëlqyer të arkës së shtetit, që rrallë ka qenë kaq e mirë, pra nuk shtrohet për diskutim, nëse mund t'ia dalim në plan afatshkurtër."

Deutschland Zukunft - nur mit Zuwanderung Leibnitz-Gemeinschaft Berlin
Eskpertët në debat bashkë me ministrin e Ekonomisë, Sigmar GabrielFotografi: Leibniz-Gemeinschaft/Peter Himsel

"Një thes me probleme"

Por si qëndron puna me pasojat afatgjata? Marcel Fratzscher është i bindur se "sa më shumë të shpenzojmë sot për kualifikimin dhe integrimin e refugjatëve, aq më shpejt dhe aq më mirë të ardhurit do të gjejnë punë dhe aq më i lartë do të jetë përfitimi afatgjatë." Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Pasi për këtë refugjatët e ardhur duhet të mësojnë shpejt gjermanisht dhe të futen në marrëdhënie pune. Drejtuesi i Ifo-s, Hans Werner Sinn shikon këtu "një thes me probleme". Sipas tij 65% e atyre që kanë mbaruar shkollën në moshën 15 vjeç nuk dinë ende mirë shumëzimin dhe pjesëtimin. Mbi një bazë të tillë kaq të dobët nuk mund të ngrihet një kualifikim profesional, thotë ai.

Një sektor i ri i rrogave të ulta?

Sinn e ka të vështirë të shohë një përfitim ekonomik nga refugjatët. Por Clemens Fuest e kundërshton këtë qëndrim dhe kërkon hapjen e shkollimeve profesionale, madje edhe diçka që nuk tingëllon mirë për politikën. "Ne kemi nevojë për një sektor të rrogave të ulta", thotë ai.

Edhe amerikani Denis Snower nga Instituti për Ekonominë Botërore shikon shumë hapësira në tregun e punës. "Ne nuk i përdorim të gjitha mundësitë që kemi në tregun e punës." Sipas tij është mirë që shteti të financojë strategjinë e "bonuseve të punësimit", firmat mund të paguajnë më pak në këso rastesh, por pas përfundimit të afatit të bonusit do të ketë punonjës që punësohen në kushte normale.

Mos shikoni të huajin

Sipas ekspertit amerikan nuk duhen parë vetëm aspekte ekonomike, por edhe komponenti emocional. "Kostoja e integrimit lidhet me integrimin social", thotë ai. E rëndësishme është të kemi një sistem të përbashkët vlerash dhe besim në shoqëri. "Po qe se ne i shohim migrantët si të huaj, kemi humbur." Popullsia vendase dhe refugjatët duhet të krijojnë një komunitet. Krijimi i afinitetit është themelor që ky projekt të dalë me sukses.

Deutschland Zukunft - nur mit Zuwanderung Leibnitz-Gemeinschaft Berlin
Ekspertët Fratzscher, Fuest, Gropp, Schmidt, Sinn dhe SnowerFotografi: Leibniz-Gemeinschaft/Peter Himsel

Një projekt, koston e të cilit nuk do dhe nuk di ta thotë askush. Christoph Schmidt nga Instituti i Rinit-Vestfalisë apelon për "vetëpërmbajtje kur vjen puna tek prognozat afatgjata", sepse edh ndryshime të vogla mund të sjellin dinamikë tjetër me vete, e sipas Schmidt do të ishte spekulim të bëje vlerësime në këtë moment.

"Kemi nevojë për pagues kontributesh sociale"

Studiuesit ishin të një mendimi se zgjidhja më e mirë do të ishte sikur Gjermania t'i zgjidhte si Kanadaja emigrantët e saj në bazë të një sistemi pikësh. Por Gjermania është ende larg prej kësaj. Në vend të kësajReint Gropp nga Instituti i Leibnizit në Halle, paralajmëron se Gjermania mund të duket atraktive për refugjatët, sepse ofron shërbime sociale shumë të mira. Por shoqërisë i duhen ata që e shfrytëzojnë shansin për të bërë një vend në shoqëri. "Nuk kemi nevojë për më shumë njerëz për të zgjidhur problemet e arkave sociale, por kemi nevojë për pagues kontributesh sociale", thotë Clemens Fuest. Nga kjo varet nëse Gjermania do t'i kualifikojë refugjatët aq mirë që brenda disa vitesh prej tyre të kemi "pagues kontributesh neto".

Por shpenzimet për pranimin e integrimin e refugjatëve do të varen shumë nga numri i refugjatëve që do të vijë në vitin 2016. Por këtë parashikim nuk mund ta bëjë askush. As ministri gjerman i Ekonomisë, Sigmar Gabriel i ftuar në këtë takim. Megjithatë Gabriel theksoi se qeveria gjermane do të bëjë gjithçka duhet nga ana financiare për të ruajtur "unitetin brenda shoqërisë".-