1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezistenca kundër okupacionit fashist arriti fitoren por ishte kontradiktore dhe e dhimbshme

Aida Cama29 Nëntor 2007

Botimi i të vërtetave të heshtura ndikon për të kuptuar më mirë të kaluarën e zhvillimeve historike. Historia nuk mund të mposhtet me akuza dhe demaskime.

https://p.dw.com/p/CUZ7
Historiani Erwin Lewin
Historiani gjerman Erwin LewinFotografi: DW/Cama

Sa herë afrohen datat 28 dhe 29 nëntor në fokus të opinionit kthehet Lufta Nacional-Çlirimtare në Shqipëri. Për vite të tëra gjatë periudhës së diktaturës komuniste askush nuk i vinte në dyshim këto data, 28-ta si dita e shpalljes së pavarësisë dhe 29-ta si dita çlirimit të vendit. Po ashtu gjatë periudhës së komunizimit historiografia shqiptare nuk ka bërë asnjëherë fjalë për luftë civile në Shqipëri, por për rezistencë antifashiste dhe luftë të partizanëve komunistë kundër tradhëtarëve të vendit në të cilët përfshiheshin Balli Kombëtar apo Lëvizja e Legalitetit.

Në një projekt në lidhje me rishqyrtimin e historisë së re të Shqipërisë të Qendrës Shqiptare për Edukim Politik Mediatik, Politik dhe Pjesëmarrje (CEAPAL) të mbështetur nga fondacioni gjerman EVZ (Kujtim, Përgjegjësi e Ardhme) që mban emrin „Gjenerali i ushtrisë së vdekur pas 60 vjetësh“ studentë dhe të rinj nga Shqipëria dhe Gjermania të ndihmuar nga historianë dhe studiues shqiptarë dhe gjermanë u përpoqën të ndriçojnë bazuar në materiale të reja arkivore dhe në intervista me dëshmitarë të asaj kohe disa aspekte të patrajtuara në librat e historisë shqiptare. Një ndër metodat e përdorura, ishte ajo e oral history (historisë gojore), e cila më parë nuk përdorej nga shkencat historike, të cilat bazoheshin kryesisht në dokomentat e shkruara.

Pjesëmarrësit në projektin "Gjenerali i ushtrisë së vdekur pas 60 vjetësh“ intervistuan në kuadër të tijh dëshmitarë të Luftës së II Botërore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Artan Puto, tregon se „Shumica e të intervistuarve ishin ish-anëtarë të brigadave partizane, që kishin marrë vetë pjesë në luftë. E vështirë ishte gjetja e anëtarëve të dikurshëm të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit për shkak se ata ose ishin vrarë gjatë periudhës komuniste ose ishin arratisur nga vendi.“

Robër lufte dhe të internuar në Stalag III A
Robër lufte dhe të internuar në Stalag III AFotografi: presse

Në radhën e të intervistuarve ishte edhe Kodhel Zëraj, asokohe bari në Voskopojë, i cili në moshën 15-vjeçare, u internua nga gjermanët në një kamp pune (Stalag) në Mosburg ku u detyrua të punonte për të pastruar Mynihun nga rrënojat e bombardimeve të aleatëve.

Informacionen dhe të dhënat e mbledhura prej intervistave u plotësuan dhe saktësuan më tej me materiale arkivore si dhe të dhënat e studimeve të historianëve gjermanë dhe perendimorë që janë marrë me historinë e Luftës së II Botërore dhe Shqipërinë.

Një nga studiuesit gjermanë që është marrë gjërësisht me këtë periudhë të historisë shqiptare është prof. Erwin Lewin, i cili ka botuar edhe librin "Rezistenca antifashiste në Shqipëri". Në këtë libër ai përpiqet të analizojë dhe të dokumentojë rrethanat dhe premisat në të cilat u formua rezistenca kundër okupacionit nazisto-fashist në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, të tregojë bazën politike dhe sociale të Luftës Nacional-Çlirimtare dhe rrymat e ndryshme komuniste dhe jokomuniste.

