1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të bashkuar vetëm nga armiku

Ines Pohl22 Korrik 2016

Nuk kishte si t'i shkonte më mbarë Donald Trumpit! Problemet gjatë kongresit të partisë e larguan vëmendjen nga fjalimi bosh i tij, ndërkohë që Ted Truz kthehet në ventil për të gjithë të zhgënjyerit, analizon Ines Pohl.

https://p.dw.com/p/1JU3f
USA Republican National Convention in Cleveland Donald Trump Rede
Fotografi: Reuters/M. Segar

Procesi, gjatë të cilit të dyja partitë kryesore të Shteteve të Bashkuara zgjedhin kandidatët presidencialë është brutal. Muaj me radhë kandidatët bëjnë në fushatë në vend dhe e luftojnë njëri-tjetrin ashpërsisht. Këtë vit u arrit një pikë e re vlimi e kësaj lufte. Deri edhe madhësia e organit gjenital u diskutua para kamerave.

Festa e pajtimit

Për shkak se në fund të këtij procesi, të gjithë janë të dëmtuar, përfshirë edhe fituesin, kongreset e partisë kanë funksionin ta bashkojnë partinë, kështu pozicionet ekstreme në parazgjedhje ua lenë vendin toneve më të moderuara, pas të cilave grumbullohet shumica. Në një festë pak a shumë të sinqertë pajtimi, konkurrentët e dikurshëm radhiten pas fituesit dhe i japin mbështetjen e tyre.

Por kësaj here në Clevenland ishte ndryshe. Nga dita e parë Trump i degradon 2500 delegatët nën sytë e 15.000 përfaqësuesve të mediave nga bota, në spektatorë të një shou bombastik. Ai vetë është i kudogjendshëm. Vjen me helikopter, dërgon mesazhe në monitorin e artë nga Kulla Trump, dërgon një nga një anëtarët e familjes, që të mos kalojë asnjë pjesë në program pa ndonjë lëvdatë për babain e mrekullueshëm, për burrin e fortë dhe të suksesshëm.

Profilbild Ines Pohl
Fotografi: DW

Në këtë operetë nuk ka vend për diskutime mbi programin e partisë të kandidatit presidencial. Pse të flitet për përmbajtje, kur ka zbavitje? Jo të gjithë republikanëve u pëlqen ky realitet. Shumë vetë nuk kanë ardhur, sepse nuk duan të shohin këtë spektakël vetëinskenimi, të një njeriu që nuk e vret mendjen aspak të përshtatet me kursin e partisë, një njeri që e kishte bërë për vete partinë, në një kohë kur republikanët mendonin se fantazma e keqe kishte kaluar. Familja Bush mungon në këtë ditë. Edhe republikanë të tjerë me emër si John McCain nuk ia kanë falur Trumpit vërejtjet fyese.

Ted Cruz nuk jep mbështetjen

Një republikan nuk e lë rastin t'i ikë. Ted Cruz, senatori i Texassit e pranon ftesën dhe flet. Dy herë më gjatë se parashikimi. Por fjalinë që e presin të gjithë, "e mbështes Donald Trump", ai nuk e thotë. Më vonë pas thirrjeve që shoqëruan fjalën e tij, ai thotë se nuk ia fal Donald Trumpit që ka fyer gruan dhe fëmijët e tij. Për Trumpin ky sulm vjen si me porosi. Sepse në ditën e tretë të këtij spektakli, njerëzit mërziten, dhe diskutimi për kopjimin e fjalimit të gruas së Trumpit nga Michelle Obama harrohet.

Gazetarët fillojnë të bëjën punën dhe pyesin, nëse ka diçka tjetër, veç planeve për ndërtimin e një muri në kufirin teksan. Edhe delegatët janë të shqetësuar, ata e ndjejnë se veç shout të një narcisti që rrotullohet vetëm rreth vetes, nuk ka shumë përmbajtje, me të cilën Trump mund të luftojë për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Prandaj gjendet një ventil, zhgënjimi i adresohet tradhtarit, Ted Cruz. Por ka edhe nga ata që kanë mirëkuptim për Cruz. Shumica projekton tek ai shqetësimin për shpërbërjen e partisë. Por në fund Cruz me shfaqjen e tij ndihmon që të shtrëngohen radhët pas Trumpit. Pavarësisht se sa pak mund të afrohen ata me retorikën e Donald Trumpit, në fund të gjithë janë të bashkuar në urrejtjen kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton. Republikanët duket se nuk kanë bazë tjetër të përbashkët për momentin. Kemi të bëjmë një parti që e bashkon vetëm armiku.