1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rendi dhe ligji elemente thelbësore për integrimin e Kosovës në strukturat e BE

27 Maj 2011

Shefja e diplomacisë evropiane, Kathrin Ashton, po qëndron sot për një vizitë në Kosovë. Ajo siguroi autoritetet e Prishtinës se Kosova ka perspektivë evropiane.

https://p.dw.com/p/11PUB
Kathrin Ashton në konferencë shtypi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi
Kathrin Ashton në konferencë shtypi me kryeministrin e Kosovës, Hashim ThaçiFotografi: DW

Pas një takimi, që zhvilloi me shefin e misionit EULEX, Xavier Bout de Marniak dhe kryeministrin Hashim Thaçi, baronesha Kathrin Ashton tha se është shumë me rëndësi që misioni EULEX të mbështetet në Kosovë, ashtu siç mbështetet nga Bashkimi Evropian: "Njëzet e shtatë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e përkrahin në tërësi misionin dhe punën, të cilën është duke u munduar ta bëjë. Përballja me çështjet e rendit dhe ligjit është vërtetë me rëndësi. Kjo është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen e Kosovës. Është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen e qytetarëve dhe është element thelbësor për ambiciet, të cilat ju i keni lidhur me punën tuaj dhe zhvillimin tuaj me Bashkimin Evropian", tha Kathrin Ashton. Shefja diplomacisë evropiane, së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi, zgjodhën qytetin e Prizrenit, që të mbajnë një konferencë për media. Ata thanë se gjatë takimit kanë diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën, tregtinë me Bashkimin Evropian dhe funksionimin e misionit EULEX.

Ashton vlerësoi angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në dialogun teknik


Sipas saj ky dialog është për çështje shumë praktike për të siguruar dhe për të bërë jetën e njerëzve më të lehtë dhe më të mirë.

"Ne shpresojmë se do të arrihet ndonjë marrëveshje. Ne vetëm e lehtësojmë këtë proces. Mjaft punë është bërë, ashtu siç jam informuar nga kryesuesja e delegacionit të Kosovës dhe kryesuesi i delegacionit të Serbisë dhe unë shpresoj, që shumë shpejt të kemi një marrëveshje", tha Kathrin Ashton.

Rruga për në BE e njejtë për të gjithë

Shefja e diplomacisë evropiane edhe njëherë përshëndeti arrestimin e gjeneralit serb Ratko Mladic dhe tha se ky është një moment shumë i mirë për Serbinë, por sipas saj, rruga për në Bashkimin Evropian është e njejtë për të gjithë: "Rruga për në Bashkimin Evropian përfshin një numër çështjesh, që vlejnë njejtë për të gjithë. Kjo përfshin punën, që duhet bërë në shumë çështje teknike dhe po ashtu përfshin edhe çështje politike, që duhet dakorduar me të gjitha vendet anëtare të BE-së. Mendoj se është kuptuar shumë mirë, si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë se ne duhet të sigurohemi dhe të punojmë së bashku, në mënyrë që ta mirëpresim edhe Serbinë edhe Kosovën në Bashkimin Evropian në mënyrën dhe rrugën më të mirë", tha Kathrin Ashton.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij tha se ai e ka siguruar baroneshën Ashton se pala kosovare do të mbetet e përkushtuar për një fqinjësi të mirë me Serbinë dhe është duke u angazhuar maksimalisht në dialogun teknik drejt zgjidhjeve, që janë në interes të qytetarëve të të dy vendeve: "Edhe e ardhmja evropiane e Serbisë nuk lidhet me emrin e Ratko Mladiçit, por me sjelljen evropiane të Serbisë në raport me Kosovën. Kosova do të zbatojë të gjitha kriteret demokratike, që të përshpejtojë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian", tha kryeministri Thaçi.

Vizita në Prishtinë e shefes së diplomacisë evropiane, sipas anaistëve të në Kosovë, është pritur se do të sjellë marrëveshjen e parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun teknik. Kjo nuk ndodhi, por sipas kryesueses së delegacionit të Kosovës në këtë dialog, Edita Tahiri, shumë shpejt pritet të miratohet një pako e marrëveshjeve me Serbinë  për çështjet, që janë diskutuar deri tani në Bruksel, mirëpo ajo nuk saktësoi se për çfarë marrëveshjesh bëhet fjalë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica