1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Rezervat e punës” të shtetit grek

19 Shtator 2011

Përballë mosbesimit të troikës që thotë se “shifrat nuk dalin” por edhe eventualitetit të moslivrimit të këstit të 6-të të ndihmës do të jetë shkurtimi i mëtejshëm i shpenzimeve publike por edhe i sektorit shtetëror.

https://p.dw.com/p/12c1O
Flamuri i BE dhe flamuri grek mbi Akropol
Flamuri i BE dhe flamuri grek mbi AkropolFotografi: dapd

Sot nuk rikthehen në Athinë, siç ishte programuar, krerët e troikës së larguar që prej 10 ditësh dhe pas një “grindjeje” të përfolur me ministrin e Financave dhe nënkryetarin e qeverisë greke Evangjellos Venizellos. Do të zhvillohet ndërkohë telekonferencë me krerët e troikës, raporti i së cilës do të vendosë edhe livrimin ose jo të këstit të 6-të prej 8 miliardë eurosh gjysmën e parë të muajit tetor.  Ndjesia e krijuar se gjithçka ishte në vijë pas masave të javës së kaluar ndryshoi rrënjësisht, veçanërisht pas klimës së mosbesimit që Venizellosi hasi në mbledhjen e Eurogrupit në Poloni  -“ose reduktoni defiçitin ose do të dilni nga eurozona”- që solli edhe anulimin e vizitës së kryeministrit Papandreu në Amerikë.

“Duhet të marrim tre vendime të mëdha strategjike, që përbejnë strategjinë kombëtare: Së pari duhet të arrijmë plotësisht objektivat financiare të vitit 2011 dhe 2012, së dyti të arrijmë mundësisht sa më shpejt teprica primare... që koracojnë vendin,  së treti duhet të avancojmë siç edhe avancojmë menjëherë të gjitha reformat strukturore,” deklaroi të dielën në darkë Venizellos në përfundim të mbledhjes së zgjeruar të Komisionit Qeveritar, që u mbajt nën kryesinë e kryeministrit Papandreu dhe moton e tij “do të bëj gjithçka që duhet bërë për të mbajtur vendin në këmbë”. 


Samaras për taksat: “Këtu nuk e mjelin lopën, e vrasin”

Nuk përjashtohet, siç flitet, që masat të shpallen sonte në darkë  pas një mbledhjeje të dytë të zgjeruar të Komisionit Qeveritar fill pas telekonferencës me troikën. Kjo e fundit kërkon ulje të ndjeshme të shpenzimeve publike, por edhe shkurtim të sektorit publik, një raund të ri kursimesh të rrepta, por edhe rritje taksash indirekte tek cigaret, pijet alkoolike dhe artikujt e luksit. “Shifrat nuk dalin” ishte vërejtja e Eurogrupit, i cili beson se masat më të fundit për shkurtimin e sektorit publik me rreth 30.000 vetë, por edhe tatimin e jashtëzakonshëm të çdo metri katror të sipërfqaqes së ndërtuar nuk do të sjellin në arkat defiçitare të shtetit 1.7 miliardë euro të kërkuar. Opinioni u shokua si asnjëherë, opozita e majtë foli për “terrorin e falimentimit” dhe ajo e djathtë për qeveri “taksomane”, që zhyt ekonominë në recesion dhe vendin në dëshpërim. “Jetuam taksën e gjashtë të pasurisë së patundshme, një për çdo tre muaj. Këtu nuk e mjelin lopën, e vrasin” deklaroi kreu i opozitës së djathtë Andonis Samaras në konferencën e tij 3-orëshe për shtyp në Selanik, ku kërkoi edhe zgjedhje të parakohshme si rrugëdalja e vetme nga qorrsokaku i memorandumit.

 

40% kostoja e pagave të sektorit publik në Greqi, 20-25% në Evropë

Tatimet vetë, sado të suksesshme të jenë dhe sado “vrima” të mbyllin, e asfiksojnë dhe më tepër ekonominë e zhytur në recesion. Ajo çka duhet është që modeli ekonomik të pushojë të prodhojë defiçite duke hequr qafe në radhë të parë barrën e tepërt të sektorit të fryrë publik, ose “dhjamin e tepërt”, siç tha kreu i opozitës së djathtë Samaras. E përllogariti bile në 18 miliardë euro, që mund të kursehen sipas tij. “Nga ato që shpenzon përvit shteti grek 40% është kostoja e pagave: Mendoni që në Evropë kostoja mesatare e pagave është 20-25%” deklaroi ministri i Brendshem Haris Kastanidis, i cili ftohet të ngrejë edhe peshën e masave që do të shpallen.    

Flamuri grek pranë perendeshes Athina
Fotografi: dapd

          

Qeveria kujtoi  “detyrën kryesore të shtëpisë”: të shkurtojë sektorin shtetëror

Këtë “detyrë  të shtëpisë” e la krejt pas dore për dy vjet qeveria e Papandreut, e cila nën kërcënimin e troikës për bllokimin e ndihmës së mëtejshme dhe shfuqizimin e marrëveshjes së 21 korrikut e kujtoi javën e kaluar si urgjente. Vendosi të shkurtojë sektorin publik me rreth 30.000 vetë në sektorin më të gjerë shtetëror, që ka shumë të ngjarë siç dekonspirohet edhe në shtyp të prekë në vazhdim dhe sektorin më të ngushtë, pra edhe ministritë, dhe mund të arrijë deri në 200.000 vetë. Me procedurë urgjente dhe dekret të posaçëm presidencial deri në fund të muajit 132 organizma – jo 151 se jo të gjithë subvencionoheshin nga shteti - do të përcaktojnë edhe emrat e personelit të tepërt që kalon për 1 vit në të ashtuquajturat “rezerva pune” pa u liruar dhe duke u paguar vetëm me 60% të pagës. “Ata që do të përfshihen në statusin e rezervave të punës do të ndahen si më poshtë: Rreth 10% do të shkojnë në vende të tjera pune të sektorit publik, një pjesë tjetër jo më pak se 30 % do të kërkojë kontrata punësimi të pjesshëm dhe një pjesë tjetër largim të vullnetshëm,” sqaron ministri Kastanidis, që nuk sheh tek masa asgjë “barbare” dhe vetëm një “faktor zhvillimi” të vendit. “Mesatarisht për çdo muaj për çdo punonjës të rezervave të punës do të kemi një kursim 1.000 euro, pra për 1 vit rreth 12.000 euro” thekson sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Financave Ilias Pllaskovitis lidhur me përfitimet që do të ketë një masë e tillë.


Sindikatat kundërshtojnë me forcë praktikën e “rezervave të punës

Vënia dorë në sektorin shtetëror, një çështje “tabu”, ngjalli reagimin e madh të sindikatave. “Në sektorin publik shohim të vijnë elementë të një lufte civile midis grupeve sociale,” thotë përfaqësuesi i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë, Jorgos Gavrilis për masën e shpallur, që sipas tij do të ketë pasoja të mëdha dhe në vetë sektorin privat tejet të sprovuar nga kriza.  “Statusi i rezervave të punës çon në punësim gjysmak, në paga të uëta dhe në mijëra lirime nga puna. Nuk u mjaftojnë 1.5 milionë të papunë duan të shtrojnë edhe mijëra të tjerë.

“Për ne  rezervat e punës do të thotë lirim nga puna si për çdo organizëm tjetër,” thotë përfaqësuesi sindikalist i punonjësve të Organizmit të Hekuradhave të Greqisë, që pas reduktimit 50% të personelit para dy muajsh me transferime në sektorë të tjerë duhet tani të largojë 270 punonjës si personel i tepërt. Fakte të tjera ndërkohë për organizma si “Zona Kërkimore e Aleksandrisë”, me 3 punonjës dhe 12 vetë në këshillin drejtues si edhe buxhet 500.000, tregojnë se sa i fryrë është sektori i gjerë shtetëror. Për t'i paraprirë cunamit të “personelit të tepërt” por edhe sistemit unik të pagave me shkurtim gati 40% të tyre apo daljes para kohe në pension vetëm nga enti më i madh i siguracionit shoqëror IKA brenda 2 ditësh u bënë 1.000 kërkesa për largim. Në “kornizën” e rezervave të punës nuk mund të mos hyjnë së shpejti edhe bashkitë që pas reformimit të tyre obligohen të hartojnë buxhete jo defiçitare.


Opozita për “rezerva pune” pa lirime

Praktika e “rezervave të punës” ngjall aq reaksion të madh sa që kundërshtohet tani edhe nga opozita e djathtë që e propozoi. “Ata që do të përfshihen në rezervat e punës sipas propozimit tonë do të mbeten për 1 ose dy trevjeçarë, në varësi të moshës dhe pensionit në qoftë se janë afër tij, dhe do të ritrajnohen me fonde evropiane të disponueshme  për të rigjetur punë kur të vijë rëmëkëmbja dhe, gjithsesi , nuk do të lirohen nga puna” deklaroi kreu pozitar Andonis Samaras, i cili u kritikua ashpër nga Venizellos për “qëndrim të papërgjegjshëm” për sa tha në Selanik për “kurs të dështuar” dhe zgjedhje të parakohshme.              

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Auron Dodi