1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezolutë e Parlamentit të Maqedonisë për të drejtat politike të refugjatëve të Egjeut

Fatos Musliu/ Shkup27 Gusht 2008

Parlamenti i Maqedonisë me shumicë votash ka miratuar rezolutën, e cila parasheh realizimin e të drejtave të refugjatëve politikë nga pjesa e Egjeut të Maqedonisë.

https://p.dw.com/p/F5p4
Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i MaqedonisëFotografi: dpa

Rezoluta parasheh që Qeveria e Maqedonisë t'i ndihmojë refugjatët politikë nga pjesa e Egjeut të Maqedonisë që t’i realizojnë të drejtat e tyre për kthimin e pronave që u janë marrë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Analistët politikë vlerësojnë se kjo rezolutë mundë të tensionojë bisedimet që po zhvillohen midis Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit për emrin.

Presidenti i Maqedonisë, Branko Crvenkovski vlerson se po bëhen tentimet e fundit për zgjidhjen e kontestit maqedonaso-grek për emrin, ndërsa nëse përfundojnë pa sukses vijon periudha e status-kuosë.

" Nëse merret parasysh se së shpejti do të mbahen zgjedhjet në SHBA, në pranverë do të ketë zgjedhje në Maqedoni, ndërsa në qershor të vitit të ardhshëm zgjedhje për Evroparlamentin në Greqi, nëse tani nuk arrihet sukses vijon periudha e status-kuosë me të gjithë konsekuencat që do të rezultojnë nga kjo",

shprehet Presidenti Cërvenkovski .Gjithnjë sipas tij , administrata amerikane, mandati i së cilës skadon në nëntor, është e vendosur si asnjëherë më parë që ky kontekst të zgjidhet . Kjo është periudhë dhe moment që kurrë nuk do të na përsëritet, thotë Crvenkovski.

” SHBA është partneri ynë strategjik për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Angazhimet e Uashingtonit për zgjidhjen urgjente të kontestit për emrin nuk duhet ta kuptojmë si presion”, thotë Crvenkovski.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Xhilian Milovanoviq është e bindur se kontesti me Greqinë për emrin mund të zgjidhet para përfundimit të mandatit të presidentit aktual amerikan, Xhorxh Bush.

Nuk ekziston ardhmëri pozitive për Maqedoninë nëse së shpejti nuk anëtarsohet në NATO, Ky duhet të jetë objektivi drejt të cilit duhet të shkohet si një prioritet më i madh”, ka deklaruar Millovanoviçi.

Në mediat maqedonase thuhet se sekretarja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs, më 23 shtator, do të paraqesë një plan për zgjidhjen e çështjes së emrit, që do të paraqitet edhe para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.