Projekti për historinë hedh nëpërmjet materialeve të forcave të ndryshme të rezistencës antifashiste një dritë të re jo vetëm mbi Frontin Nacional-Çlirimtar por edhe mbi programet dhe figurat e shquara të nacionalizmit shqiptar, Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit.

Rezistenca kundër okupacionit fashist arriti fitoren por ishte kontradiktore, e mundimshme dhe e dhimbshme

Në lidhje me studimin e tij Prof. Lewin tregon se „u përpoqa të çlirohem nga pengjet dhe tabutë e të kaluarës duke kapërcyer pengesat ideologjike. Libri tregon që rezistenca kundër okupacionit fashist arriti fitoren por ishte kontradiktore, munduese dhe e dhimbshme. Jam i mendimit se këtu qëndron rëndësia e përvojës shqiptare duke treguar në mënyrë të diferencuar arritjet dhe rezultatet pozitive si dhe gabimet. Kam përgatitur burime origjinale nga fonde të ndryshme të Arkivit Qëndror Shtetëror për shembull të Partisë Komuniste, të Ballit Kombëtar, të Legalitetit si dhe prej Fondeve të Organeve Shtetërore, duke përkthyer dokumentat nga gjuha shqipe në gjermanisht për t’i njohuar lexuesit e interesuar në Gjermani për rezistencën antifashiste të popullit shqiptar.“

Libri "Rezistenca antifashiste në Shqipëri"
Libri "Rezistenca antifashiste në Shqipëri"Fotografi: DW


Botimi i të vërtetave të heshtura ndikon për të kuptuar më mirë të kaluarën e zhvillimeve historike

Leximi i materialeve dhe i dokumentave dhe dëshmive origjinale, mund të sqarojnë pikëpamjet, qëllimet, arsyetimet dhe veprimet e protagonisteve nga perspektiva e tyre. Ato i lejojnë lexuesit dhe studiuesit t’i vlerësojë pohimet dhe rrethanat konkrete të kohës pa paracaktime.

Prof. Lewin mendon se „marrëdhëniet midis organizatave komuniste dhe jokomuniste duke marrë parasysh distancën politike dhe kohore nga ajo periudhë nuk duhen dënuar moralisht, duke synuar që botimi i dokumentacionit përmes pohimit të disa të vërtetave të heshtura të ndikojë për të kuptuar më mirë të kaluarën e zhvillimeve historike.

Historia nuk mund të mposhtet me akuza dhe demaskime

Për studimin e tij historiani gjerman Lewin ka përdorur si burime edhe libra të tillë si "Historia e popullit shqiptar", botimi i 1994 por edhe "Veprat" e Enver Hoxhës.

Sa e vështirë është për një historian që të ruajë neutralitetin kur përdor burime që paraqesin këndvështrime të ndryshme të historisë?

Prof. Lewin: „Pyetja juaj prek një problem parimor, si mund të përgatitet një libër për një periudhë apo ngjarje që ka ndodhur shumë kohë më parë, më synim për të treguar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Historiani zakonisht i afrohet historisë nëpërmjet burimeve. Ai qëmton dhe përpunon shkresa në arkiva, kujtime, të dhëna gojore, gjithashtu punimet përmbledhëse, pavarësisht nga ajo se kur u përgatitën ato, ose se kush i përgatiti. Mirëpo për të nxjerrë përfundimet e veta burimet nuk duhen përpunuar pa shoshitje, por duke u nisur nga interesat kërkimore në mënyrë kritike. Këtu qëndron rëndësia e përgjithësimeve që bën historiani. Kjo do të thotë që t’u afrohemi fakteve dhe rrethanave pa emocione, si dhe të bëjmë një analizë të paanshme të proceseve historike dhe të relacioneve në kohën e tyre. E vërteta nuk mund të çrrënjoset nga e kaluara dhe nuk mund ta mposhtim historinë me akuza dhe demaskime. Vetëm duke punuar pa vlagë partiake mund të nxjerrim konkluzione, përgjithësime dhe gjykime nga resourset."