1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rehn dëshiron t'i ofrojë Serbisë MSA-në

Anila Shuka24 Prill 2008

Komisioneri i zgjerimit Olli Rehn ishte të enjten për një vizitë në Berlin. Në fokus të takimti me komisionin parlamentar për BE-në ishin marrëdhëniet me Ballkanin, veçanërisht me Serbinë

https://p.dw.com/p/DoF7
Komisioneri i zgjerimit Olli RehnFotografi: AP

Komisioneri i zgjerimit Olli Rehn përpiqet t'i ofrojë Serbisë nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kjo çështje do të trajtohet në takimin e ministrave të punëve të jashtme në BE-së të martën e ardhshme, 29.04. në Luksemburg.


Rehn do të propozojë sërish që BE-ja të siglojë marrëveshjen e stabilizim asociimit me Serbinë. Kushti i bashkëpunimit me Gjykatën ndërkombëtare të Hagës, sipas këtij propozimi do të duhet të plotësohet para ratifikimit të marrëveshjes: "Unë e di që për këtë nuk ekziston njëzëshmëri në BE," pranon Rehn, "Duhet ta diskutojmë këtë dhe të shohim se ç'farë rezultati do të dalë më 29 prill në takimin e këshillit të ministrave në Luksemburg", tha ai për Deutsche Wellen mbas takimit me ministrin e jashtëm gjerman Frank Valter Shtajmajer të enjten në Berlin.


Debati është i ngjashëm i ai i takimit të ministrave në fund të janarit. Holanda dhe Belgjika kundërshtojnë lëshime të mëtejshme, pa u dorëzuar i kërkuari për krime lufte nga Haga Ratko Mladiç.


Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter Shtajnmajer nuk u prononcua pas takimit, por qarqe diplomatike bëjnë të ditur se Gjermania në këtë pikë do të bashkohet me qendrimin e shumicës së vendeve të BE-së, të cilët janë pro siglimit të marrëveshjes.


Koalicioni gjerman në këtë çështje është i ndarë më dysh. Partia socialdemokrate e ministrit të jashtëm është për nënshkrimin e marrëveshjes. Aksel Schaefer kryteari i grupit të socialdemokratëve në komisionin parlamentar për Evropën i tha Deutsche Welles se mbështet iniciativën e Rehnit për të ofruar nënshkrimin e marrëveshjes:


"Kemi arritur një sërë përparimesh në aspektin e reformës juridike dhe në anën tjetër kemi nevojë për një sinjal pozitiv proevropian para fillimit të negociatave më 11 maj", argumenton ai.


Gunther Krichbaum, kryetari i komisionit parlamentar për Evropën dhe antar i Unionit Kristiandemokrat mendon ndryshe. Heqja e vizave do të mjaftojë për të dhënë sinjalin e duhur ndaj serbëve: "Nuk jam për të bërë dhurata parazgjedhore", thotë ai. "Por është e vërtetë që Serbisë i duhen dhënë sinjale. Serbia është në zemër të Evropës, dhe para së gjithash sinjalet duhet të shkojnë në adresë të të rinjve, dhe unë jam jo vetëm për lehtësimin e regjimit të vizave por për heqjen e tij", i tha Krichbaum Deutsche Welles.


Gjithsesi, edhe sikur Bashkimi Evropian të miratojë siglimin e marrëveshjes, me pikëpyetje është se a do ta pranojë atë pala serbe: "Sigurisht që për të kërcyer tangon duhet dy vetë. Njëra çështje është unanimiteti brenda BE-së dhe çështja tjetër është që Serbia të deklarohet pro Evropës, por unë mendoj, se qeveria serbe e ka një mandat të qartë për ta nënshkruar MSA-në", thotë Olli Rehn.


Por se a do të ekzistojë një mandat i tillë edhe pas zgjedhjeve, kjo nuk dihet. Partia e presidentit Tadiç është e vetmja parti që është deklaruar pa rezerva pro Evropës. Një nga përfaqësuesit e saj më të njohur, ministri i jashtëm, Vuk Jeremiç, ndodhej të enjten në Berlin me ftesë të fondacionit Friedrich Ebert për të mbajtur një referat për perspektivën evropiane të Serbisë. Kur organizatori i mbrëmjes e përshëndeti me fjalët "shihemi herën tjetër", Jeremiç u përgjigj në largim e sipër: "Herës tjetër si opozitar."