1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Republikanët në kërkim të vetvetes

8 Mars 2012

Shtatë shtete për Mitt Romney-n, tre për Rick Santorum, një për Newt Gingrich. Super e marta tregoi para së gjithash një gjë: republikanët nuk e dinë se çfarë duan. Për zgjedhjet në nëntor ky është një problem.

https://p.dw.com/p/14H2a
Newt Gingrich - Fushata zgjedhore në Florida
Newt Gingrich - Fushata zgjedhore në FloridaFotografi: gettyimages

Fleta mund të kthehet shumë shpejt. "Gjashtë muaj më parë", thotë Kyle Scott, "përballë gjendjes ekonomike dukej se republikanët e kishin të garantuar fitoren në zgjedhjet presidenciale". Por meqenëse nuk arritën të merren vesh për një kandidat, shanset e konservatorëve po zhduken, shpjegon studiuesi i shkencave politike nga Duke University në Karolinën e Veriut.

Dhe Mitt Romney-n favoriti aktual është i dobësuar, thotë Thomas Mann nga instituti Brookings në Uashington, i cili e vëzhgon prej disa dekadash procesin politik. "Përkrahja për të është ulur, tek zgjedhësit e pavarur, imazhi i tij nuk është më aq i mirë, demokratët janë të bashkuar në opozitë dhe republikanët janë mosbesues dhe të pasigurtë." Politologu mendon se nuk ka parë kurrë një fushë kaq të dobët kandidatësh. Kjo ka të bëjë edhe me faktin që republikanët ndodhen para një kthese: "Ajo që shohim është një ndryshim brezash me të cilin në krye duhet të vijnë njerëz të rinj."

Romney dhe Gingrich, Florida
Romney dhe Gingrich, FloridaFotografi: reuters

Të zhvendosur shumë djathtas

Veç kësaj problem është edhe zhvendosja ideologjike djathtas e partisë, thotë Mann. Në zgjedhjet për Kongresin dy vjet më parë ndikimi i "Tea Parti" pati efekte pozitive, por ndërkohë në këtë parti "nuk do të ishte i mirëpritur si kandidat as presidenti Ronald Reagan". "Duket se republikanët janë në kërkim të kandidatit ideal" mendon edhe Kyle Scott "por një i tillë nuk ekziston në politikë". Këtu duhet treguar aftësi kompromisi nëse kërkohet të arrihen rezultate.

Vendimi pragmatik do të ishte fare qartë Mitt Romney, pasi ai, thotë Kyle Scott, është në gjendje të fitojë vota në qytete, si për shembull në Ohio. Dhe kjo është cilësia vendimtare për luftën kundër presidentit Obama i cili arriti të fitonte pikë pikërisht në qytete në zgjedhjet në vitin 2008. Në zonat rurale ku gjen mbështetje Rick Santorum, republikanët janë sidoqoftë në avantazh, mendon politologu Scott.

Pragmatikët kundër idealistëve

Mungesën e vullnetit tek republikanët për t'u mbledhur në krah të një kandidati, Scott e sheh edhe si shenjë të përçarjes së tyre. "Ka grupe të cilat shohin si të mirën më të lartë lirinë personale pavarësisht se cilat janë kostot dhe ka të tjerë të cilët theksojnë vlerat tradicionale të familjes dhe unikalitetin e Amerikës." Dhe këto dy vlera përplasen: kush është për ndikim sa më të vogël të qeverisë dhe për liri personale nuk mund të përkrahë ndërhyrjet ushtarake dhe të jetë kundër martesave mes njerëzve të së njëjtës gjini. Por republikanët duhet të marrin një vendim nëse duan të paraqiten së bashku në zgjedhje.

Sidoqoftë njëherë për njëherë vazhdon gara mes katër kandidatëve kaq të ndryshëm për presidencën dhe partia mbetet e përçarë. Brian Darling fondacioni koservator "Heritage Foundation" pret megjithatë që të paktën Newt Gingrich të heqë dorë së shpejti nga gara: "Newt Gingrich do ta ketë të vështirë të mbetet në garë nëse nuk fiton në raundet e ardhshme në Alabama dhe Misisipi."

Republikanët nuk e dinë se çfarë duan
Republikanët nuk e dinë se çfarë duanFotografi: AP

Gjithçka është ende e mundur?

Akuzën se republikanët janë zhvendosur aq shumë djathtas sa nuk do të pranonin as Reaganin si kandidat, Darling e hedh poshtë: "Reagan u ciësua si pragmatik pasi përfundoi mandati i tij, gjatë fushatës elektorale ai lufoi si kandidat konservator kundër klasës politike", thotë Darling. "Si presidentë Mitt Romney apo Rick Santorum do të bëjnë një politikë të qendrës së djathtë dhe jo një politikë konservatore të djathtë."

Darling mendon se Rick Santorum ka vërtet ende shanse për kandidaturën, nëse Gingrich del së shpejti nga gara. Të dy konkurrojnë për të njëjin grup zgjedhësish konservatorë të krishterë. Lidhur me Ron Paul të gjithë ekspertët janë të bindur se do të vazhdojë deri në fund garën dhe ndoshta do të jetë kandidati i tretë krahas presidentit Obama dhe sfiduesit të tij republikan. Por rruga deri atje është e gjatë dhe nëse të dhënat nga ekonomia përkeqësohen sërish, letrat e lojës do të përzihen përsëri.

Autor: Christina Bergmann / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama