1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rexhepi: UNMIKU ka humbur kohë me njerëz të cilët vet e kanë bërë okupimin e gjyqit

Esat Ahmeti22 Mars 2008

Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht kryebashkiaku i Mitrovicës, Bajram Rexhepi në mikrofonin e Deutsche Welles

https://p.dw.com/p/DSsi
Kryebashkiaku i Mitrovicës, Bajram RexhepiFotografi: AP

DW: Nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës qe prej 17 shkurtit kur Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur e sovran nuk kanë rreshtur lajmet për protesta të serbëve, për shpërthime bombash, për sulme ndaj misionit ndërkombëtar. Zoti Rexhepi sipas jush edhe sa mund të zgjasë kjo gjendje?

Rexhepi: Një kohë kanë qenë protestat, por ato nuk kanë qenë të dhunshme. Mirëpo ka pasur shpërthime bombash dhe sulme në Gjykatën e Qarkut. Siç e dini, me rastin e marrjes së Gjykatës me 14 mars ata kanë hyrë me dhunë. Më 17 mars ajo (Gjykata) është rrimarrë përmes një aksioni të koordinuar nga KFOR-i dhe policia e UNMIKU-t dhe janë arrestuar një numër i atyre që kanë qenë brenda objektit. Gjatë asaj dite ka pasur përdorim të bombave të dorës, diku rreth 20 apo më shumë sosh, si edhe armë zjarri, ku si pasojë ka pasur një numër të konsiderueshëm të lënduar në radhët e policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it, ku tragjikisht më vonë humbi jetën edhe një polic i Ukrainës. Pastaj, KFOR-i ka marrë kontrollin në pjesën veriore dhe prej kthimit deri diku të normalitetit është rikthyer edhe funksioni i policisë së UNMIK-ut dhe pritet që edhe pjesa civile e administratës së UNMIK-ut të fillojë punën në veri. Realisht tani gjendja është e qetë, nuk ka protesta të dhunshme, nuk ka aktivitete të tjera të dhunshme mirëpo kjo është vetëm një pjesë e aksionit, sepse problemi edhe më tutje ekziston dhe problemi real i pjesës veriore është prania e strukturave paralele të sigurisë. Në veri ndodhen një numër i caktuar i ish-punëtorëve të MUP-it (Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë) dhe të ashtuquajturave Rojet e Urës, një pjesë e të cilëve janë punëtorë fiktivë të spitalit regjional. Mendoj se (trupat ndërkombëtarë) kanë mjaft incizime, kanë mjaft argumente dhe është koha që ata që janë përgjegjës edhe për vrasjen e policit ukrainas por edhe për plagosjen e policëve të UNMIK-ut dhe të ushtarëve të KFOR-it të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë.

DW: Sipas jush, zoti Rexhepi sa ka qenë e vendosur administrata e UNMIK-ut në Mitrovicë që të përmbushë misionin e saj edhe në pjesën veriore të qytetit?

Rexhepi: Po, ka pasur hezitime, fillimisht dhe e kanë zgjatur tepër me bisedime për të bindur që në mënyrë paqësore të lirohet Gjykata e Qarkut dhe është biseduar me ata të cilët e kanë inicuar okupimin. Kështu që kjo është e palogjikshme dhe joproduktive, jo e efekteshme, kanë humbur kohë me njerëz, të cilët vetë e kanë bërë okupimin e gjyqit. Dhe në fund është marrë vendimi nga niveli qendror në Prishtinë që të veprohet dhe të përdoren metodat që janë të ligjshme që prapë të rikthehet mandati i UNMIK-ut në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Hezitime ka patur më tepër nga përfaqësuesi regjional i Unmikut (Gerry Galuchi), i cili ka qenë kundër përdorimit të instrumenteve të demokracisë dhe ka menduar se vetëm me thirrje e me fjalë mund të kryhet. Pra ka edhe një diskrepancë mes nivelit qendror dhe atij regjional.

DW: Ju së fundi jeni zgedhur Kryetar i Asociacionit tė Komunave tė Kosovės. Keni një strategji të caktuar që nën këtë ombrellë të futen edhe komunat kosovare të drejtuara nga komuniteti serb?

Rexhepi: Ne e kemi derën e hapur dhe kjo parashihet edhe me statutin tonë. Poashtu ne kemi bërë edhe ftesë, do të bëjmë edhe ftesë me shkrim që ata të jenë pjesë e Asociacionit të komunave të Kosovës. Statuti ynë është multietnik. Për fat të keq ata janë të organizuar, sidomos në pjesën veriore në të ashtuquajturin ‘Union të Komunave me shumicë Serbe’ të cilët në statut kanë pjesë të papranueshme sepse organizimi bëhet në baza monoetnike që për koceptin multietnik dhe Këshillin e Evropës është e papranueshme. Prandaj me vetëdijësimin gradual dhe pranimin e realitetit të ri ata do të jenë pjesë e këtij asociacioni sepse mund të kenë shumë përfitime qoftë me kontakte të ndryshme, qoftë me binjakëzime të tjera në Evropë apo me projekte që mund të inicohen nëpërmjet Asociacionit për ngritjen e kapaciteteve humane, ndihma në projekte she shumë gjëra të tjera.

DW: Në Vjenë ndërkohë është formuar Grupi udhëzues për Kosovën për të cilin u tha se do të nxis qeverisjen e mirë, sudnimin e ligjit dhe ruajtjen e karakterit shumëetnik në Kosovë. Cili do të jetë bashkëpunimi i juaj me këtë grup dhe çfarë prisni konkretisht nga ai?

Rexhepi: Ne ende nuk kemi vendosur ndonjë kontakt dhe nuk kemi ndonjë ofertë. Ne me siguri që do ta mbështesim, ai është në të mirën e funksionimit më të mirë të niveleve komunale, sundimit të rendit dhe ligjit, një qeverie më efikase dhe ne presim adurim të kemi një ofertë të tillë dhe të jemi partner në këtë projekt.

DW: Dhe një pyetje për fund zoti Rexhepi, cilat janë planet e qeverisjes lokale për joshjen e investitorëve të huaj në Mitrovicë kur dihet se kjo pjesë e Kosovës ka mbetur një prej zonave më të pazhvilluara në vend?

Rexhepi: Keni të drejtë, ne edhe gjatë fushatës elektorale para se të fitoja për kryetar komune kam promovuar koncepte me projekte multietnike ku përfshihen të gjitha komunat e regjionit ku kemi interes të përbashkët. Aktualisht janë duke u përgatitur shumë paraprojekte të cilat kanë karakter multietnik dhe do të jemi konkurent në Konferencën e rdhshme të donatorëve që mbahet në Bruksel në qershor. Për momentin disa prej serbëve kanë shprehur gatishmërinë që të kyçen mirpo prapë kanë pengesa apo presion nga strukturat paralele të sigurisë të cilat atyre ua pamundësojnë integrimin apo bashkëpjesëmarrjen në përgatitjen e këtyre projekteve. Ne presim që Unmiku të përmbush mandatin e vet pasi që edhe vet e ka proklamuar shkrirjen e strukturave paralele, largimin e tyre - atëherë ka gjasa reale që të kemi sukses në këto projekte multietnike të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe në punësim.