1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Reporterë pa Kufij" denoncon sulmin kundër gazetarit Mero Baze

6 Nëntor 2009

Përgjegjësja për Evropën në organizatën "Reporterë pa Kufij" Elsa Vidal shpreh shqetësimin për presionin që eksponentë të caktuar nga politika dhe biznesi në Shqipëri ushtrojnë mbi gazetarët e pavarur.

https://p.dw.com/p/KPai
Elsa Vidal, përgjegjëse për Evropën në organizatën "Reporterë pa Kufij" në Paris.
Elsa Vidal, përgjegjëse për Evropën në organizatën "Reporterë pa Kufij" në Paris.Fotografi: DW

Organizata "Reporterë pa Kufij" shprehet e shokuar për rastin më të ri të dhunës kundër një gazetari të pavarur në Shqipëri. Elsa Vidal, përgjegjëse për Evropën në këtë organizatë shprehet për Deutsche Wellen se sulmi kundër gazetarit Mero Baze dokumenton një përkeqësim të lirisë së medias në Shqipëri. "Reporterë pa Kufij" e vlerëson shumë pozitivisht solidaritetin e shprehur nga opinioni publik dhe kolegët gazetarë në Shqipëri, por u bën thirrje organeve të policisë të bëjnë gjithçka për nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës.

Përgjegjësja për Evropën në organizatën "Reporterë pa Kufij" Elsa Vidal shprehu në mikrofonin e Deutsche Welle shqetësimin e këtij organizmi për presionin që eksponentë të caktuar nga politika dhe biznesi në Shqipëri ushtrojnë mbi gazetarët e pavarur.

"Ne mësuam për sulmin kundër gazetarit Mero Baze të hënën në Tiranë dhe jemi sigurisht jashtëzakonisht të shokuar nga ky agresion pasi ai dëshmon ndjenjat e plotfuqishmërisë të disa biznesmenëve shqiptarë të afërt me pushtetin, të cilët refuzojnë me këmbëngulje të japin llogari për aktivitetet e tyre."

Vidal e vlerëson shumë pozitivisht reagimin e menjëhershëm të gazetarëve dhe të opinionit publik në Shqipëri, të cilët e dënuan me forcë sulmin kundër gazetarit Mero Baze: "Ne jemi plotësisht të siguruar nga dënimi unanim i këtij sulmi jo vetëm nga klasa politike por edhe nga opinioni publik dhe nga kolegët tanë gazetarë, të cilët manifestuan refuzimin e tyre ndaj kësaj situate me protestat në rrugë. Kjo është dëshmi e solidaritetit. Ne shpresojmë që policia do të jetë shembullore dhe do të ndjekë personat përgjegjës të sulmit kundër gazetarit Baze."

Përkeqësim i klimës së lirisë së mediave në Shqipëri

Rasti i dhunës kundër gazetarit Baze vlerësohet si një tjetër dëshmi e përkeqësimit të klimës së lirisë së medias në Shqipëri, gjë që organizata "Reporterë pa Kufij" e konstaton për këtë vit: "Vlerësimi ynë për situatën e shtypit në Shqipëri gjatë vitit në vijim është që ka një përkeqësim në krahasim me vitin e kaluar. Ky shprehet me faktin që personalitete nga bota e biznesit dhe politikës dhe nganjëherë nga të dyja, pasi ka një afërsi të madhe mes tyre, i japin vetes të drejtën të ushtrojnë presion me të gjitha mënyrat e mundshme ndaj gazetarëve dhe mediave: duke u bllokuar zyrat, duke i penguar të punojnë, duke u vënë zjarrin makinave të tyre apo duke i përndjekur në të gjitha mënyrat para organeve ligjore dhe së fundi duke përdorur edhe dhunën. Të gjitha këto dëshmojnë për një përkeqësim të klimës së lirisë së mediave në Shqipëri, gjë e cila na angazhon të jemi më vigjilentë."

Organizata "Reporterë pa Kufij" denoncon vazhdimisht shkeljen e të lirisë së medieve dhe dhunën ndaj gazetarëve në botë. Në raportin e fundit të kësaj organizate për Shqipërinë evidentohet problemi i mungesës së një kuadri ligjor për ushtrimin e profesionit të gazetarit, çka i lë ata në mëshirë të vendimeve arbitrare.

Autor: Eliana Xhani
Redaktor: Pandeli Pani