1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Republikanët duan të çojnë në gjyq presidentin Obama

A Verbica (afp, dpa, rtr, ap)31 Korrik 2014

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA do ta çojë në gjyq presidentin Barack Obama për shkak të reformës shëndetësore. 225 republikanë votuan për një rezolutë, që e bën të mundur padinë kundër presidentit.

https://p.dw.com/p/1CmuN
John Boehner
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dhoma e Kongresit miratoi një rezolutë, në të cilën ngrihet akuzë se Obama tejkalon kompetencat e tij zyrtare me kryerjen e reformës shëndetësore, të luftuar aq shumë nga republikanët. 225 deputetët votuan pro, 201 kundër. Të gjithë deputetë demokratë votuan kundër draftit.

Obama i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe Dhoma e Përfaqësuesve ka përgjegjësinë për të "mbrojtur Kushtetutën", tha kryetari republikan i Dhomës, John Boehner, para votimit.

Në bllokadën, që i bëjnë njëra tjetrës Dhoma e Përfaqësuesve e dominuar nga republikanët dhe Senati i dominuar nga demokratët, republikanët e akuzojnë prej kohësh Obamën se qeveris në stilin e një monarku përmes dekretesh duke e anashkaluar kongresin.

Se si do të funksionojë padia në praktikë, kësaj nuk mund t'i përgjigjen me saktësi as ekspertët ligjorë. Aksioni është i pakuptimtë, tha deputetja demokrate, Alcee Hastings. "Është çmenduri ajo, që bëni të gjithë ju."

Obama i papërkulur

Demokratët dyshojnë se me këtë hap republikanët mund të synojnë largimin nga detyra të presidentit. Krerët republikanë e hodhën poshtë më këmbëngulje akuzën, se ndjekin një synim të tillë.

Obamën duket se nuk e impresionon vringëllima e shpatës së opozitës: "Në vend që të ngrini padi kundër meje, se unë bëj punën time, dëshiroj që kongresi të kryejë punën e tij, dhe ta përmirësojë një çikë jetën e amerikanëve, të cilët i kanë zgjedhur", tha ai.